E ardhmja, me siguri nuk do të jetë ajo që njohim sot. Dhe profesionet e së nesërmes do të kërkojnë aftësi të mira dixhitale e teknologjike. Këtë mesazh ndau Shqipe Berisha, drejtoresha ekzekutive e Tumo Tirana Center, në një bashkëbisedim të hapur me studentët e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës.
Zonja Berisha bëri një prezantim të shkurtër rreth qendrës, e cila aktualisht trajnon rreth njëmijë nxënës të moshave nga 12 deri në 18 vjeç, në tetë disiplina që variojnë nga programimi e robotika, deri tek muzika e prodhimet filmike.
Tumo, qendra novatore për teknologji krijuese, mori jetë në tetor të 2020-s, me nismën e Bashkisë Tiranë dhe Fondit Shqiptar-Amerikan të Zhvillimit. Duke marrë shembull nga suksesi i kësaj qendre në Armeni, e ngritur nga themeluesi i rrjetit social Reddit, Alexis Ohanian, me origjinë armene, kjo qendër teknologjie mbërriti edhe në Tiranë duke ruajtur emrin e parkut, ku është vendosur, në Armeni.
Berisha tha se kjo qendër pati sukses ndërkombëtar me pika në qytete të rëndësishme si Tumo Berlin, Paris, Zyrih, Nju Jork, Bejrut, Moskë e Lisbonë.
CEO i Tumo Tirana Center, tha më tej, se nxënësit pas programeve të para informuese dhe ëorkshop-eve, zgjedhin një prej disiplinave, kanë një mentor që i ndjek gjatë të gjithë rrugëtimit dhe në fund në vend të një certifikate, kanë një portofol të punëve që kanë realizuar.
“U mësohen programe kontemporane, ka aktivitete të ndryshme, pajisen me aftësi si përshembull; si ndërtohet një startup. Mësojnë ta shohin gjithçka nga ana e biznesit”. Ajo tha se bashkëveprimi me mentorët dhe mënyra e të mësuarit u jep nxënësve vetëbesim për të ardhmen. Përmes Tumo Talks, fëmijët dhe adoleshentët njihen me shembuj suksesi të aktorëve të rëndësishëm të industrisë apo të botës së biznesit dhe kanë mundësi të vizitojnë biznese të ndryshëm, në vend.
Zonja Berisha ndau lajmin se në shtator, Tumo do të transferohet në mjediset e Piramidës, ku parashikohet që kapaciteti i nxënësve të tre apo katërfishohet, duke arritur deri në katër mijë syresh.
Ajo ndau edhe përvojën e saj, sesi u gjend në krye të kësaj qendre. Shqipe Berisha tha se vinte nga një përvojë e gjatë në sektorin e Inovacionit, të një prej kompanive ndërkombëtare të telekomunikacionit, në Tiranë. Si nënë e një fëmije, në moshën e nxënësve që pranohen në qendrën Tumo, ajo shtoi se ishte edhe në brendësi të psikologjisë së asaj grupmoshe, si edhe dëshirave apo kërkesave që ata kanë.
Ajo i ftoi studentët e Universitetit Europian të Tiranës e veçanërisht anëtarët e Klubit të Teknologjisë, në UET të vizitojnë mjediset e qendrës dhe u shpreh e hapur për bashkëpunime të afërta.
Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Teuta Xhindi tha se ky ishte vetëm takimi i parë me CEO-n e kësaj qendre, duke u treguar e hapur për bashkëpunime konkrete. UET, shtoi dekania Xhindi ka në thelb të filozofisë, studentin dhe e pajis atë – në të pestë fakultetet – me literaturën më bashkëkohore dhe aftësitë e reja që i nevojiten tregut të punës.
Zonja Berisha tha se me Klubin e Teknologjisë në UET mund të organizohen takime të ndryshme, si edhe pa mundësi mentorshipi nga ana e studentëve për nxënësit e Tumo-s, që mund të nisin edhe si përvoja internshipi apo praktika pune, për ata që janë në vit të tretë të studimeve. “Mjafton dëshira dhe mundësitë janë”, tha ajo.
Dekania, Teuta Xhindi e pyeti zonjën Berisha nëse dallimet gjinore në fushat e teknologjive të informacionit viheshin re edhe në grupmoshat më të vogla. Ajo pohoi se prania e vajzave është në vetëm 40 përqind dhe 60 përqind të nxënësve janë djem, megjithatë shtoi se kërkesat e vajzave për lëndë dixhitale janë në rritje.
“Profesionet e së ardhmes kërkojnë aftësi që kanë të bëjnë me programimin, robotikën dhe inteligjencën artificiale”, tha ajo, duke shtuar se kërkesat e tregut të punës në të ardhmen do e ngushtojnë dominancën e këtyre fushave nga djemtë dhe burrat. “Do të kërkohet të kesh aftësi teknologjike apo dixhitale për të bërë çdo lloj profesioni. E ardhshmja do të ndryshojë totalisht. Sa më shumë të jesh i përgatitur në këto lloj aftësish, aq më e lehtë do jetë për të përballuar kërkesat e tregut të punës, në të nesërmen”, përfundoi CEO i Tumo Tirana Center.
Ndër vizionet afatgjatë të qendrës Tumo është që ajo të shtrihet edhe në qytete të tjerë, për të ndihmuar grupmoshën nga 12 deri në 18 vjeç për t’u pajisur me aftësitë digjitale./Liberale.al