
Viktor Canosinaj
“Në këtë botë nuk ka asgjë të re që prej 60 mijë vjetësh kur njerëzit filluan të mendojnë me mendtë e tyre” - pat shkruar që në shekullin XVII filozofi francez La Bryer. Duke e perifrazuar atë deri në një farë mase, do të thoshim se “Që prej disa mijëvjeçarësh, kur raca njerëzore filloi të shkruante poezi e prozë, në letërsinë botërore nuk ka asgjë të re”. Madje duket se tekstet letrare që kalojmë sot nëpër duar nuk janë gjë tjetër veçse histori të ndodhura, të shkruara e të lexuara shekuj më parë dhe letërsia është ujë i të njëjtit oqean.
Janë të shumtë autorët që kanë vënë në dukje ndikimin e madh që ka pasur letërsia antike greke dhe romake në zhvillimin e letërsisë europiane të Rilindjes, Klasicizmit, Romantizmit, Simbolizmit e për të ardhur deri në krijimtarinë e shekullit XX, si ndikim indirekt, tek autorë si G.G. Markez e S. Ruzhdie. Madje mund të thuhet se rrotull mitologjisë dhe letërsisë greke e romake është ndërtuar tashmë një rrjet i tërë intertekstualiteti.
Ndër studiuesit që e ka trajtuar thellësisht këtë ndikim, sidomos të romanit antik grek mbi autorë të Rilindjes si Rabële dhe Servantes, apo mbi shkrimtarin e shekullit XVII, Sirano de Berzherak, autor i romaneve “Udhëtimi në Hënë” dhe “Udhëtimi në mbretëritë e Diellit”, i quajtur nga hulumtuesi i strukturave letrare I.Kalvino “pararendës i letërsisë fantastiko-shkencore”, dhe më tej mbi autorin e “Udhëtimeve të Guliverit”, Xh.Suift, është studiuesi rus Mihail Bahtin. Në veprat e tij studimore “Poetika e Dostojevskit”, “Imagjinata dialogjike” dhe “Rabëleja dhe bota e tij”, duke shtjelluar idenë se lindja e romanit e ka origjinën te festat popullore të karnavaleve, M.Bahtin flet gjerësisht edhe për ndikimin që ka pasur letërsia antike greke dhe romake e zhanrit të fantazisë dhe aventurës në ngritjen e romanit europian. Ndër autorët më me ndikim të lashtësisë ai përmend edhe Lukianin.
Lukiani lindi në vitin 125 pas Krishtit në Samosata të provincës së Sirisë, pjesë e Perandorisë Romake, territor i cili sot ndodhet në Turqi, dhe vdiq në vitin 180. Ai shkroi greqisht, por, siç ka pohuar edhe vetë, ishte sirian. Një libër me vepra të zgjedhura të tij u botua për herë të parë në Firence në vitin 1499. Studiuesit janë të mendimit se veprat kryesore të Lukianit janë “Një histori e vërtetë”, një lloj romani i cili me kriteret e sotme mund të konsiderohej i zhanrit fantastiko-shkencor, “Dialogët e zotave” dhe “Dialogët e të vdekurve”.
Romani “Një histori e vërtetë” është vepra e Lukianit që ka pasur më tepër ndikim tek të gjithë autorët pasardhës që e kanë lëvruar këtë zhanër, sidomos te Rabëleja dhe Suifti. Vepra është e konceptuar në formën e tipit eskapist, një udhëtim i ngjashëm me atë të Odiseut dhe shokëve të tij, por me drejtim të kundërt: largim nga shtëpia. Kthimi në atdhe zë fare pak rreshta në vepër. Në kapitullin e dhjetë të romanit ndodh që gjatë një stuhie anija e heroit, që tregon ngjarjet dhe e lundërtarëve grekë që e shoqërojnë, ngrihet në qiell dhe pas një vërtitjeje prej shtatë ditësh e shtatë netësh në hapësirën qiellore, përfundon në Hënë.
Lukiani dhe shumë autorë të tjerë të lashtësisë mendonin se Hëna dhe Dielli duhej të ishin të banuara dhe sistemi shoqëror e ushtarak atje nuk ndryshonte aspak nga ai i njerëzve tokësorë. Hëna kishte mbretin e saj, ashtu si edhe Dielli. Lufta ishte në plan të parë. Te ky roman gjejmë në formë embrionale konceptin modern ushtarak të Luftës së Yjeve apo skenarë të filmave hollivudianë të tipit “Star track”. Lufta që zhvillohet mes ushtrisë së Hënës dhe asaj të Diellit është për nga fantazia e pakrahasueshme me veprat e mëvonshme të autorëve modernë.
Por nga detajet më interesante që tërheq vëmendjen në këtë vepër të Lukianit është ai i syve të banorëve të Hënës, të cilët mund të vihen dhe të hiqen sa herë dëshirojnë hënorët. Ja, si i përshkruan autori sytë e tyre: “Ata i kanë sytë të vënë, kështu që mund t’i nxjerrin e t’i fshehin dhe, në rast nevoje, t’i vënë prapë e të shohin. Shumëkush, kur i humb të vetët, përdor sytë që ua merr hua të tjerëve. Të pasurit mbajnë rezervë një sasi të madhe sysh.”
Sytë e banorëve të Hënës së Lukianit mund të shohin deri në Tokë dhe kjo realizohet nëpërmjet një instrumenti, që nuk ndryshon aspak nga satelitët e ditëve tona dhe nga ai program kompjuterik që quhet “Google earth”, me anë të të cilit kushdo, kurdo, qoftë edhe me anë të telefonit celular, mund të shoh ç’bëhet rrotull shtëpisë së tij. Konceptin e vëzhgimit të Tokës nga lartësia e gjejmë edhe tek autorë të tjerë të lashtësisë. Kështu, që nga Olimpi, Zeusi nëpërmjet një kanali mund të shikonte dhe dëgjonte ç’bënin dhe ç’flisnin krijesat tokësore, a e shanin apo e lavdëronin, ide kjo që e gjejmë edhe te romani “1984” i Oruellit, ku Vëllai i Madh, një invariant i Zeusit, nëpërmjet kamerave përgjon gjithçka.
Ja, si përshkruhet nga Lukiani Google earth-i i lashtësisë: “Në pallatin e mbretit pashë edhe një gjë tjetër të çuditshme: një pus jo shumë i thellë, i mbuluar me një pasqyrë të madhe. Po të zbresësh në këtë pus, mund të dëgjosh gjithçka që flitet në tokën tonë. Dhe po të vështrosh në atë pasqyrë, do të shohësh gjithë qytetet dhe popujt sikur t’i kishe para syve. Duke vështruar në të unë pashë me të vërtetë të afërmit e mi dhe tërë atdheun; nëse më kanë parë edhe ata, për këtë nuk mund të them asgjë me siguri...”
Kushdo që e ka parë shtëpinë e vet nëpërmjet Goggle earth-it nuk do të mund t’i ndryshonte kurrgjë këtij paragrafi të Lukianit. Sa për fjalinë e fundit “...nëse më kanë parë edhe ata, për këtë nuk mund të them asgjë me siguri...”, të gjithëve do të na shkonte mendja te një program tjetër kompjuterik: skype. /Gazeta Liberale