Xhetan Ndregjoni ka treguar se mbesa e tij Eva ndodhet në kampin Al HaWl. Ai ka thënë për A2 se e pikasi vajzën tek reportazhi i realizuar nga ky televizion dhe se nga ana tjetër edhe ajo i ka pohuar se në kamp kanë qenë gazetarë shqiptarë.
Ndregjoni ka treguar më tej se Eva, 14 vjeçe dhe Endriti, 11 vjeç u dërguan në Siri nga babai i tyre Shkëlzeni, i cili luftonte për ISIS.
“Kishim një sebep në familje, kunati, Shkëlzeni, kërkoi të merrte fëmijët dhe të ikte deri në Malin e Zi. Mbaruam sebepin, por nuk po ndjehej më njeri se ku ishin fëmijët. Revokuam prokurorën që kishte dhënë motra për të dalë nga vendi. U shpallën fëmijët në kërkim nga Interpoli”, tregon Xhetani.
Ai ka treguar më tej se është i dëshpëruar për këtë rast dhe se motra e tij qan çdo minutë për fëmijët. Teksa ka thënë se do të bënte çdo gjë për nipin dhe mbesën, ai i ka bërë apel shëtit që t’i shpëtojë.
“I rrëmbeu i ati. Shteti ka të gjitha mundësitë, me të gjitha asetet e veta. Një gazetar shkoi i vetëm të takojë shqiptarët në çadra, si të mos ketë shteti mundësi. Ne po kërkojmë rezultatin si të Alvinit. Gazetari juaj tha që po i lëmë shqiptarët në zonën më të rrezikshme. Duhen shpëtuar ata fëmijë. Shteti shqiptar duhet t’i blejë pafajësinë atyre fëmijëve”, tha ai./Gazeta Liberale