Arte

PIKTURA E DITËS: “Mbas Fitores”- Nga piktori Andon Lakuriqi e realizuar në vitin 1965

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: “Mbas Fitores”- Nga piktori Andon Lakuriqi e

E përzgjedhur sot nga Liberale.al, kjo është vepra e diplomës e publikuar në shtypin gjerman e suedez të kohës dhe një nga kompozimet më të njohura të artistit, Andon Lakuriqi.

E cilësuar si vepër e karakterit simboliko -psikologjik ajo paraqet luftëtarin e lirisë si një njeri të zakonshëm - jo superheroi i arteve figurative të realizmit socialist- që është i ulur mbi grykën e armës së pushtuesit (si simbol dominimi) dhe që “feston” fitoren duke dredhur një cigare si pas një pune të bërë mirë, me vështrimin e tretur diku në të ardhmen e panjohur, mendueshëm.

Vepra ndodhet ne Muzeun Kombëtar të Armëve në Kalanë e Gjirokastrës dhe është më e fotografuara nga vizitorët.

Andon Lakuriqi është piktor i shquar shqiptar qe i përket rrymës se impresionizmit. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1934, dhe ka mbaruar më pas liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë.

Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, ai punoi disa vite në Tiranë si pedagog i pikturës në Liceun "Jordan Misja" më pas kthehet në Elbasan, qyteti që do të kthehej në frymëzimin e përhershëm të tij artistik, deri në fund të jetës.

Ai mban titullin "Piktor i Merituar" dhe Urdhrin "Naim Frashëri", si dhe është fitues i një sërë çmimesh kombëtare në pikturë.

Ndër punët më të njohura janë "Mbas fitores" ( Punim diplome), "Fundi i fashizmit", "Ata që i kënduan luftës", "Kthim nga puna", "Vallja e shpatave", "Prova e parë", "Nusja e nënës", "Metalurgët", "Onufri", "Fitore sportive" etj.

Disa nga këto vepra janë riprodhuar, filmuar dhe emëtuar në emisione numizmatike të Bankës së Shqipërisë dhe emisone postare të Postës Shqiptare, dhe janë përfshirë në albume të ndryshme.

Për nder të tij një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin e tij.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH