Ai do të kujtohet si mjeku i diktatorit, Enver Hoxha, edhe pas vdekjes. Megjithatë, Isuf Kalo e shihte mjekësinë si mision dhe e kreu atë me përgjegjësi, edhe kur i shërbeu një udhëheqësi famëkeq dhe anëtarëve të Bllokut, për 12 vite. Të tillë e pa profesionin edhe pas përmbysjes së regjimit komunist, pa e ndërprerë punën dhe kontributin e tij në fushë të endokrinologjisë dhe diabetologjisë. Ndoshta nga të vetmit që hynë e dolën nga Blloku, e që nuk e ndjenë nevojën të shtireshin se kishin ndryshuar kryekëput bindje. Mjeku i njohur mbeti nostalgjik për Bllokun që pa dhe përjetoi gjatë viteve kur shërbeu e që vite më vonë e solli në një libër me kujtime, botuar nga shtëpia botuese universitare, UET PRESS.
Libër që e vendosi Kalon në qendër të debateve për mënyrën quasi romantike që përshkroi jetën në Bllok, historinë e dashurisë mes diktatorit dhe bashkëshortes Nexhmie, por edhe ca hollësi në fushë të politikës ku kritikoi ashpër pasuesin e pushtetit komunist, Ramiz Alinë.
Ndonëse u shënjestra nga kritika e opinioni pasi solli një libër nostalgjik për komunizmin, tridhjetë vjet pas rënies, nuk u tërhoq nga mendimi i tij, i papendueshëm për çfarë kishte shkruar, duke deklaruar se e quante detyrë qytetarë të thoshte atë që dinte, ndiente, pa dhe që e besonte si të vërtetë. Në moshën 77 -vjeçare, kur e botoi librin e tij me kujtime, ndoshta Kalo ndjeu urgjencën e kohës se duhet ta thoshte të tijën.
Thoshte se kishte bërë një fotografim të Bllokut nga brenda. Fotografi psikologjike për të kuptuar pse ndodhnin ato që ndodhnin. Po aq edhe një radiografi. Për mjekun personal të diktatorit, Blloku ishte Versaja. Libri sipas autorit, ishte që Blloku jo vetëm të mallkohet, por prej tij të dalin edhe disa mësime. Sigurisht që kishte pasur edhe kufizime etike, të cilat profesioni i ndalonte. Furisë së të indinjuarve që u bënë edhe njëherë të zëshëm pas daljes së librit, Kalo iu përgjigj me natyrën e tij të butë e aspak kontroverse duke u kërkuar madje falje, pasi nuk kishte dashur të lëndonte askënd. Kishte sjellë veçse atë që kishte dëshmuar. Në fund të fundit, ai nuk kishte mbajtur asnjë post politik, që ta bënte të ndihej përgjegjës apo fajtor për atë kohë. Madje as e kishte ngritur apo ushqyer atë regjim. Ai qe thjesht një mjek, i cili u gjend një ditë në oborrin e diktatorit, në një marrëdhënie të ngushtë, sa mund të jetë ai mes mjekut dhe pacientit. Ua njoha në jetën personale e familjare, shkruante... ua preka trupin, ua dëgjova ankesat, dhembjet, dëshirat, bisedat, shakatë, e natyrisht edhe rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, apo kollën....
Vetë Isuf Kalo u nda nga jeta, pas një beteje me sëmundjen, në moshën 80-vjeçare. Si mjek që kishte kuruar shumë pacientë e që kishte parë edhe brishtësinë e trupit njerëzor, e dinte ndoshta më mirë se shumë të tjerë, natyrën vdekatare njerëzore.
Ai vuri këmbë për herë të parë në Bllok, në moshën 23 -vjeçare dhe siç pohon edhe vetë u rrit fizikisht, profesionalisht dhe emocionalisht.
Si mjek i diktatorit, i duhej së pari të kishte shkëlqyer në ekspertizën e tij. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 1964, u specializua në endokrinologji dhe diabetologji. Ishte ndër themeluesit dhe novatorët e këtij specialiteti në Shqipëri dhe për disa vite drejtoi Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Universitar të Tiranës. Ai e vijoi profesionin e tij edhe pas rënies së regjimit, me të njëjtin pasion për misionin me të njëjtin betim të Hipokratit, duke u kujdesur pa dallim për pacientët e tij.
Për miqtë, kolegët, pacientët e studentët e tij, Kalo mbeti mjeku i përkushtuar me një jetë përtej përvojës me diktatorin. E ndoshta edhe libri ishte një shkëputje frojdiane nga ajo që e mbante të lidhur emrin e tij me regjimin e dikurshëm.
Në një fazë të shkuar të moshës, por jo të dëshirës për të kontribuar në fushë të mjekësisë rrugët e Isuf Kalos u takuan me ato të Universitetit Europian të Tiranës. Ishte kohë kur UET po mendonte të zgjeronte ofertën akademike me disa fakultete të rinj, ndër to ai i Shkencave Mjekësore Teknike, ku Kalo do të kujtohet si një prej themeluesve të tij. Ai ishte dekani i parë i këtij fakulteti në UET. Po ashtu ai kontribuoi në themelimin e revistës së parë të këtij fakulteti, “Medicus”, që vijon botimin periodik me punime shkencore në fushë të mjekësisë dhe u nderua për ndihmesën e dhënë me një Certifikata Mirënjohjeje, nga Universiteti Europian i Tiranës.
“Besoni në të pamundurën”, u thoshte studentëve të UET që kishin zgjedhur Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, “...dhe punoni që ta realizoni Fakultetin e Mjekësisë, sepse jeta është e shkurtër dhe pasiviteti e bën më të shkurtër”.
Vërtet që të qenët mjek personal i diktatorit Hoxha e ndoqi edhe për tri dekada më pas, por Isuf Kalo do të mbahet mend edhe si një prej mjekëve pionierë të fushës së diabetologjisë dhe endokrinologjisë në Shqipëri. Prof. Kalo u specializua në disa vende europiane për fushën e ekspertizës së tij. Për disa vite ishte kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai ishte Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.
Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, në Kopenhagen, duke drejtuar Programin Europian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai ishte autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Europë.
Amaneti i fundit i doktor Kalos, ishte ta varrosnin në vendin e lindjes, në Luzat të Gjirokastrës.
Në tetëdhjetë vitet e jetës, ai e konsideroi mjekësinë si një punë jo për bukë, por si punë të zemrës. Për shumë la pas një dëshmi të shkruar të Bllokut që jetoi, për shumë të tjerë la një trashëgimi me kontribute në njohjen më të mirë dhe përballjen me sëmundjen e diabetit./Liberale.al