Aktualitet

Letra e panjohur e ministrit Musa Juka për pikturën e Skënderbeut

               Publikuar në : 16:29 - 11/11/20 liberale

Memorie.al/publikon disa dokumenta të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat bëjnë fjalë mbi një korrespondencë midis Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe asaj të Punëve të Jashtëm, në shkurtin e vitit 1937 me Konsullatën Mbretërore Shqiptare në Vienë, lidhur me sigurimin e një kopje të pikturës së Skëndërbeut që ndodhej në Kështjellën Ambroso pranë Innsbruck, të cilën qeveria shqiptare e Monarkisë së Zogut, kërkonte ta blinte me ndërmjetësinë e Drejtorit të Muzeut Nacional të Vienës.

Me rastin e kremtimit dhe festimeve të mëdha që u zhvilluan nga qeveria Mbretërore e Monarkisë së Zogut në vitin 1938 më kuadrin e 470 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, filluan kërkimet dhe u bënë të gjitha përpjekjet, që të gjendej edhe ndonjë pikturë e rrallë me portretin e tij, apo më saktë një kopje e pikturës origjinale, pasi deri në atë kohë shteti shqiptar nuk e dispononte një të tillë dhe portreti i Skënderbeut ishte vetëm në foto të bëra nga pikturat.

Kjo gjë veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor i nxjerrë së fundi nga Arkivi Qëndror i Shtetit, që i përket vitit 1937, ku ministri I Puynëve të Brendëshme, Musa Juka, me anë të një shkrese zyrtare i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë (që asokohe drejtohej nga Ekrem Libohova), për t’u interesuar lidhur me një portret original të Skënderbeut, që ndodhej në Kështjellën e Ambeas, në Insbruk të Austrisë.

Dhe këtë gjë, pra sugjerimin e Ministrit të Punëve të Brendëshme, Musa Juka, duket se Ministria e Punëve të Jashtëme në Tiranë, i’a ka përcjellë menjeherë Konsullatës Mbretërore Shqiptare të Vienës, gjë e cila duket edhe nga shkresa përcjellëse e Konsullit, Nikolla (Kol) Rrota, drejtuar Ministrisë së Jashtëme në Tiranë, ku jep shpjegimet e rastit lidhur me pikturën e Skënderbeut si dhe shumën që duhej paguar, piktorit që do të realizonte kopjen e atij portreti, që për sigurimin e tij, kishte ndërmjetësuar edhe Drejtori i Muzeut Nacional të Vienës. Për më shumë, na njohin dokumentet në fjalë që Memorie.al i publikon të plota në këtë shkrim.

Letra e Ministrit të Punëve të Brendëshme, Musa Juka, për Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë, lidhur me pikturën e Skënderbeut në Vienë

MBRETNIJA SHQIPTARE Tiranë, më 2.1.1937

MINISTRIA E P. TË MBRENDËSHME

ZYRA SEKRETE

Nr. 6 Res

MINISTRISË SË P. TË JASHTËME

T I R A N Ë

LANDA;

Lutemi të keni mirësinë me i shkrue Konsullatës s’onë në Wien, për me u interesue edhe me marrë, nji kopje ashtu siç ashtë, një kopje me bojna të fotografisë së Skënderbeut qi gjindet në Kështjellin e Ambras n’Inbsbruk, edhe të dërgohet sa më parë që të jetë e mundun.

M I N I S T R I

Musa Juka

Letra e konsullit shqiptar në Vienë, Nikoll Rrota, për Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë

KONSULLATA MBRETNORE E SHQIPNISË VJENË

Nr. 311/II Vjenë, më 17 fruer 1937

Shkurtimi: Gjegja e aktit Nr.A.III. 114/I. datë 9.I.1937.

Mbi kopjen e pikturës së Skënderbeut

Së ndershmes

Ministri Mbretnore të Punëvet të Jashtme

në T i r a n ë

Kemi nderin të njoftojmë, se jemi drejtue Administratës së kështjellit Ambras pranë Insbruck-u për sa i përket kopjes së pikturës origjinale të Skënderbeut qi ndodhet atje. Theksojmë se nuk asht nji fotografi, por nji pikturë autentike, dhe Administrata në fjalë na lajmnon, se mbrend atre javëve mund të nxjerret nji kopje me bojna prej nji piktori të përmëndun në Insnsbruck, I cili kërkon 500. Shillinga Austrije (Fr.ar 312.50) dhe që na u rekomandue prej drejtorit të Muzeut nacional në Vjenë, z. Dr. August Gross.

Meqënse deri më sot nuk kemi nji pikturë autentike të Skënderbeut, siç është ajo e kështjellit në Ambras, do të ishte mirë që në bazë të kopjes të bahet nji reprodukcjon i sasishëm me bojna sikundër asht origjinali.

Me nderime të veçanta

Konsulli

Nikoll Rrota

<
>
IMG-20201108-WA0006 IMG-20201108-WA0021 aa7d21e91b80a58f712047774cbb6dcb_XL IMG-20201108-WA0009 IMG-20201108-WA0011 IMG-20201108-WA0012 IMG-20201108-WA0014 IMG-20201108-WA0016 IMG-20201108-WA0019

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back