Aktualitet

Isai

Shkruar nga Liberale

(Fotoja kryesore e marrë nga interneti)

Vladimir Myrtezai

Në Kuran Isai mban kurorën e një profeti të zgjedhur, të paqtë e të demokratizuar në krehrin e përzgjedhjes mitike e hyjnor për njerëzimin. Është një mekje e gjatë në kalvarin e shumëvuajtur të njeriut, që haset me dallgët e papritura të jetës. Ka një tingëllim të zgjatur në mëshirën e njeriut, si i vetëmjaftueshëm dhe si ecëtar i përngjarjes njerëzore në një sheshtësi të mjaftë, por të afërt në shoqërimin e vetë jetës mbi tokë.

Isai është një personazh me kalvarin e tij fshehur butë në ndërgjegjen e gjithkujt, por edhe në sakrificën me të cilën e ngarkoi i madhi Zot për të bërë hije mbi tokë me profilin e tij njerëzor. Isai është një shpirt i thjeshtë vëzhguar në pazëllin e pluhurt e të tromaksur të jetës. Një personazh i mbijetuar në kohë absurdi, në nivelet e jetës së afruar dhe në një çngjyrim që e përfaqësoi koha dhe e la jetim me emrin e mirë, duke iu nënshtruar dallgës që e priste. Fillimisht e njohim si karpentier.

Përpara se ta zbuloj konkretisht, do të doja ta ndihmoja profilin e tij me krahasime, për ta vendosur kështu në kohë, se pse ai është i tillë në dhuratën që i dha Hyu për të shërbyer në të gjitha pamjet dhe gjendjet njerëzore.

Gjithnjë më është dukur se, sa herë kaloj buzë ujërash apo liqenesh ndesh figura të vetmuara e të monumentalizuara, në një heshtje totale, me një kallam të zgjatur në dorë, gjë që më ka nxitur të mendoj se këto qenie presin të ndodhë diçka e përtejme, një mrekulli, teksa përunjen gjatë mbi pasqyrën e ujit në një palëvizshmëri epike. Një qëndrim si slow, pa fjalë, përqendrueshëm, saqë të duket se koha ka humbur kurdisjen në një shtrirje të pamatë. Të duket se bota është një sferë e qetë, bërë për natyra të tilla pritëse, të pafundme e të admirueshme. Nuk kanë lidhje me lëvizjen, tregun, allishverishin, nxitimin e kështu me radhë. Ata shtrijnë përpara nesh një qetësi sublime, të kryer, si fundore, dhe të transmetojnë një qetësi të pakrahasueshme.

I tillë është Isai, miku im i heshtur e i zgjatur në vite. Edhe ai ka optikën apo të nxënit e tij në përshtatje e gjallim.

Ishim miqësuar me njëri-tjetrin në një projekt për mbrojtjen e disa shtëpive të vjetra, monumente kulture, ku unë bëja restauruesin dhe ai ndihmësin e marangozëve që merreshin me detajet e ndryshme që ofronte trashëgimia kulturore në një qytet të skajshëm verior.

Isai më tërhiqte me një cen që e karakterizonte në artikulim, gjë që e bënte edhe të vështirë komunikimin tonë, në pritje disi të zgjatur derisa mbyllej fjalia, për të kuptuar më pas mesazhin që përpiqej të ndante me ne. Pikërisht kjo më linte pa gojë e ma shtonte kuriozitetin, në pikën se si natyra kish fuqinë të të merrte diçka për të të dhënë diçka tjetër. E gjithë pjesa interesante që e vishte këtë personazh ishte thjeshtësia e të jetuarit me pak, gjë që e bënte të tingëllueshëm e të dëlirë në mjedisin njerëzor, në një frymëmarrje dhe hall të përgjithshëm shoqëror. Kishte një lloj intuite dhe instinkti mbijetese për t’u admiruar.

Figura të tilla më tërhiqnin dhe bëheshin pjesë e meditimeve të mia mbi fatin, fatalitetin e shumë gjëra të tjera që e pleksin njeriun me një udhë që nuk e zgjedh.

Me aftësinë për t’u zhvendosur në jetën e tjetrit, më dukej çudi se si kavardiset qenia në lëngun e vet, në mënyrë të pabesueshme e me dinjitet. Isai ishte një dritare e tillë që duhej shijuar si një ndërgjegje e pamatë dhe e veçantë në (për)zgjedhjen e një njeriu si unë.

Jetët tona qenë krejtësisht të ndryshme në zgjedhje e në lloj, në origjinë e në prirje, në cytje e në ego dhe në të tjera ngjyrime që na ndanin me hapa të mëdhenj nga njëri-tjetri. Por, kishim një gjë të përbashkët: simpatinë e ndërsjellë, sepse ishim kurioz për njëri-tjetrin në një mënyrë ushqyese, duke e ripërtërirë miqësinë në kohë për hatër të një rrugëtimi zbulues.

Si rrjedhojë e një inferioriteti të lehtë e sugjestionues, Isai më shihte si mundësi apo barasvlerë në ndarje me shoqërinë e tij të zakonshme. Ndiente se kishte një investim disi të veçantë për shkak të statusit tim si artist, por edhe si njeri disi në influencë në grupe shoqërore. Ishte një lloj varësie që nuk se i hynte fort në punë, por i dukej se notonte në një tjetër botë influence, që tashmë e kishte në oborrin e tij si kapital të rëndësishëm. Edhe unë kisha interesat e mia natyrore, ngaqë më dukej se kisha shkelur bazamentin e jetës së thjeshtë të një njeriu pa detyrime dhe unik, si një arrati e nevojshme për të kuptuar gjendje primare të burrërisë që jetonin disi në instinkt të zgjedhjes. Si me një çallmë-qefin mbi krye, të tilla natyra të pastra e të pangarkuara më dërgonin larg në shkarkesat e mia me gjendjet e njeriut në hap të parë në një botë të pasuruar rishtazi nga besimi dhe jeta me dinjitet në respekt të hijes që gjithsecilit. Më ekzaltonte kjo gjendje, pasi më kujtonte të parët e mi, por edhe më thellë: drejt gjurmëve të para të fillesës së botës, në atdheun mitik të esencave të papërpunuara.

Miqësia me këtë qenie ishte pushuese, jo e ndërvarur dhe shëtitëse për nga hallet e lehta dhe psikologjia e komplikimit. Ishte si një dialog platonik mbi vlerat dhe miqësinë si siguresë e tyre.

Sa herë zbarkoja në atë qytet verior kërkoja Isain, dhe më pas ndanim një kafe të zgjatur për gjëra të thjeshta, por edhe për shndërrimin e skenave politike, edhe për gjëra natyrore apo halle të çdo lloji. Para së gjithash më bënte përshtypje se si ormisej e vishej me disa këmisha ngjyrë bezhë, herazi me vija, me një hekurosje të rregullt. Pantallonat i kishte terital, ngjyrë bezhë, ndonjëherë edhe gri, por gjithnjë të hekurosura me vizë. Dilte me një biçikletë pa hekur përpara, me një timon të rrumbullakuar dhe estetik, që e kalëronte cep më cep qytetit në lëvizjet e tij rutinë. Të dukej se po të mos e shihje Isanë me kalimin e tij të zakonshëm në pjacë, mungonte diçka. Nuk ishte natyrë e lëshuar, në kuptimin e dhënies pas veseve. Ishte shëtitës, kurioz dhe i shkueshëm.

Kur kishte qenë ushtar kish patur një shok të ngushtë, me të cilin i kishte ruajtur marrëdhëniet gjatë, madje ai e furnizonte me duhan të mirë Shkodre. E përpunonte këtë material me letër e filtra, si në një ritual fetar që kishte kohën dhe cakun e vet. Pinte dy deri në tri kafe në ditë, por në vende të caktuara, ku ishte më lirë, ndonjëherë edhe në qendra të populluara me shokë të vjetër. Kishte ritualin e tij të lutjeve, me një mënyrë të matur, ku përcaktonte hijshëm ngjyrimin e vet fetar. Ndiqte rregullisht qokat mes miqve, sidomos në raste vdekjesh dhe gëzimesh.

Këta dy kufij ishin të shenjtë dhe njëfarë caku për të mirëmbajtur e trashëguar miqësitë. Ishte një gjest njerëzor që e bënte pjesë të sofrës së pashmangshme në fis e me shokë, me një dinjitet të lartë që nuk i shmangej as dhe një herë.

Isai ishte liberal dhe i dashtun me ata që e kish rrethuar jeta, shumë prej të cilëve beson e festonin ndryshe, por ai i respektonte njësoj, pasi kështu e mësonte besimi i tij. Sa herë vinte muaji i Ramazanit, nuk linte asnjë ditë pa e agjëruar.

Kishte disa prirje që më çudisnin, si, fjala vjen, pasionin për teknologjinë apo pajisjet elektronike, në veçanti për ato që e informonin apo i rrisnin komunikimin me çfarë ndodhte rreth tij e me gjerë.

Njëherë i bëra një vizitë në shtëpi. Nuk më kujtohet arsyeja, më duket se çështje pronësie për një mur që e ndante nga komshiu. Kishte një shtëpi në kufij elementarë, ku dominonte e bardha e gëlqeres, dy minderë dhe një televizor me ngjyra që llamburinte si një objekt pushtues në të gjithë atë varfëri stoike. Dhomat shumë të vogla, por me një higjienë që të prekte në shpirt. Ja pse në fund të vitit i sajoja ndonjë pako, që të mund të gëzonte si gjithë të tjerët.

Nuk më shqitej nga mendja ajo mënyrë jetese, gjë që atij vetë nuk i bënte përshtypje, pasi kishte bërë një lloj paqeje me mbijetesën. Bëja çmos që të isha i kujdesshëm, duke e bërë pjesë të ndonjë liste të familjeve në nevojë, ku shoqata të ndryshme angazhoheshin për t’ua bërë më të përballueshme dhimbjen.

Gjithsesi ndiheshin të lumtur në çift, me të shoqen, dhe argëtoheshin me pak, me ata që i ndihmonin me mënyra të ndryshme.

Tërheqëse është pamja e tij e shtrirë në kohë, e cila nuk ndryshonte, pavarësisht situatës që kalonte. Stampa e tij pamore është e pandryshueshme: një higjienë e admirueshme ku shquhej aroma e një sapuni të freskët e shoqëruar me një përkorje ndaj ngjyrës bezhë. Gjithnjë në biçikletën e tij sterile, të pandryshueshme, e cila ngjante më shumë me një suvenir sesa me një mjet që përdorej çdo ditë. Kishte një simetri militare në mënyrën se si e psoniste kohën, bisedat, takimet me miqtë, orarin e ilaçeve, vaktin e ngrënies dhe orët e zgjatura përpara televizorit.

Sa herë zbres spontanisht në qytetin verior bie telefoni e më thotë: “Hë, a ke ardhë? – I them po. Ku e more vesh kaq shpejt, mor!?”

Si duket kish njerëz që e lajmëronin, se ka ardh miku i Isasë dhe është te posta, ose te lulishte 1 maji. Kështu, ai lë çdo punë e shfaqet kudo që të jem, gjithnjë me një kashun me cigare të bëra vetë ose me diçka simbolike.

Sa herë zbres në atë qytet rrokem nga pjesa perëndimore me një peizazh të thjeshtë e të përsëritur, rreth të cilit kam medituar për vite me radhë nga ballkoni i shtëpisë së nënës. Është një moment i ngjashëm, sikur takohem me një të vërtetë: hetohem për dashuritë dhe qëndrueshmëritë e tyre në një falje të gjatë e të përcaktuar. Një ndjesi e pakontrolluar e fatale më bën të lëshohem si i burgosur nga ajo pamje e detyrueshme me të cilën kam ndarë të ritë e mi, shoqëruar me halle të vockla e dashuri të pashfaqura, të pakryera. Rrija në parvaz të ballkonit mbështetur me bërryla dhe përsërisja të qenit aty si një dëshmi e mjaftë për të vërtetuar edhe një herë kornizat e mia fatale e të fshehta, si një përbërje fizike, ku ripohohesha si i ardhur, i automatizuar nga kushte të pandryshueshme, ashtu si çdo dashuri e imja që mpiksej. Përpiqesha me çdo kusht për të qenë besnik, gati fetar për atë gjë që më ndodhte, sepse isha i bindur se gjërat që haseshin në mua merrnin statusin e paprekshëm e fatal të gjërave që duheshin ushqyer me çdo kusht. Është një lloj bindje që ka të bëjë me kalesën fizike dhe shpirtërore, si diçka që kërkon kujdesin dhe besnikërinë e duhur.

Lindja e miqësisë me Isain kishte të njëjtin status, diçka edhe më të thellë, që më shtynte në tingull e histori, që më ngazëllente me idenë e fshehur se ai ishte një i dërguar mbi tokë për ta parakaluar në thjeshtësitë elementare të njeriut të vërtetë, nën mantelin që i vendoste koha. Është pikërisht ky fakt dhe prania ime shpirtërore në një kërkim instinktiv për gjërat e veshura me fantazi në shërbim të një myshku shpirtëror, për t’i dhënë kuptim një jete që shpesh vuan nga mungesa e një motivi të shenjtë. Shpesh, duke kërkuar personazhin, ndieja se personazhi isha unë. Një lloj ushqimi i mendjes që më udhëton lirisht e beftë ndër detaje e stacione që ose më mungojnë, ose më shfaqen si pjesë e mungesës që provoj.

Është një shtysë që më bën të shkruaj e t’i fiksoj të tilla frymëmarrje të përshtatjes përmes fjalës, në një ngazëllim të pamatë, ngaqë më duket sikur po ndaloj ajrin dhe vorbullat e shndërrimit, për t’i ngrirë si shenjë ku merr shkas rrëfimi. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH