Është brezi i kalitur me punë. Brezi që përjetoi dy periudha të vështira, sepse rininë e kaloi në vitet e fundit të komunizmit dhe në 30 vite tranzicion, u panë si “mall” për vota. Megjithatë u mësuan duke mos u ankuar dhe pavarësisht pensionit që marrin, vazhdojnë të punojnë edhe në moshë pensioni, për pasion, vullnetarisht, për një komunitet më të mirë.
I ka kapërcyer të shtatëdhjetat, por nuk është ndarë punës. Kjo është nëna duarartë Hatije Dema, banore e lagjes 4 të qytetit të Kukësit, aty ku sot është e vështirë të gjesh të rinj.
Nënë Hatije Demën çdo ditë e gjen në lulishten publike duke u kujdesur vullnetarisht për lulet apo riparimin e stolave të dëmtuar. – “Mosha 73 vjeçe. Vaj halli nuk më rrihet. Kur e shoh kështu, mbille një lule sa për zbukurim. Unë lulet i kam merak, vetëm ato i kam qejf”- shprehet ajo.
Lagje 4 në Kukës është pjesë e rikualifikimit urban me hapësira te bollshme e lulishte. Nene Hatija thotë se gjithsecili prej qytetarëve duhet të kontribuojë për mirëmbajtën e mjedisit dhe parqeve.
“Blinat që i kam mbjellë unë i ka blerë dhe Bashkia. Duhet me i bo çdokush hyzmetin vetë. Disa janë të kujdesshëm shumë, disa nuk janë të kujdesshëm hiç, i dëmtojnë. Edhe stolat që janë dëmtuar këtu vetë i kam ndreq”, thotë e moshuara.
Hatije Dema ka punuar plot 25 vite në ish-ndërmarrjen komunale të qytetit të Kukësit. Ka kryer punë të rënda gjatë viteve të punës që nga punët në ndërtim, mirëmbajtje e deri tek shtrimi i pllakave.
Pas daljes në pension, me të njëjtin pasion ajo punon vullnetarisht për të mbajtur të pastër qytetin e saj. E moshuara i përket një brezi që e ndërtoi dhe mbajti të gjallë përmes punës Shqipërinë, brez që nuk mori kurrë vlerësimin që meritoi, ndaj edhe fatkeqësisht nuk shihet si frymëzim nga të rinjtë e sotëm.