Albert Doja
Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë
Pak ditë më parë, studiuesja e gjuhësisë Enkeleida Kapia ka reflektuar në rrjetin social në një diskutim të hapur lidhur me një video që qarkulloi në rrjetet sociale ku studente të Filologjikut intervistohen për tituj librash që kanë lexuar e s’kanë lexuar. Me një frymë gazmore dhe me elegancën e një mirëkuptimi si rrallë ndonjëherë, në fakt shumë rrallë për të mos thënë asnjëherë ndërmjet kolegesh studiues, patëm së bashku një diskutim akademik ku rrahëm mendime për probleme të rëndësishme të zhvillimit të kërkimit shkencor dhe studimeve shqiptare. Një nga çështjet e trajtuara është pikërisht raporti ndërmjet shkencës dhe ideologjisë që mund dhe duhet të çojë domosdoshmërisht në çështjen e çlirimit të njërës nga tjetra.
Objekt i reflektimit nuk u bë sasia apo saktësia e njohurive mbi tituj e autorë që studentet dinë apo nuk dinë, por një dukuri e rastësishme kur një nga studentet, në një moment çiltërsie i thotë intervistuesit që nuk i ka dëgjuar “këto titulla” që gazetari po përmendte, por nëse ai do të kishte kohë duhej të lexonte disa “titulla” të tjerë. Rrjeti plasi nga gazi me titujt e kthyer në titulla dhe nga pamundësia e kumbullave për t’u kthyer në kumbuj.
Menjëherë shpirtrat e lënduar nuk mënuan të shqetësohen me nivelin dhe të vajtojnë tragjedinë që po pëson gjuha e përdorur sidomos nga “filologet” e Filologjikut që dikur mblidhte ajkën e dijshmërisë. A thua se disa nivele të foluri shqip të ishin gjuhë e mirëfilltë komunikimi ndërsa në disa nivele të tjera nuk komunikohet dhe përdoruesit e gjuhës nga shtresa të ndryshme të shoqërisë nuk e kanë gjithmonë këtë lloj lirie me gjuhën. Megjithatë, pjesa dërrmuese e reagimeve vijnë nga filologet dhe albanologet e dijshëm që nxituan kush të mahnitej më shumë me kalimet e fjalëve në shumës brenda gjuhës shqipe dhe gara me njëri-tjetrin kush të sjellë më shumë shembuj të çuditshëm nuk ka të sosur: gardh/gjerdhe, breg/brigje, i vogël/të vegjël, kalë/kuaj, kopsht/qipshte, vend/vise, shpend/shpezë, rreth/rrathë, etj. etj. Aq sa nuk mund të ngelë as dyshimi më i vogël se formimi i shumësit në shqipe është vërtet mahnitës e interesant. Sigurisht, nuk munguan as sqarimet “teknike” për të treguar me kompetencë se të gjitha këto janë zhvillime brenda sistemit të shqipes, që shpjegohen për shembull me palatalizimin e grykoreve, i cili ndodh prej ndryshimit të kontekstit fonetik apo prej metafonisë së zanoreve në shumës, të cilat duhet të jenë shkaktuar nga rënia e hershme e ndonjë mbarese të vjetër të shumësit. Apo këto shpjegohen nga faktet që temat me ndërrim të formës e të fonemave kanë gjithmonë prirje t'u lëshojnë rrugë formave me formante për shkak të lehtësisë në praktikën e të folurit, e kështu me radhë e kësisoj.
Në fakt, me një stil gazmor dhe elegant, thelbi i këtij diskutimi nuk pati për qëllim veçse të tregojë rëndësinë e rregullave gjatë të folurit. Sado të çuditshme e kapriçioze të jenë fjalëformat e gjuhës, edhe pse shkelet forma e shumësit që pritet, si ‘titulla’, prapëseprapë kjo tregon fuqinë e një rregulli. Shembuj të tillë rrëfejnë historinë e bukur të debatit mbi natyrën e gjuhës, nëse fjalët e fjalëformat mësohen përmendësh apo mësohen vetëm fjalët ndërkohë që rregullat i kemi në një depo trunore dhe i përdorim sipas nevojës. Prandaj lind nevoja që këto rregulla që rrinë në brendësi të trurit tonë të praktikohen duke lexuar e shkruar, përndryshe lidhjet dobësohen dhe modelet e gjuhës zëvendësojnë njëra tjetrën.
Por ndoshta më mirë duhet thënë që fjalët e fjalëformat, rregullat e gabimet gramatikore e sintaksore, leksikore e semantike nuk mësohen përmendësh për t’u vendosur në një “depo” gjuhësore të kujtesës apo mendjes, por strukturohen brenda sistemit të gjuhës në mënyrë të tillë që të gjenerohen në mënyrë të vetvetishme dhe të pavetëdijshme. Kjo duket qartë pasi të kujtojmë një observim të thjeshtë jo mbi rregullat por mbi gabimet gjuhësore, kur djali im në vogëlinë e vet sapo kishte filluar të fliste dhe shqiptonte gabimisht "shatri" në vend të shtratit. Një ditë me djalin hopa në krah gjatë së dielës familjare bashkë me disa miq në Versailles, sapo dolëm te kopshtet me shatrivana, djali zgjati dorën dhe tha "shtrativani", duke përdorur një fjalë të përafërt për një objekt që ai nuk e kishte parë as emërtuar ndonjëherë më parë. Me sa duket fjalëformimi i tij nuk ishte i huaj për të por u mbështet në mënyrë të rregullt mbi fjalën e gabuar "shatri" duke gjeneruar një gabim të rregullt për të emërtuar një objekt të ri. Edhe pse ne qeshëm me të ai vazhdoi edhe për disa kohë të ngatërronte shtratin me shatrin dhe shatrivanin me shtrativanin. Shumë shpejt mësoi fjalën e saktë për shtratin dhe papritmas korrigjoi edhe “shtrativanin” me fjalën e duhur për shatrivanin.
Kjo histori “gabimi” ndoshta nuk ka peshë të mjaftueshme për të argumentuar që gabimet në gjuhën e fëmijëve nuk mund të shpjegohen me anë të mungesës së aftësive të maturuara perceptuale dhe as të tregojë nëse ka apo ku është gabimi kur marrim për bazë vetëm rregullat e fjalëformimit që rrinë in-situ në trurin tonë dhe që duhen të praktikohen duke lexuar e shkruar. Mbi të gjitha, nuk ka dyshim se për arsye të mungesës së një kompetence të mjaftueshme në fushën e gjuhësisë, unë nuk kam njohjen e duhur të teorive të shpjegimit të natyrës së gjuhës për të kuturisur “falsifiabilitetin” (përgënjeshtrimin) e të dhënave gjuhësore të mirënjohura, çka mund t’i hapte rrugë ndonjë teorie të re.
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është në një farë kuptimi shumë më modest, por në të njëjtën kohë ndoshta edhe shumë më i rëndësishëm. Ky shembull mund të tregojë tërthorazi se pas punimeve magjistrale të Eqrem Çabejt mbi shumësin e singularizuar (të cilin aliasi apo hija e tij në rrjet e ka rekomanduar posaçërisht lidhur me diskutimin në fjalë), si dhe për shumë çështje të tjera të historisë së gjuhës që ai ka trajtuar me shumë mjeshtëri profesionale, duket sikur studiuesit e sotëm të gjuhës kanë mbetur të gozhduar në qasjet e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe nuk mund veçse të mbështesin, ndoshta herë-herë edhe të pasurojnë të dhënat gjuhësore me të cilat ka punuar Çabej. Edhe diskutimet në fjalë tregojnë se studiuesve dhe njohësve të gjuhës nuk u ka mbetur asgjë tjetër veçse të sjellin grumbuj të dhënash pas të dhënash, për të treguar se sa interesant, sa mahnitës, sa i vështirë, apo sa domethënës është ky apo ai fenomen gjuhësor (si fjalëformimi i shumësit në këtë rast), madje edhe duke treguar se si është përftuar teknikisht fenomeni në fjalë, por pa bërë as përpjekjen më të vogël për të avancuar teorikisht në mënyrë që ky apo ai fenomen gjuhësor të shërbejë për të ndërtuar teori të reja shpjeguese.
Me sa duket turravrapi i filologëve dhe albanologëve apo lajkatarëve të shumtë për të nxjerrë në pah dijshmërinë e tyre mbi rastet e çuditshme dhe kapriçioze të shumësit në gjuhën shqipe tregon se kemi të bëjmë me një lloj “falsifikacionizmi” (përgënjeshtrizmi) naiv, për të cilin kemi në antropologji edhe një term të veçantë, “bongobongoizëm”, kur themi se në fshatin apo fisin “bongo-bongo” do gjendet gjithnjë një zakon i panjohur më parë që kundërshton apo përforcon këtë apo atë teori. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se nëse merresh me si e qysh në këtë apo atë krahinë, fshat apo fis e kanë praktikuar këtë apo atë zakon e traditë të trashëgimisë kulturore, apo si e qysh formohet shumësi i kësaj apo asaj fjale në të folmet e shqipes, kjo mjafton për ta quajtur veten se po bën antropologji apo gjuhësi. Kjo pa dyshim na ledhaton sedrën sepse kështu u mbushim mendjen të tjerëve dhe vetes se po bëjmë shkencë të mirëfilltë, antropologji apo gjuhësi, sipas rastit.
Ky lloj qëndrimi duket se ka pushtuar për fat të keq gjithë shkencën shqiptare dhe gjuhësia nuk ka si të mos bjerë pré e “bongobongoizmit” naiv, për të përdorur një term që me sa duket mund ta futim me sukses edhe në studimet shqiptare, por që mund ta quajmë thjesht teknicizëm, empiricizëm, historicizëm, apo folklorizëm. Nga pikëpamja antropologjike, është e rëndësishme të kuptojmë pse teknicizmi, empiricizmi, historicizmi, apo folklorizmi i shtyn disa prej nesh të merren, për shembull, me “konsulla me titulla si brumbulla me kungulla” dhe kështu ta bëjnë njohjen e gjuhës “rrush e kumbulla”.
Çështja nuk mund të reduktohet, siç thuhet shpesh, vetëm te “mosnjohja apo njohja e pamjaftueshme e arritjeve të gjuhësisë bashkëkohore” apo në faktin që “albanologjinë e ka pllakosur injoranca dhe mungesa e metodologjisë”, meqë ajo ndoshta nuk i ka pasur realisht asnjëherë kapacitetet të zgjerohet në këto apo lloj fusha studimi për arsye të ndryshme objektive e subjektive. Gjithashtu, këtu nuk është fjala vetëm “të ecësh me hapin e kohës”, të përqafosh “të renë në shkencë”, apo të bësh të njohura arritjet "me vullnet e kërshëri personale" në kuadrin e lirisë akademike. Sigurisht, ndonëse të pakta, përpjekjet për një vështrim kritik të trashëgimisë shkencore nuk kanë munguar, sidomos kur ngulim këmbë në bindjen se albanologjia ka nevojë jo vetëm të vazhdojë të jetojë, por edhe të rritet, sidomos në metoda e metodologji, në njohje të kampeve teorike bashkëkohore, për t'ju përgjigjur pyetjeve të saj.
Megjithatë, gjatë diskutimit tonë kam ngelë i çuditur se si mund të mendohet që ka edhe çështje të shqipes të cilat, ose nuk janë ideologjike ose nuk janë të nevojshme të zgjidhen në kuadër të teorive bashkëkohore të gjuhësisë. Për shembull, kur merremi me ndryshimet historike të shqipes dhe se si ato i përshtaten një modeli evolutiv të gjuhës si dukuri njerëzore, këtë çështje e studion gjuhësia, por nuk e kam të qartë përse mund ta studiojë dhe çfarë vlere të veçantë mund të sjellë albanologjia që nuk e sjellin shpjegimet shkencore të gjuhësisë. Njëlloj edhe kur flasim për studimin e teksteve të vjetra shqip dhe dokumentimin e tyre, është përsëri e çuditshme përse këtë çështje nuk u dashka ta studiojë filologjia por albanologjia. Në një mënyrë akoma edhe më të çuditshme, ndërsa gjuhësia merret me çështjet e gjuhës si kapacitet njerëzor, disa kolegeve të mi u është mbushur mendja se gjuhësia nuk paska një lupë të hollësishme sa të merret mjaftueshëm me çështjet konkrete të albanologjisë, si për shembull çështja se si zanoret hundore kanë nisur dhe janë zhvilluar në etapat e gjuhës shqipe. Po kështu, ndonëse pranohet që gjuhësia bashkëkohore është marrë edhe me procesimin e shkrimit dhe leximit në mendjen njerëzore në mënyrë të mjaftueshme që vende me traditë të fortë shkencore të krijojnë manualet e tyre të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit mbështetur në këto rezultate, por ama çuditem se si mund të thuhet që përgjigje konkrete për shqipen nuk mund të ketë.
Me këto arsyetime nxjerr krye përsëri një farë përjashtueshmërie shqiptare, sidomos kur përpiqemi t’i mbushim mendjen vetes se këto janë çështje vetëm të albanologjisë, e cila duhet t'i studiojë në mënyrë të detajuar dhe ekskluzive, pavarësisht se kjo nuk mund të bëhet veçse në raport me teoritë dhe rezultatet e nxjerra për gjuhët e tjera. Nëse problematikat shkencore, lidhur me një gjuhë të caktuar e të veçantë si gjuha shqipe janë specifike dhe të koklavitura, këto probleme jo vetëm që mund dhe duhen të zgjidhen e trajtohen në kuadër të teorive bashkëkohore të gjuhësisë, por mund dhe duhet të kontribuojnë edhe për zhvillimin dhe saktësimin e teorive bashkëkohore të gjuhësisë në përgjithësi. Në fakt, nuk mund të krijojmë një shkencë gjuhësore më vete sa herë na duhet të studiojmë këtë apo atë gjuhë. Kjo është një megalomani vendoriste që s’ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë më, ndoshta me përjashtimin e albanologjisë së sotme apo gjermanistikës së dikurshme ku gjejmë në fakt edhe origjinën ideologjike të albanologjisë.
Për të dalë nga ky rreth vicioz, ajo çka pritet nga studiuesit e sotëm është pikërisht “falsifiabiliteti” (përgënjeshtrimi) i të dhënave të njohura, ose për ta thënë troç, pritet që ata ta vënë veten përpara të dhënave të grumbulluara, sado të reja e të panjohura apo mahnitëse e interesante qofshin këto, dhe të bëjnë pyetjen e thjeshtë «e çë pastaj?», të cilën me sa duket askush nuk ia bën asnjëherë vetes sepse kjo pyetje bëhet e tmerrshme nëse nuk ke me çfarë t'i përgjigjesh. Por nëse përpiqemi të kuptojmë me këtë mënyrë se çfarë qëndron për shembull prapa “kapriçiove” të gjuhës, atëherë detyrimisht do na dalin përpara problemet shkencore për t’u zgjidhur nga gjuhësia, si dhe çështja nëse këto apo ato drejtime gjuhësore i nevojiten vërtet albanologjisë. Në fund të fundit, motivimi prapa çështjeve dhe argumenteve shkencore, qofshin këto gjuhësore, historike, filologjike, arkeologjike, etj. shpesh është ndoshta më i rëndësishëm se vetë argumentet. Sidoqoftë, në këtë mënyrë do të kuptojmë detyrimisht nëse motivimi shkencor udhëhiqet nga gjuhësia apo nga albanologjia, apo nëse kur studiojmë gjuhën u përgjigjemi pyetjeve gjuhësore apo albanologjike.
Ndërkohë që arsyetimet e shumta ekskluziviste nuk bëjnë gjë tjetër veçse fshehin dallimet shkencore dhe ideologjike ndërmjet gjuhësisë nga njëra anë dhe albanologjisë nga ana tjetër, mënyra shkencore apo "falsifiabilizuese" (përgënjeshtruese) e arsyetimit na bën të kuptojmë se gjuhësia dhe albanologjia janë dy kategori sociologjike të veçanta që nuk nënkuptojnë njëra tjetrën. Ato janë gjëra krejt të ndryshme që nuk duhet, madje nuk mund të zëvendësojnë njëra tjetrën, sepse ndryshimi i tyre është thelbësor, jo thjesht në nivelet e shkallëshkallshme të kësaj apo asaj veçorie, por në karakterin e qenësishëm dallues të tyre, shkencor apo ideologjik. Për fat të keq, as sot apo ndoshta asnjëherë nuk është kuptuar sa duhet nga studiuesit shqiptare se gjuhësia është një disiplinë shkencore, ndërsa albanologjia përbën një kuadër ideologjik gjithëpërfshirës në të cilin zhvillohen disiplinat shkencore si gjuhësia.
Prandaj çështja nuk është e thjeshtë dhe nuk duhet kuptuar vetëm sikur albanologjia ka vuajtur dhe ende vuan nga hulumtimi ideologjik. Nëse gjuhësia është një shkencë, apo një disiplinë shkencore, si e tillë ajo merret me problemet shkencore të çdo gjuhe, përfshirë edhe shqipen, sado të vështira apo specifike, sado mahnitëse apo interesante qofshin këto. Ndërsa problemet e albanologjisë nuk janë probleme shkencore të gjuhësisë apo të shkencave të tjera të përafërta si historia, arkeologjia, filologjia, trashëgimia kulturore, etj. Albanologjia ka problemet e autoktonisë apo të identitetit, të cilat janë probleme ideologjike që lidhen me një entitet politik siç është bashkësia kombëtare apo shtetërore. Nga pikëpamja antropologjike, mund të shkohet edhe më tej, siç kam bërë në librin e fundit të përkthyer në shqip ku kam trajtuar këndvështrimet e ndryshme të "Shfaqjes së Anthropologjisë në Shqipëri" (https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-02134242/), për të treguar se pikërisht motivimet ideologjike dhe politike janë ato që promovojnë teknicizmin, empiricizmin, historicizmin dhe folklorizmin, apo “bongobongoizmin” nëse u pëlqen ky term, si dhe pengojnë shtrimin dhe zgjidhjen e problemeve shkencore që kërkojnë qasje teorike dhe analitike në gjuhësi dhe disiplina të tjera.
Sigurisht, nëse albanologjia përbën një kuadër ideologjik gjithëpërfshirës ku zhvillohen disiplinat shkencore si gjuhësia, me këtë duhet kuptuar një sistem ideor e botëkuptimor, apo siç thuhet ndryshe një lloj filozofie e kërkimit shkencor, të ngjashëm me skepticizmin, iluminizmin, racionalizmin, modernizmin, liberalizmin, që nuk janë shkenca por sisteme filozofike në kuadër të të cilëve është bërë i mundur zhvillimi i shkencave. E keqja qëndron vetëm me kushtet e trashëguara politike si kolonializmi, fashizmi dhe nacional-komunizmi, në të cilat është formuar dhe zhvilluar albanologjia si kuadër ideologjik për studimet shqiptare. Por e njëjta gjë është trashëguar edhe në antropologji, e cila ka lindur dhe është zhvilluar në kuadrin ideologjik të kolonializmit, ashtu si një pjesë e mirë e saj është molepsur edhe sot nga ideologjia e post modernizmit. Sepse jo vetëm kolonializmi, orientalizmi, nacionalizmi, fashizmi, komunizmi, fundamentalizmi, por edhe post kolonializmi, feminizmi, post modernizmi, e shumë të tjera si këto, nuk janë gjë tjetër veçse sisteme të caktuara ideore e botëkuptimore që shërbejnë si kuadër ideologjik përkatës për zhvillimin e traditave të caktuara, dhe jo të tjerave, në kërkimet dhe studimet shkencore.
Në këtë kuptim, ngatërrimi i gjuhësisë me albanologjinë mbetet i papranueshëm për arsye konceptuale dhe metodologjike, sikur edhe ngatërrimi i shkencës me filozofinë e shkencës. Por kjo nuk do të thotë se nuk kemi nevojë për albanologjinë apo për një filozofi të studimeve shqiptare. Në fakt, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë shkencë apo traditë shkencore që të mos zhvillohet detyrimisht brenda një kuadri të caktuar ideologjik e filozofik. Ndonëse ky lloj debati është i vështirë dhe bëhet edhe më i vështirë prej burgosjes brenda inercive dhe besnikërive tradicionale dhe institucionale, duhet ngulmuar se para së gjithash është e domosdoshme të vetë-ndërgjegjësohemi dhe ta kuptojmë albanologjinë si një kuadër ideologjik të filozofisë së kërkimit shkencor në studimet shqiptare.
Ç ‘është e vërteta, problemet e autoktonisë dhe identitetit të bashkësisë kombëtare dhe shtetërore shqiptare janë të rëndësishme dhe të përhershme, ndërsa kuadri ideologjik që shërben për zhvillimin e studimeve shkencore në zgjidhje të këtyre problemeve është i përkohshëm dhe ndryshon në funksion të regjimeve politike. Në fakt, karakteri i përkohshëm i kuadrit ideologjik të studimeve shqiptare ka shkaktuar në mënyrë të përsëritur edhe vënien në pikëpyetje të problemeve të autoktonisë dhe identitetit të bashkësisë shqiptare. Më konkretisht kjo ka ndodhur herë ka ndryshuar ky kuadër, i cili realisht ka ndryshuar vazhdimisht duke kaluar nga ideologjia kolonialiste tek ideologjia fashiste dhe ideologjia nacional-komuniste, ashtu si kam treguar gjetiu në lidhje me karakterin kolonialist të albanologjisë që në fillimet e veta në shkrimet gjermano-austriake (https://doi.org/10.1177/0308275X14531834), në lidhje me karakterin nacionalist të albanologjisë në përgjithësi (https://doi.org/10.1177/0952695115594099), apo në lidhje me karakterin totalitarist të studimeve albanologjike gjatë regjimit komunist (https://doi.org/10.1016/j.postcomstud.2016.04.002).
Një punë e ngjashme është bërë dhe vazhdon të bëhet me shumë sukses në antropologji lidhur me trashëgiminë ideologjike të kolonializmit dhe deri diku edhe me molepsjen ideologjike të post modernizmit. Shkurt, puna qëndron të mos ngatërrojmë albanologjinë me kërkimet shkencore në studimet shqiptare, por t‘i çlirojmë ato nga ideologjitë e dikurshme kolonialiste, fashiste dhe nacional-komuniste për t’u dhënë një drejtim të ri. Në kuadër të çoroditjes së përgjithshme botëkuptimore të shoqërisë shqiptare, me sa duket akoma nuk e kemi gjetur cili dhe pse duhet të jetë ky drejtim i ri, madje akoma nuk e dimë se çfarë kuptojmë me këtë dhe akoma nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të kërkojmë dhe si ta kërkojmë e ta gjejmë. Hë për hë, nëse shkenca dhe ideologjia janë të papajtueshme, duhet nisur para së gjithash me një kritikë gjenealogjike radikale si hap i parë në rrugën e vetme për t’u shkëputur plotësisht e përfundimisht nga trashëgimia ideologjike që vjen nga përfaqësuesit e vjetër e të rinj të mënyrave të vjetruara të shkencërimit. Kjo duhet të na bëjë të dalim nga përjashtueshmëria e një shkence shqiptare të bërë vetëm për të përkëdhelur sedrën e shqiptareve dhe që i ka vetë-izoluar dhe vazhdon t’i vetë-izolojë studimet shqiptare në ideologjitë e vjetruara albanologjike. Një kuadër i ri ideologjik duhet të shërbejë për t’i dalluar studimet shqiptare për trajtimin e problemeve të identitetit të bashkësisë shqiptare në mënyrë të tillë që t’i hapet rrugë integrimit të tyre në shkencë nëpërmjet kontributit të tyre të dallueshëm në disiplinat përkatëse. /Gazeta Liberale