Është ndarë nga jeta sot në moshën 75 vjeçare, një prej figurave të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktori dhe regjisori i njohur Eduart Çala.
Ai u shua në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore për qytetin e tij të lindjes dhe për gjithë artdashësit shqiptarë.
Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu edhe arsimin fillor dhe të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”. Edhe pse nuk e pati mundësinë të studiojë për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, ai ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi.
Megjithatë dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike.
Në vitin 1971, Çala u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” në Elbasan ku gjatë dekadave të punës së tij interpretoi në mbi 50 shfaqje teatrore. Roli i tij në teatër u karakterizua nga një gamë e gjerë interpretimesh, duke kaluar nga rolet kryesore te ato dytësore dhe episodike, gjithmonë me një përkushtim dhe profesionalizëm të veçantë.Përveç teatrit, Eduart Çala kontribuoi edhe në kinematografinë shqiptare.