Ish-deputeti demokrat Ervion Sallianji ka lënë ambientet e qelisë së Fierit, pasi fitoi lirinë me kusht.
Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e tij për liri me kusht, pasi ka kryer 9 muaj e gjysmë nga dënimi me burg 1 vit shtatorin e kaluar.
Pas lirimit, ai foli për gazetarët duke thënë se burgun nuk ia uron as hasmit. Ai shtoi se do shkojë të falenderojë banorët e një fshati në Fier, që sipas tij, e kanë mbështetur duke i dhënë fitoren PD-së në zgjedhjet e 11 majit. Po ashtu, ish-deputeti tha se rastin e tij do ta çojë deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Që tani do shkoj të falënderoj një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku ka fituar PD. Te ata që me rezistencë, burrëri, besnikëri, ia dalin të fitojnë. Do të nis takimet që nga ky moment. Do të bëj politikë në çdo cep që më jepet mundësia dhe do e dërgoj betejën në Strasburg.
Do të kemi kohë të qëndrojmë më gjatë. Në burg, e dini që thuhet burgu nuk i urohet as hasmit. Sot, kam një program, tjetër, e ndjej më shumë nën lëkurë padrejtësinë.”- tha ai.