Aktualitet

Killing Time

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

“Rri hapur në një shoqëri të mbyllur dhe zgjo instinktin tënd, lëre të vërshojë këtë instinkt e kupto gjakun si ndizet në një përplasje fatlume të kontaminimit me të ngjashmit e shumtë, vrite kohën dhe jeto në zjarr të lartë.”

Shënime në një bllok xhepi.

“Ndiqja gps-in tim në gjueti të adresës së ngarkuar e po vozitja me makinë në disa rrugina pa kuptim, aq pa kuptim diku në juglindje të periferisë së Tiranës dhe pa asnjë interferencë nga ato që të zgjojnë një formë shtypjeje të veçantë krahasimi nxitës... por e pamundur… e pamundur në një përkrahje në gjuhë të të gjithë asaj katrahure në pafuqinë ndërtuese edhe më e pakta thjeshtë të një krahasimi gazmor e të lehtë.

Po humbisja fuqinë e njeriut që nuhat mbi këtë non -sens urban ku do mund të gjeja objektivin tim që gjithsesi duhej të kishte një interferencë të gjetur për një hapje apo gjetjeje për shkrimin që më duhej të ndërtoja në një kurim.( Po kërkoja takimin me autorin në vendodhjen e tij)

 U ndërseva si një qenie që do të mbijetojë mbi një rrethanë që besova në pikëpjekje (të rrethanës për ta zbuluar) nuk më jepte asgjë veçse dëshpërim. Një ndjesi zhveshëse humbjeje si fundi i botës m'u duk se kisha takuar në pikën zero. Ndoshta nuk ishte dita ime ndoshta nuk isha në muzë dhe e përktheja çdo gjë më rrethonte keq e më keq.

Sa herë ndodhem në rënie të tilla ngjitëse me realitetin e gjallë ku përfytyroj pritshmëri ndryshe në parashikim, zhvendosem në një tjetër klimë për të mbajtur veten në gjallje që ma favorizon mjeti ku vozis.

Ishullohem dhe hidhem mbi këtë rrethanë të pashpresë nën magjinë  sunduese të të zgjedhurve të mi “Thunderstruck” ACDC .

E ngrita volumin deri në fund me ndjesinë e një ngjitjeje që ndërtohet nga instinkti i lartë e shkatërrues, një plandosje muzikore që më deh të gjitha venat e instinktit e më ngre në qiell. Drogohem së brendshmi si në herë të parë, në një humbje kufijsh e muresh në një tjetër trans që më shkëput nga realja, në një zjarr që më kullon të tërin, jashtë gjithë binarëve të mundshëm, duke besuar se kjo mund të jetë gjëja më reale që do të mund të jetoja përjetësisht, edhe i varrosur.

U bëra si një bombë shëtitëse e motorizuar e vrasëse në tingull të lartë që sfidoja çfarë më rrethonte duke përjashtuar çdo formë përshtatëse të sjelluri në çast. U ndjeva i shkëputur nga realja në një lexim nga jashtë të një njeriu të çmendur të mbijetuar nga stimulanti me i jashtëzakontë që hedh në erë çdo gjë...muzika rok.

Vetëtimthi m'u shkrua në mendje fjalia e parë e një akt kurimi dhe ndodhi në këtë aksident të kaplimit të një gjendjeje të stimuluar dhe të dehur në gjetjen e vendodhjes së personazhit që më duhej, me një titull në nxehmje të lartë si një lojë togfjalëshi gati të puthur rokerësh “ Killing Time”.

Në fakt personazhi që po kërkoja më përplasej së brendshmi në njollën e errët të një rokeri për nga impulset e muzikuara të njollave të tij dhe një personazhi nga perëndimi i largët për nga pusitë e jashtëzakonta të gjetjeve të kuadratuara të tij, mbi rrafshin e shenjës.

Një vështrim jolinear mbështjellës, në një konflikt të hapur ndarës.

Kisha marrë piketën e parë më  në fund me fillesën udhëtuese të një akt kurimi me një personazh interesant.. Adrian Çéne.”

….

Arti lind, shkaktohet, drithëron gjithherë aty ku duket e pamundur. Është si një shprehi që formulon një jetesë të shumëfishtë natyra kontradiktore e krijimit; një territor që ka kthyer aksioma të cilat janë ngjitur historikisht me formulime shijesh estetike dhe epokash, apo me vetë riformulimin e një opinion të zgjeruar, ku një formë arti vjen si një kalesë, që për nga mbipostimi dhe argumentet që e kornizojnë si zonë kohore nuk hidhet më në vlerën e vet për diskutim, por merr statusin e një lëvizjeje apo të një gjurme. Herë është jetëgjatë e herë e abortuar në kohë. Por jo gjitherë ndodh kështu.

Arti është një perceptim relativ në vlerë, sepse sa më shumë i largohemi si optikë, aq më shumë merr reflekset e një relativiteti të ri e të diskutueshëm për çfarë propozon.

Këtë paqëndrueshmëri në kohë ia jep vetë materja e artit në vetvete po aq edhe artistët, që kanë  në vetvete një udhëtim të çuditshëm, duke e lëkundur qëndrueshmërinë e artit me format e tyre të mëdha sunduese apo shenjëlënëse në kohë.

Në një botë që gëlon nga risitë dhe trajtat e materies(si shëndrrim mental) të zgjedhur ka shumë përkalime, herë përmbysëse e herë lineare, herë në trend të mbingarkuar angazhimesh e ndikimesh akute, herë në mbaresa e regëtima dorëzuese si shfaqje të drejtpërdrejta përfaqësuese, deri në ekstreme nga ato që nuk të lënë shteg e thellësi në trajtimin ende joshpjegues. Në të tilla udhëtime është krijuar një hartë e madhe tashmë, me kufij të trazuar e të shprishur, ku nuk e ke më luksin e një orientimi për të vetëpërcaktuar identitetin tënd lundrues përzgjedhës, pasi ruhesh nga një korrnizë që të ndalon të vetëkryhesh në zgjedhjen e parë zbuluese. Pikërisht ky moment jo çdo herë duhet të vijë përmes dijes teknikaliteteve njohëse dhe përvojës, por nga ndjesia e parë që gjurmon përshtypja e pastër e atij takimi të fshehtë që përcakton vetëtimthi objektin që të ngas e të vetkryen njësh në një ecje që të bën të arratisesh në hamendësime harbuese mbi materjen nën hetim  e të harrohesh krejt si një emulsion reaktiv.

Një akt kuratorial është një mbivendosje ndaj një ndjesie lëvizëse që fërgëllon e përpëlitet paralel me ndjesinë e shkaktuar nga vetë objekti i artit që ke nën hulumtim; një raport që luan në regjistrat e subjektivitetit dhe në udhëtimet e brendshme të njeriut; që shkaktohet që nga format elementare e fundohet deri në stërhollime të skajshme të psikës së njeriut.

Në këto shtegtime përcaktuese ndodh hedhja dritë mbi një flirt të dyanshëm: midis veprës që është shkaktuar në dimensionin e vet emocional dhe vetë udhëtimit shkëndijues që e rrethon prenë e vet gjatë përshfaqjes së këtij momentumi njerëzor. Është një udhëtim shkelës dhe identifikues asosacionesh të tingullta dhe në hapësirën e pambarimtë të shenjës.

Adrian Çéne është ndalesa në interes të radhës – një artist kontradiktor që, në thelb, e ka zhvendosur konceptin e kohës në një formë të lirë, ku aleancën e tij përmbushëse e identifikon me ngazëllimin që të jep natyra dhe kundërtregimi i mistertë i ngjyrave. Nuk mundohet për ndonjë strukturë apo koncept për të qenë i kuptuar apo si faktor i ndërmjetëm didaktik . Ai vjen si pengesë e këtij lakimi dyrrokësh, duke thyer sintaksën e të qenit “i pranuar” për t’u ndierë shtegtarë a qitës i lirë.

Çéne mundohet të krijojë një marrëdhënie vetjake me botën që e rrethon, nën motin e një fjalori të hapur për të shtuar apo për të hequr në  të gjitha përthyerjet në rrafshin përzgjedhës.

Në thelb, Çene është si një fëmijë në emocion të parë, që nuk pranon të shkëputet nga atdheu mistik e sugjestiv i pikturës.

Një nga arsyet që u bëra pjesë e kurimit të veprës së tij është njohja në rrjetet sociale, ku njeriu lundron e pret të aksidentohet në formë të lirë e të ndalojë për njëmijë e një arsye duke hetuar një formulim hapësinor në instinkt të parë. Shpesh e më shpesh ndihesha i ngasur e në kuriozitet për t’u aksidentuar me punët e tij; sepse si përshtypje e lehtë e kalimtare të postohet me referenca të parakaluara tanimë. Por, shpesh e më shpesh ndjeva se mund të ishte një stacion më i madh për t’u zbuluar. Pyesja veten se pse më ndalojnë shkarkesat e tij krijuese. Dhe kjo jo menjëherë, por dalëngadalë nisi të më rrotullohej në ndërgjegje si përjashtim i bindshëm i idesë së një piktori që me udhëtimin e tij më kujton një zjarr të padukshëm për botën e artë të pikturës; koha e mjeshtrëve që e transformuan artin e tyre në një varësi lartësuese të shpirtërores. Dashuria për shenjën, formën karakteriale, psikologjinë e ngjyrës, zhvendosjet në karakter etj., subjekt pas subjekti ndërtuan dhe vazhdojnë të rindërtojnë një botë brenda botës, një kullë të lumtur prej fildishi.

Kjo lloj varësie, që fillon si lojë e thjeshtë në periferitë e zgjedhjes, erdhi duke u përkthyer në zbulimin e një piktori që nga harta e tij përzgjedhëse po rishkruhej në ndërgjegjen time plot energji dhe aromë që më përsillej si ushqim i vazhdueshëm tashmë.

Në një gjurmim të shpejtë midis gjuhës së trupit dhe karakterit të tij ka një kundërfluks shtytjesh gati përjashtuese e pa lidhje. E kisha përfytyruar si një person i mbuluar nga një petk allasoj, të cilin e ushqen me dinamikën që e karakterizon, por kur e prek më nga afër kupton se ke të bësh me një personazh që kërkon një ulëse ngasëse në të tashmen. Duket sikur vepra e tij i jep rolin e një “pistoleroje” që është i gatshëm ta mbrojë shkarkesën e tij artistike me çdo çmim. Është kjo arrati e fantazisë që e vesh qenien e tij me personalitet, që më pas guxon të “vrasë” kohën me një lehtësi dehëse e të pashpjegueshme.

Në gjuhë trupi artistin Çéne mund ta krahasosh duke e nxjerrë nga konteksti i tij dhe kohës së çvendosur me një personazh filmash westërn . Një “cow boy” tipik në një lidhje të pazgjidhshme me fabulat tërheqëse karakteriale nga ato të thekurat në rolin e një pistoleri shenjash egzekutive. Po duke riardhur në realitet çfaqet ndaj nesh një masiv karakterial nga ato që propozon rrjedha e papërsëritur njerëzore me aftësinë e vetme e identifikuese të po një “pistoleri” ndërmjet artit të tij në  territorin e shenjës. Një natyrë jo e përkorë dhe e latuar nga shijet e sipërfaqshme të kohës por me një dëshirë gati autike ndaj një elementi në aleancë përfaqësimi siç është toka e pikturës. Një veçori e impostuar nga sjellja e disafishtë e raportit të veprës së artit nga burimi i parë psikofizik që na serviret. Konstatimi im është ngjyrosës dhe i hamendësuar por në substrakt është një lloj përshtatjeje që në konflikt të panevojshëm krahasimesh na bën ta supozojmë.

Çéne nuk zbukuron, nuk përdor truke estetizuese, por, si një “roker” aktesh pamore, e ndërton veprën e tij në një flirt të vazhdueshëm me publikun në një udhëtim përkundër  referencave në vijime të parashtruara si kahje historike. Natyra e drejtpërdrejtë goditëse krijon pusitë e zgjedhura, mes të cilave dëshiron të ndalojë publikun në zgjedhjet e tija ricikluese.

Udhëtimet e Çénes si gjuetar ngjyrash janë të kapura në cip të zgjedhjes së parë emocionale. Ai i shkrep tensionet shëtitëse mbi realitetin që e rrethon me epërsinë e dukshme të një narcizisti në një fushë të manjetizuar që bashkëjeton me artistin. Ai vetë përdoret si një afërsi mentale dhe identifikuese, një lloj qëndrimi që e bën si nëndarje pushuese karshi manierave, për të zbuluar kështu balancat e dendësive buruese kromatike. Ai kalon nga gjendja në gjendje i shpërqendruar dhe i papritur.

Instinktivja merr një status kyç në krejt kërkimin e tij.

Si një informal i mbushur me të papritura ai na ofron një botë të thjeshtuar ndjesish, herë me naivitet, herë me energjinë e një udhëtari të sprovuar, gjë që na bën të marrim pjesë si pa e kuptuar në harbimin e tij kromatik.

Duket sikur merr start për të na sjellë në kujtesë një lëvizje informale e cila ribashkoi herët në kohë në Francë disa piktorë të cilët kryen kërkime të përbashkëta ,të fokusuara rreth viteve të filim shekullit të kaluar.

“Les fauves”  Fovizmi (njerëzit që mbështesin  dhe mbështesnin fuqimisht këtë korrent arti)hodhën poshtë pikturën akademike, duke afirmuar interesin e tyre në lloj e karakter pikture përkundër limontisë dhe adhurimit ndaj artit të përkorë  për veprat postimpresioniste të Van Gogut dhe të Gogenit që pati një lloj jetëgjatësie mbijetese e transmetimesh në refleks në rrjedhë  deri te piktura informale dhe transavantguardiet. Ata përqendruan ngjyrat e tyre të pastra dhe vibrante në thjeshtime  të sheshta, thjeshtuan vizatimet  e tyre  ,duke hedhur poshtë rregullat e perspektivës klasike, nxorën në pah  format duke përdorur lirshëm ngjyrat në një mënyrë ndonjëherë duke u bazuar edhe tek natyra.

Në ngjashmëri ravguese pikturat e Çénes, për nga spontaniteti dhe përkimet me skena jetësore nuk na lejojnë ta burgosim në përkufizime, sepse qenia e tij fsheh burime që rrjedhin vazhdueshëm, me ose pa dashjen e autorit.

“Killing time” është një shkarkesë për një karakter të veçantë që mban boshtin e një krijimtarie të shthurur e shëtitëse, që ka nevojë të rrethohet me fjalë e fjali zbuluese, si një akt i veçuar i stilit të sjelljes, ku sfiduesi sfidon kohën(duke kthyer akrepat mbas) nëpër riciklime të pakontrolluara të ngasjes së ndërgjegjes.

Është një udhëtim veçantë , ku kërkon të rigjejë fabulën që vazhdon të mbetet në të gjitha zanafillat e ndryshimit, dhe si e tillë rikrijon shenja e rigjetje dialogu, që koha ka nevojë t’i mbledhë në qendrën e saj. Kjo edhe për shkak të vetë karakterit të artistit, që impostohet prej përputhshmërisë dhe afinitetit përngjitës me këtë materie, për t’u kryer kështu në misionin e tij të pakryer si fatalitet i vendosjes së tij në hartat treguese të artit.

Mënyra se si merr shkas për një pikturë është befasuese; se si bashkëjetojnë të njësuar elemente të caktuar individualizues e përzgjedhëse  të natyrës.

Prania e tij në hapësirat e COD-it i jep një mundësi të vyer për të ngritur një dialog me zhvillimet artit sot jo vetëm në artet pamore, por edhe në domenin e kulturës në tërësi. Si forma të risjelljes në art të formave si propozime të kujtesës ricikluese apo si rikontekst(formë sjelljeje) për arsye të pashpjegueshme ende.

Vepra e tij në këtë ekspozitë ndahet në tre pjesë: fillimet, angazhimi me pikturën informale dhe një fazë ku fabulat e tij jetësore kthehen në pretekste të pikturës dhe ndërtojnë një komunikim më njerëzor, më të kapshëm.

Nëse do perifrazonim Antoni Tàpies, vepra e tij ndihet e mëvetësishme, me autoritetin për të mos qenë pjesë e hapësirës, sepse nuk ka lindur si rrjedhojë e lakimit të  e  saj, por për shkaqe shtegtimesh dhe arratish; kështu që, është e vështirë të vendoset në një kontekst postmodern apo si brendi akute e zërit të artit bashkëkohor.

I vetmi bosht përbashkues është ideja e ringjalljes së idealeve të pikturës( si shenjë goditëse plot afsh), pa orvatje akademike, por si një frymë që endet egër shkatërruese në një rivendosje rendi vlerash që historia përmes artistësh i risjell në përsëritjen e saj duke na kujtuar se jemi bërë ca si shumë shkencorë e  racionalë.

Përjashtimet në rrjedha të parashikimeve mbi projektin e së ardhmes kanë shpesh sheshpushimet e saja apo frymëmarrjet në të kundërt të këtij projekti, gjë  që ç’ vendoset herazi nga qëllimi dhe  e ardhmja . Ato ruajnë në vetvete ngulmin për tu risjellë në fokus të mendimit kritik për shkaqe që jo gjithherë janë në trend të kohës por si për të na kujtuar se çfarëdo ndodh në psikën njerëzore e ka një shkak që duhet të rrekemi ta kuptojmë pse na bën të ndalojmë në rrjedhën e instiktit përzgjedhës .Dhe ky është pikërisht një akt propozues e  nxitës.

Artisti është përfaqësim i akteve shpirtërore që bëhet present me sjelljen e tij herë në kontekst të kohës e herë përjashta sajë si një nevojë për të modeluar nevojën shpirtërore të tij një aleancë e vjetër dhe e ndryshueshme në kohë . Një lloj matësi të nevojës shpirtërore që paraprin baticat dhe zbaticat e mendjes dhe arsyes si një metabolizëm i nevojshëm për të dalluar në nënshtresat e padukshme të urisë njerëzore për tu ndjerë gjithherë në pjesën ende të pa artikuluar të nevojës së saj.

Është vetë arti që rreket në këtë luhatshmëri për të ushqyer humusin njerëzor në akte marr e dhënie në territore të pabesueshme të projektit mbi të ardhmen e vet.

Fjala e hapjes në ekspozitën e piktorit Adrian Çene

Nëse do shtyheshim disa dekada me parë në vitet '80 në lëvizjet e pareshtura të artistëve në Italinë fqinje, sot ky auditor duhet të ishte i përplot i mbushur si atëherë kur disa artistë të pop artit si Marjo Skifano, Tano Festa dhe të tjerë piktorë asokohe, mezi pritej që ende e patharë akoma, t’ju rrëmbeheshin pikturat e të shfaqeshin në publik, ku sallat e uritura të një shoqërie që konsumonte majat e prekjeve mbi mediumin e pikturës thyenin dyert e ekspozitave.

Një formë sjelljeje kolektive e zgjimit të lartë krahasuar me trendin e ideve të reja që ajo kohë propozonte.

Ishte kohë emergjencash, në temperatura të larta që kishin mbërthyer botën e artit, si rivitalizim i gjesteve të skajshme e çliruese të këtyre ideve që udhëhiqeshin nga piktorë të ditës.

Sot, jo si atëherë, arti ndjehet në një antagonizëm të hapur e gati përjashtues në lloj. Të artit që tashmë është kthyer në histori dhe një tjetër aksioni i propozuar emergjent apo art bashkëkohor.

Të dy tendencat janë të dënuar të bashkëjetojnë të kovergueshme në litarin e rëndesës historike si zhvendosje e anasjelltë periferi dhe qendër.

Por për shkaqe jo gjithherë të shpjegueshme, shpesh në këtë ndarje të mosqasjesh miqësore, ky konflikt natyral ka ulje ngritjet e veta e herë pika takimi që e kthejnë këtë raport në një takim të thyeshëm, ku herë frymë merr njëra me atraksionin e së padukshmes ende dhe herë takon tjetra për shkak të traditës të gjatë historike. Një lloj lënde që për nga zjarri i lartë i elokuencës së shfaqjes qëndron ende thukët dhe me territor të pambarimtë e akoma pushtues.

E vetmja vijë ndarëse, në këtë diferencë që relativizon çdo konflikt të mundshëm në përplasje, është koha.

Ndoshta për këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera kulturore, në një skenë ku ka ende uri për të konsumuar produkte që i shkakton liria e talenti, ka një hap nxitës për t'u rishikuar si sjellje kolektive.

Shpesh artistët kryejnë operacione të tilla mbi publikun për shkak të qendrave si dendësi dhe emulsioneve nganjëherë periferike që tentojnë të riformulojnë zhvendosjen e tyre.

Kjo qe një nga shtysat që m'u duk me interes t'i afrojmë opinionit publik në një konflikt që lexohet hapur me shembullin  e piktorit Adrian Çene.

Një ndalesë që duket sikur merr e jep pika kufitare nga kjo vijë ndarëse.

Si artist, ai ka tejkaluar distancën mes kuadrit dhe prekjes së tij. Ndjehet njësh me aktin e krijimit në një trans mendor e psikik në një temperaturë të lartë në atë lloj piku të intrasigjencës, ku vepra kryhet lehtësisht dhe udhëhiqet nga gjendjet dhe instinkti lartë. Nuk ka hapësirë të ndërmjetme të kompromentuar nga arsyetimi vështrimet didaktike pozat formulimet e qendrës apo stereotipet.

Ushqehet me frymë dhe spontanitet, duke bjerrë kohën e arsyes mbi veprën që ekzekuton. Fotografon në sy të lirë e parasheh veprën si një ëndërrim i lartë dhe propozon shkrepjet e tij mbi telajo.

Është një fenomen i suksesshëm i afinitetit unik me mjetin. Aktet piktorike të tij nuk janë të karakterit harmonik dhe as të bukura për syrin, luajnë në një platformë herë aestetike bruto e të vrazhda, janë jo harmonike dhe në një konflikt të hapur dizonancash. Pikturat kanë afshin ndërveprues dhe ndjehen fillestare.

Çdo pjesë e sipërfaqes së prekur mbahet nga emocioni dhe shkarkesat e zhdërvjellta të mjetit. Një dhunti që e cek. Dhe ndërmjetëson me publikun me mjaft interes, gjithnjë pa u shkëputur nga materia e pikturës së kavaletit.

“Killing Time” është një titull që provokon, që përplas këto dy hapësira kulturash ndarëse, të menduari e të besuari duke i dhënë këtij eventi sharmin nxitës të kësaj zgjedhjeje për ta risjellë në evidencë në këto hapësira ekspozuese.

Është mundësia që të jep fjala në kuptimin e saj tingullor, duke të krijuar kurthin magjik të asaj dileme mes qendrës dhe periferisë në të gjithë gjerësinë kuptimore dhe konceptuale, por edhe në rrjedhën e saj përkrahëse a bashkëshoqëruese, si një element i marrë nga kohët e lavdisë së lartë, për ta rikthyer duke përjashtuar rregullin, në një rimodelim emocionesh që vijnë si rezultat i tastierës së harshme të pikturës dhe talentit të piktorit.

Është koha ku sjelljet dhe risjelljet humbasin qendrën dhe për pak kohë zhvendosen në periferi dhe anasjelltas. Këto zhvendosje kuotohen nga ritmet e shoqërive konsumuese dhe nga lufta e pambarimtë për të trazuar qendrën e të gjithë elementëve që kryejnë veprën e artit.

Ad Çene është një piktor pa fjalë. Nuk mbivendoset në punën e tij nga teksti dhe mbulesat e tij. Një natyrë që ka nevojë të zbulohet përmes shumë fjalëve pasi ato janë pika të reja takimi si shenjat që ai artikulon dhe kjo i bën mirë shumë palëve në interes, i bën mirë artistit, i bën mirë publikut dhe i bën mirë  kritikës së specializuar. Për ta udhëtuar veprën e tij si fenomen që duhet ndarë mes dashurish të reja e të vjetra. Dhe sot është rasti dhe momenti për ti dhënë qendër kësaj dashurie. Qoftë si përthyes dhe mohues të saj dhe qoftë si plëngprishës në një rikthim ndjesish të kohëve të lavdishme të pikturës mbi rrafsh.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH