Dr. Erena Haska
Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me të është instrument që balancon interesin e krijuesve dhe detyrimin ndaj publikut për qasjen dhe shpërndarje të informacionit. Por mjedisi dixhital duket sikur po i prish këto balanca. Teknologjitë dixhitale që lidhen me të drejtat e autorit dhe që detyrojnë ligjvënësit për të ndryshuar ligjin aktual, duke ju përgjigjur ndryshimeve teknologjike janë:
a) lehtësia e riprodhimit me kosto të ulët dhe pa humbje në cilësi,
b) lehtësia e shpërndarjes që mundëson shpërndarjen e një vepre të dixhituar në shumë individ, në mbarë botën dhe në një kohë të shkurtër, dhe
c) lehtësia e ruajtjes së veprave të dixhituara.
Në këto kushte, mbajtësit e të drejtave të autorit, janë duke kërkuar, gjithmonë e më shumë, mbrojtje dhe forcim të kuadrit ligjor në përgjigje të zhvillimit të teknologjisë dixhitale. Në krahun tjetër, institucionet arsimore dhe kërkimore, bibliotekat dhe komuniteti akademik, janë të shqetësuar për këto kërkesa që vijnë nga mbajtësit e të drejtave të autorit dhe botuesve.
Ligji për të drejtat e autorit në mjedisin dixhital duhet të garantojë:
a) të drejtat ligjore të autorit mbi veprën,
b) të drejtën e botuesit për ta vënë veprën në dispozicion të publikut dhe
c) shfrytëzimin e ligjshëm të veprave, nga individët dhe institucione arsimore, bibliotekat dhe arkivat, duke shmangur shfrytëzimin e paligjshëm, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë etj.
Faktet tregojnë se për një kohë të gjatë e drejta e autorit nuk është mbrojtur në mënyrë adekuate nga ligjet për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Kështu ndryshimet e para në ligjin për të drejtat e autorit u vunë re në nivelin ndërkombëtar, gjë që në vazhdim do të kërkonte reflektimin e tyre edhe në ligjet respektive kombëtare të të drejtave të autorit. Kështu, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian(BE) dhe vendet që aspirojnë për t’u bërë pjesë e BE, ju kërkua të bënin ndryshimet e nevojshme mbi ligjin ekzistues, me qëllim që të mos kishte konflikt me modifikimet që u miratuan nga Parlamenti Evropian. Këto ndryshime do t’i shohim më poshtë, nëse i gjejmë të reflektuara në projektligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtave të lidhura, të vitit 2011, që është dhe drafti zyrtar i ndryshimeve të pritshme në ligjin për të drejtat e autorit i vitit 2005.
Direktiva e Bashkimit Evropian për të drejtat e autorit
Më 22 Maj 2001 miratohet Direktiva e Parlamentit Evropian për të drejtat e autorit në shoqërinë e informacionit (Direktiva Evropiane 2001), e specifikuar si një nga propozimet më të debatueshme në historinë e BE.
Objekti i direktivës është zhvendosja e “axhendës dixhitale” nga Traktati i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, në ligjet për të drejtat e autorit të vendeve anëtare28. Traktati i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale merr në mbrojtje veprat elektronike dhe në veçanti, riprodhimin e tyre me anë të teknologjisë dixhitale.
Direktiva Evropiane 2001 i garanton autorëve dhe mbajtësve të së drejtave të autorit:
a) të drejtën ekskluzive të komunikimit të veprës në publik,
b) të drejtën ekskluzive të shpërndarjes së veprës dhe
c) të drejtën ekskluzive të kontrollit të masës teknologjike, nëpërmjet kriptimit, kodimit, ose mekanizmit të kontrollit të kopjes. Megjithatë, Direktiva u kërkon vendeve anëtare, pavarësisht dhënies së kësaj të drejte ekskluzive, (të kontrollit të masës teknologjike), parashikuar në nenin 6(2), në mungesë të masave vullnetare të marra nga mbajtësi i të drejtave, përfituesit e përjashtimeve dhe kufizimeve të parashikuara në nenet 5(2),5(3),5(4) të përfitojnë në masën e caktuar edhe në këto raste. Direktiva rekomandon që vendet anëtare për arsye të interesit për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shkencor të vendeve, duhet të ofrojnë përjashtime në interes të publikut33 që pasqyrohen në nenin 5 të Direktivës.
Në kontrast me tre të drejtat ekskluzive të përmendura më sipër, të cilat detyrimisht duhet të futen në ligjet kombëtare për të drejtat e autorit, përjashtimet dhe kufizimet janë dhënë në Direktivë në kuadër të rekomandimeve dhe nuk është e detyrueshme përfshirja e tyre në ligjet për të drejtat e autorit në vendet anëtare.
Duke qenë se fokusi i artikullit janë përjashtimet dhe kufizimet për institucionet arsimore dhe bibliotekare (përdorimi i veprave të ligjshme pa marrë pëlqimin e autorit) dhe domosdoshmërinë që këto grupe interesi të mund të influencojnë ligjvënësit për t’i siguruar këto përjashtime, po listojmë disa prej kufizime dhe përjashtimeve që ka sugjeruar Direktiva Evropiane në nenet:5(2b,c),5(3a,c) për riprodhim dhe për komunikim, nenet 5(3b,d,f,j,n):
Riprodhim dixhital lejohet:
a) për përdorim personal,
b) për përdorim në biblioteka, muze, arkiva,
c) për mësimdhënie, arsim, kërkim shkencor
d) për përdorim nga shtypi dhe përcjellje në publik e artikujve me tema aktuale.
Komunikim me publikun:
a) për personat me aftësi të kufizuara,
b) në kontekst të citimeve për qëllime si kritika, përmbledhjet etj.,
c) në kontekst të fjalimeve politike dhe ekstrakteve të leksioneve publike,
d) në kontekst të reklamave, me qëllim reklamimin e ekspozitave publike dhe shitjes së veprave të autorit
dh) për qëllime kërkimore apo studimore private.... nëpërmjet terminaleve të dedikuar në mjediset e institucioneve bibliotekare, arkivore. /Liberale.al