Të hënën në darkë do të shpallen fituesit e çmimeve Pulitzer që konsiderohen ndër çmimet më të rëndësishme amerikane në gazetari dhe letërsi. Njeriu të cilit i janë kushtuar, Joseph Pulitzer, ishte një emigrant hungarez hebre, i cili bleu dhe redaktoi dy gazeta lokale në Nju Jork dhe Saint Louis në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të. Një ndër meritat e tij ishte tregimi i historive për klasën punëtore dhe komunitetet e emigrantëve, si dhe rritja e tirazhit të gazetave dhe realizimi i një modeli të suksesshëm të gazetarisë së pavarur.
Sot emri i tij personifikon kriteret e përsosmërisë gazetareske, por në atë kohë Pulitzer njihej mbi të gjitha për qasjen e tij sensacionale ndaj lajmeve, raportimi i ngjarjeve të ndryshme kriminale të mbushura me detaje të tmerrshme me synimin për t’i bërë lajmet sa më të bujshme.
Pasi u përpoq të regjistrohej në ushtri të ndryshme në Evropë, por pa sukses, Joseph Pulitzer mbërriti në Shtetet e Bashkuara në moshën 17-vjeçare, duke iu bashkuar Luftës Civile Amerikane. Përveç hungarishtes, ai fliste gjermanisht dhe frëngjisht, por iu desh pak kohë për të mësuar anglishten.
Pas luftës, Pulitzer shkoi në Saint Louis, Misuri, ku bëri shumë punë të rastësishme dhe shkroi raportimin e parë gazetaresk në Westliche Post, një gazetë në gjuhën gjermane. Artikulli lidhe me një mashtrim që ai kishte pësuar së bashku me punëtorët e tjerë: një burrë u kishte premtuar se do t’u gjente një punë në një plantacion sheqeri në Luiziana në këmbim të 5 dollarëve. Megjithatë, pasi kishin paguar shumën, punëtorët ishin transportuar me varkë në një vend të largët dhe ishin braktisur atje, ku nuk kishte as plantacion dhe as punë për të bërë.
Në ato vite në Saint Louis, duke marrë pjesë në redaksinë e Westliche Post, Pulitzer takoi politikanë dhe avokatë, filloi të punonte për hekurudhat, studio drejtësi dhe hyri në rrethet kulturore të shkrimtarëve dhe filozofëve. Kur ishte vetëm 22 vjeç, ai iu bashkua Partisë Republikane dhe u zgjodh në administratën shtetërore të Misurit. Pas disa vitesh u distancua nga disa kolegë në partinë e tij për t’iu afruar ideve të demokratëve, të cilat në shumë mënyra ishin më afër ideve të tij.
Në moshën 31-vjeçare, Pulitzer bleu kompaninë e dy gazetave lokale tani afër falimentimit, St.Louis Dispatch dhe St.Louis Post; duke nxjerrë tirazhin më të madh në zonën e Saint Louis. Ai i dha një linjë editoriale që sot do ta përkufizonim populiste dhe u bë një nga shprehjet më të njohura të gazetarisë sensacionale të kohës dhe të viteve në vijim.
Brenda dy viteve tirazhi i gazetës u rrit nga 4 mijë në 8 mijë kopje dhe në katër vjet ai i kaloi 22 mijë. Ndërkohë, Pulitzer vazhdoi aktivitetin e tij politik, duke mbështetur kandidatët demokratë me gazetën e tij dhe duke u kandiduar për në Kongres, por pa mundur të zgjidhej.
Më 13 tetor 1882, avokati Alonzo Slayback, një bashkëpunëtor i James Broadhead, një kandidat republikan për Kongres, hyri në zyrën e Post-Dispatch me një armë për të sfiduar kryeredaktorin e gazetës, John Cockerill, i cili e kishte quajtur atë një “frikacak”. Si përgjigje, Cockerill e qëlloi dhe e vrau. Ky incident tërhoqi zemërimin e shumë lexuesve të Post Dispatch; Pulitzer e zëvendësoi kryeredaktorin e tij, por që atëherë reputacioni i tij dhe i gazetës në qytet u kompromentuan përgjithmonë.
Për këtë arsye, në vitin 1883, Pulitzer shkoi në Nju Jork dhe pas disa negociatash bleu gazetën lokale New York World. Edhe këtë herë ai e ngriti tirazhin, duke arritur në 1890 në disa mijëra kopje, numri më i lartë në të gjithë vendin. Ajo u bë gazeta e parë në qytet që mbështeti Partinë Demokratike dhe në numrin e parë të saj, pas ndryshimit të pronësisë, Pulitzer shkroi se do të ishte një gazetë “kushtuar kauzave të popullit dhe jo për të fuqishmit”.
Pulitzer tregoi gjëra që askush nuk kishte guxuar t’i thoshte ndonjëherë, si kushtet e jetesës dhe të punës së emigrantëve që jetonin në Manhatan, duke sjellë në vëmendje çështje sociale që u bënë pjesë e debatit politik për herë të parë në të gjithë vendin.
Çelësi i suksesit të New York World ishte i njëjti që Pulitzer kishte testuar tashmë në Saint Louis; të krijonte një gazetë që ishte kryesisht argëtuese për punëtorët, të cilët dëshironin diçka emocionuese për të lexuar në kohën e tyre të lirë. Ai i inkurajoi gazetarët e tij të shkruanin si Charles Dickens, duke filluar me fakte të dokumentuara dhe duke shtuar një dimension dramatik, imagjinar.
Ai përdorte reklamat jo vetëm si një burim të ardhurash, por si një shërbim për lexuesit që kërkonin informacion praktik se çfarë të blinin. Edicioni i së dielës i gazetës përmbante një serial tregimesh, modele rrobaqepësie, informacione muzikore dhe për herë të parë faqe me ngjyra. David McGrath Morris, autor i biografisë së Pulitzer: Një jetë në Politikë, Media dhe Pushtet, i tha BBC se Pulitzer kishte perspektivën e të parit të emigrantëve mbi kulturën dhe shoqërinë amerikane, gjë që i dha atij një avantazh në raportimin e lajmeve, duke ofruar diçka shumë ndryshe për lexuesit. Gazetat e asaj kohe ishin shumë të mërzitshme, kështu që Pulitzer prodhoi një gazetë me histori interesante për t’u blerë dhe lexuar gjatë rrugës nga shtëpia për në punë.
Gazeta e tij ishte aq e sukseshme sa u bë një shembull shumë i rëndësishëm i gazetarisë së pavarur nga partitë politike dhe financimet dhe interesat e tjera. Në editorialet e tij, Pulitzer sfidoi klasën politike duke bërë thirrje për reforma që mbronin punëtorët dhe taksonin më shumë të pasurit. Në ato vite, Pulitzer punësoi gazetaren investigative Nellie Bly, e cila shkroi histori të fshehta. Në 1884 ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, por angazhimi i tij ndaj gazetës e bëri atë të jepte dorëheqjen vetëm dy vjet më vonë.
Në fillim dhe të paktën teorikisht, Pulitzer i kushtoi vëmendje parimeve gazetareske të faktit dhe verifikimit të burimeve: megjithatë kjo qasje kompromentohej gjithnjë e më shumë nga linja editoriale e gazetës, e cila kërkonte që lajmin ta shndërronte në një lexim argëtues për klasën punëtore./Liberale.al/