Fotot që bëjnë histori. Nga e majta: Et'hem bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemal bej Vlora dhe Qazim bej Vlora, rreth vitit 1912.
Është viti i ngritjes së flamurit në Vlorë dhe i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Foto marrë nga Fotografi Shqiptare “Vintage”.
Si sot 146 vite më parë, më 19 shkurt 1879 - lindi në Shkodër Luigj Gurakuqi; “shqiptar i vlefshëm" do të thoshte At Fishta; "pionier i qytetërimit" mendonte peshkop Noli; “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, shkroi Padër Anton Harapi.
Nga këto cilësime, del se Luigj Gurakuqi ishte rilindas (dijetar i gjerë me njohuri në shumë fusha njëherësh; hartues, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, ekonomist, i gjendur në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës).