Hasan Çapari, në veprën e tij (1974), ka arritur të kapë esencën e heroizmit dhe sakrificës së Memo Metos. Ai e portretizon atë si një figurë të fuqishme dhe inspiruese, duke përdorur ngjyrat dhe linjat për të sjellë në jetë karakterin e tij të fortë dhe vizionin për një Shqipëri të lirë.
Figura e Heroit të Popullit Memo Meto, është skalitur në kujtimet dhe në zemrat e bashkëluftëtarëve, si dhe të popullit të krahinave ku ai punoi dhe luftoi si një udhëheqës luftëtar trim e njeri me ide dhe vizione përparimtare. Memo shumë shpejt u bë i njohur në popull dhe si drejtues me aftësi të rralla organizative, politike e ushtarake, agjitator e propagandist i talentuar për të frymëzuar e mobilizuar masat popullore në luftë kundër pushtuesit të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e Atdheut dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Atij i është dhënë dekorata më e lartë Hero i Popullit. Memo Meto ra në krye të detyrës më 2 prill 1944, duke u vrarë në errësirën e natës nga forcat e pabesa të Ballit Kombëtar.
Pak nga autori
Hasan Çapari është një ndër emrat e piktorëve shqiptarë që pavarësisht kohështrirjes së krijimtarisë në dy sisteme politikë, ia kanë dalë suksesshëm të ruajnë kohezionin e përjetimit artistik dhe materializimin e tij në veprën artistike.
Pa cënuar karakterin dhe tipologjinë e krijimtarisë së vet, por edhe duke i përveçuar ato bindshëm dhe cilësisht në rritje, përmes një harmonizimi mjeshtëror dhe me shumë elegancë të ngjyrave, tablotë, peizazhet, por edhe portretet e tij të imponojnë një vëmendje të veçantë e të provokojnë, të joshin me një spontaneitet të habitshëm të gjesh në to një realizëm romantik si në poezitë e Naimit, e po aq, heraherës edhe një lloj impresionizmi që vjen natyrshëm në kohë e qëndron bukur.
Hasan Çapari ka tonin e vet, të cilin duke e përdorur në funksion të mishërimit të idesë artistike që do të shprehë apo të theksojë, ia arrin të imponojë atë që do ai të ndjejmë kur ne shohim punët e tij.
Kjo padyshim që është një zotësi që jo çdo piktor di ta shfaqë.
Jeta e Hasan Çaparit është në veprën e tij, e gjitha e derdhur mbi telajo, mes ngjyrash që na sjellin motive jete e dashurie për dheun e të parëve të tij në Çamërinë tonë të bukur, por po me aq dashuri e frymëzim ka realizuar ai motive nga i gjithë atdheu ynë, të cilit iu dedikua pa asnjë rezervë me artin e tij, si një emër dinjitoz e përfaqësues i një brezi që bëri art të madh.