Aktualitet

Fatos Tarifa: Ç’mendoj për plaftormën e Metës dhe sistemin zgjedhor

               Publikuar në : 13:57 - 23/05/20 liberale

Fatos Tarifa

Presidenti i Republikës ka sugjeruar krijimin e një organizmi politik, të cilin e quan Këshill Politik, për të marrë në dorë zgjidhjen e çështjeve kryesore të mbetura pezull — vijimin e reformës në drejtësi dhe reformën zgjedhore — në kushtet e një animositeti të plotë mes mazhorancës parlamentare dhe qeverisë së krijuar prej saj, nga njëra anë, dhe partive opozitare, të cilat, prej më shumë se një viti, e kanë braktisur parlamentin dhe e shohin veten jashtë mundësive për te ndikuar mbi procesin politik si pjesë e sistemit, nga ana tjetër.

Çfarëdo emri që mund t’i vihet një organizmi si ky që propozohet, ai është jo thjesht një organizëm ekstrakushtetues, por edhe antikushtetues, pasi nje institucion i tillë nuk mund të marrë përsipër funksionet kushtetues të Kuvendit, pushtetit legjislativ, si njëri ndër tre shtyllat e pushtetit, krahas atij gjyqësor dhe ekzekutiv.

Një Këshill Politik si ky që propozohet, nuk mund te jetë nje organ mbi Kuvendin, ose në vend të tij, as një organ “balancues” mes pushteteve, pasi këtë funksion dhe këto prerogativa nuk ia njeh asnjë ligj. Si i tillë, ai do të ishte i jashtlighshëm. Në mungesë të një fjale më të përshtatshme, kjo ështe thjesht nje ide amatorske, një dëshirë për të eksperimentuar edhe këtë herë, si shumë herë në të kaluarën, pasi nuk jemi në gjendje, ose nuk duam që të respektojmë ata institucione të një sistemi politik demokratik, të cilët, nëse i krijojme siç duhet dhe nëse jemi të aftë t’i bëjmë të funksionojnë siç duhet, janë të vetmit institucione legjitimë në një rend demokratik.

Është absurde ideja e shprehur nga Damian Gjiknuri, e cila, sigurisht, nuk është pjellë e kokës së tij, se sistemi zgjedhor nuk mund e nuk duhet ndryshuar, pasi ndryshimi i tij do ta zhbënte Kushtetutën. Sistemi zgjedhor aktual është burim krizash politike të përsëritura dhe duhet ndryshuar, madje sa më parë. Dy partitë kryesore duket nuk e dëshirojnë këtë. Mbi to dhe mbi vullnetin e kryetarëve të tyre dhe të Parlamentit ka vetëm një vullnet më të lartë — Vullneti i Popullit. Le të vendosë Populli për sistemin zgjedhor që do. Dhe Populli ka vetëm një mundësi dhe një mënyrë për të shprehur Vullnetin e vet Suprem: Plebishitin popullor, Referendumin.

Le të bëjmë një referendum dhe të vendosim se përmes cilit sistemi duam t’i zgjedhim këtej e tutje përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetë Kreun e Republikës sonë. Referendumin nuk e duan veç ata të cilët i tremben verdiktit të popullit. Pikërisht këta frikacakë, që nxjerrin ligje e vendosin “në emër të popullit”, pa pasur mandatin të përfaqësojnë asnjërin prej nesh dhe që gëzojnë privilegje të pamerituar, janë ata që rrezikojnë të flaken jashtë organit më të lartë legjislativ në një sistem që e duan dhe e zgjedhin qytetarët e Republikës dhe jo kryetarët e dy partive më të mëdha dhe të emëruarit e tyre.

Mungesa e kohës për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe, me të bashke, edhe Kushtetutën, nuk është një argument. Nëse politikanët tanë kanë pasur 30 vite kohë të bëjmë zullumet politike më të mëdha dhe të tallen me qyetarët e këtij vendi si kanë dashur dhe sa herë kanë dashur, Vullneti i Popullit mund t’i detyrojë ata që të përunjen para tij (ata që s’duan ose s’dinë të largohen nga funksionet që mbajnë dhe nga skena politike) për të mundësuar, më në fund, çlirimin e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë nga një klasë politike uzurpatore dhe për t’ua besuar drejtimin e vendit përfaqësuesve vërtetë legjitimë të tij, të zgjedhur përmes atij sistemi që vetë qytetarët do të shprehen se duan përmes një Referendumi mbarëpopullor, si forma më demokratike e shprehjes së vullnetit të Popullit, i vetmi që, në një rend demokratik, posedon atë “pouvoir constituant” mbi bazën e të cilit mund të ngrihet rendi kushtetues i çdo kombi. /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back