Nga PAOLO VALENTINO
Sikur të jenë funksionarët e Brukselit dhe të Berlinit, me shkujdesjen miratuese të qeverisë gjermane, t’i japin shah mat Vladimir Putinit, duke fundosur projektin strategjik që ka më për zemër, pra gazsjellësin Nord Stream 2? Dukej e mbaruar vetëm një muaj më parë, për gazsjellësin ruso-gjerman që vrapon nën detin Balltik, duke i ardhur rrotull Ukrainës, e që kur të hyjë në veprim do t’a bënte udhëheqësin e Kremlinit zotëruesin e vërtetë të furnizimeve energjetike evropiane. Dukej se Putini e kishte fituar ndeshjen, mbasi në maj Joe Biden, n’emër të aleancës me Berlinin, kishte vendosur të mos përsëriste sanksionet jashtëterritoriale kundra ndërmarrjeve që merrnin pjesë në projektin, duke i hapur kështu rrugën plotësimit të strukturës gjatë verës. Dukej se vërtetimi i Autoritetit gjerman për rrjetet dhe provimi i mëtejshëm i Komisionit evropian, do t ‘ishin vetëm dy kalime vetëm formale.
Sigurisht, ndonjë pengesë e vogël ishte, në kuadrin e ligjshmërisë së bashkësisë, së cilës i nënshtrohet çdo gazsjellës që hyn në territorin e BE. Ajo detyron, ndërmjet gjërave të tjera, t’ashtuquajturin “unbundling”, pra ndarjen e rreptë ndërmjet kompanisë që prodhon, t’asaj që transporton e t’asaj që shpërndan gazin. Është e kundërta e asaj që bën Gazpromi, monopolisti i Shtetit rus. Kështu, më 16 nëntorin e shkuar Bundesnetzagentur-a kishte pezulluar dëshmimin e Nord Stream AG, shoqëria që ndërton impiantin, sepse nuk i është nënshtruar së drejtës bashkësore, duke mbajtur selinë ligjore në Zvicër. Megjithatë dukej si një pengesë e parëndësishme dhe e zgjidhshme: zërat qarkullonin se rregull kërkuesit do të ishin kënaqur me një shoqëri ndihmëse të krijuar enkas nga Gazpromi në Gjermani dhe e caktuar të mbarështonte pjesën gjermane të Nord Stream 2.
Por, pastaj ndodhën dy gjëra. E para që në Berlin u vendos një qeveri e re federale, nën kancelarin Olaf Scholz, me socialdemokratët, liberalët e mbi të gjitha të gjelbërtit, që prej kohësh kanë kundërshtuar gazsjellësin. E dyta është që kriza ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përsëri u rëndua, përballë kërcënimit të vërtetë apo të pandehur të mësymjes ushtarake nga ana e Putinit.
Ky skenar lufte ka shtyrë Scholzin dhe rishministren e Jashtëme Annalena Baerbock për të vendosur një “lidhje” ndërmjet krizës ukrainase dhe Nord Stream 2, siç kishin kërkuar aleatët amerikanë: nëse Rusia do të dhunojë integritetin territorial të Kievit, gazsjellësi do të bllokohej përfundimisht. Koncepti është ritheksuar dje nga zëvendës kancelari Robert Habeck, simbas të cilit përballë një agresioni “asgjë nuk do t’ishte e pamenduar” përsa i takon pasojave.
Por fakti i ri nuk është aq kundërveprimi i mundshëm ndaj një akti lufte (të pamundshëm) të Putinit. Tani kuptohet sepse në 177 faqe të marrëveshjes së qeverisë ndërmjet PSD, PL e të Gjelbërvet Nord Sream 2 as që përmëndet. Në të vërtetë është argumenti juridik formal që e ka vënë në ujdi qeverinë e Berlinit, duke i dhënë të gjithë ortakëve një motivim, në dukje të thatë. Më parë Baerbock, pastaj Scholz e dje së fundi Habeck, kanë përsëritur se gazsjellësi nuk mund të hyjë në veprim, sepse nuk respekton rregullat e konkurrencës në fuqi në BE. Një kryevepër dhelpërie, ajo e Scholz-it, që për këtë dhe tema të tjera si Reforma e Paktit të qëndrueshmërisë do të flasë sot në Romë me Mario Draghin: “Bëhet fjalë për një projekt ekonomik privat dhe duhet të respektojë të drejtën komunitare. Mbi këtë vendos në mënyrë krejtësisht jo politike një autoritet gjerman”. Vetëm me një fjali, kancelari i ri ka hedhur n’erë një copë të Ostpolitikës të dëshiruar nga shoku i partisë Gerhard Schröder dhe gjashtëmbëdhjetë vjet mos pranimi nga ana e Anxhela Merkel-it për t’a vënë në diskutim projektin.
Konkretisht, Bundesnetzagentur-a ka vënë duart përpara duke thënë se mbi transportin e gazit nuk mund të vendosë më parë se gjysma e vitit tjetër. Pastaj u takon burrecëve të Brukselit të rishikojnë proçedurën gjë që do të kërkojë kohën e saj. Siç thuhej në fillim, janë kode dhe tekste ligjesh të Bashkimit evropian, që po i japin shah matin e parë Vladimir Putinit. Do të shohim cila do të jetë lëvizja e tij e fundit.
“Corriere della Sera”,
Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale