Letërsi

“Vila me tri porta”, deliri, vuajtja dhe e vërteta! 

Shkruar nga Liberale

Klodi Meshi 

Romanet me subjekte të ngjashme duket se lexohen shpejt; duke mësuar sesi kanë funksionuar kohët, atëhere ke të qartë vijimin e kjo i bën kryesisht të thjeshtë. Por në të vërtetë nuk është e thënë që në kohë moderne të na vijnë vetëm vepra të mira. Janë njerëzit e prirur për të transmetuar ç’ka kanë jetuar, kuptuar, ndjerë dhe arrijnë të na bëjnë me dije, se drama njerëzore nuk mund të kufizohet në përmasat e periudhës, as të ngjashmërive mes tyre apo kontekstit; ajo ka vetëdije personale me raste të admirueshme, gjë që si çdo mrekulli u është e lejuar të gjithëve.

Në romanin “Vila me tri porta” të Vera Bekteshit, jo se nuk ka ngjashmëri me ato që lexohen në rrjeshta të librave të tjerë, por mbetet i rëndësishëm fakti se është kërkuar të flitet me guximin që kërkon, përshkrimi i vuajtjes personale dhe i familjes, e strukturuar në një gjini letrare, roman. Mendoj se për të na bërë favor ne lexuesve Vila shkrimtare, (do ta quaj kështu Vera Bekteshin), ka zgjedhur këtë zhanër pothuaj delikat letrar, ndryshe nëse do të na kishte treguar gjithçka, nuk mund të mohohet se qenia humane është e prirur drejt një kurioziteti ndaj eksperiencës së të tjerëve dhe veçanërisht në rrethana të tilla do na vinte një ngjarje tragjike dhe Shekspiri nuk përben dot shembull në vendin tonë. Nga ana tjetër Vila shkrimtare, kërkon nga vetja të vijë para nesh si shkrimtare e jo si rrëfimtare në kuptimin rigoroz, si ai i ritit katolik. Ajo ka shpëtuar të shpëtueshmen e jetës së saj në internim. Ndoshta për faktin se njihte mirë persekutorët dhe forcën që loja e tyre mund të kishte përballë saj e miqve të saj, afër e larg vendit tonë, Vila shkrimtare i ka trajtuar me nënvlerë, si njerëz të këtyre mënyrave, të cilët përballë studimeve të saj si fizikane dhe siç pohon ndershmërisë së babait të saj, Sadik Bekteshi, i shkolluar në BS si ushtarak, ishin ata vetë që do të  dilnin të fituar, në një kohë të dytë. Vila shkrimtare  e di se lufta mes llojit është e ashpër, por ajo beson se lloji ka diferenca, e se ajo i takon pjesës që nuk  humb. Zygmund Bauman, në fund të një vëllimi të tij përmend shprehjen e famshme të Margaret Thatcher: “Ne banorët e Tokës, mund të zgjedhim ose të bashkohemi, ose të përfundojmë në një gropë të përbashkët”.

Romani “ Vila me tri porta” është nënvizuar të jetë autobiografik dhe ky nuk është një element marketingu në këtë rast, por pjesë e të vërtetës që Vila shkrimtare  mezi ka pritur t’a tregojë pas pothuaj 16 vjetësh internim në fshatrat e Beratit, mes baltës dhe shtypjes e presionit, që tashmë nuk i vinte drejtpërsëdrejti nga pardesytë e kryeqytetit, por i implementuar nga  vetë “fatkëqinjtë”, fshatarët e mjerë, të cilët Verës  “i dhimbsen”. Por edhe  nga vetë bashkëvuajtësit, që siç shpjegova më lart, Vera fisnikërisht  i ka kursyer por i ka përmendur. Vila shkrimtare krijon lidhje të mirëqena të lexuesit me personazhet. Ata janë njësoj, të dashur apo jo, edhe për ne; zhgënjimi nga shërbimi i kryer ndaj Sigurimit të Shtetit nga shoqja e ngushtë;  dhimbja kur ajo ikën nga Tirana me djalin e vogël dhe mënyra e drejtë që ajo i trajton ata, si një shfaqje marijonetash të rreckosura, fijet lëvizëse që mbajnë duken edhe më të shëmtuara nga ata të fshatarëve “të shkretë”.

Vera dhe Udhëheqësi

Tek “Ferma e kafshëve” të  G. Orwell, është nënvizuar kudo termi – udhëheqës; strategu që do të çojë përpara kafshët, me të gjitha mënyrat, mjafton të mos jenë në drejtim të dëbuarit, “dy këmbëshat”. “Katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq!”, thërrasin të ekzaltuara delet e Orwellit në çdo rast, por ai vetë duket pak. Në Vila shkrimtare, ndryshe nga Ferma e Orwellit, ai është përballur drejtpërsëdrejti me protagonisten Vera Bekteshi, duke i kallur asaj frikën gjatë një bisede me të, ku në fjalë ishte një emër i shquar i fizikës. A lidhet kjo me studimet  e tij të dyshimta, apo me hijeshinë dhe autoritetin femëror të Verës, apo edhe me ligësinë që shkakton suksesi i tjetrit tek këta specie, kjo nuk është fort e qartë, por ajo nuk ka folur dot më pasi vështrimi i tij e ka ngrirë, e ajo që duhet thënë është se udhëheqësi është shqetësuar prej saj.  Çdokush do të kujtonte se këta janë diktatorët të cilët nën sëmundjen e  "diagnozës pushtet”, shqetësohen, por diktatura do ishte titulli që zotat romakë i dhanë  Jul Cezarit, kur ai u solli atyre fitore të vërteta për Romën glorioze, e jo reduktimi i titullit.  Megjithatë Vila shkrimtare ka vendosur zyrtarisht të përdorë emërtimin orwellian për udhëheqësin, përshkrimi i të cilit ka joshur shumëkënd: “Një qëndrim të dashur në rrugë me fëmijët e bllokut”, apo edhe me të tjerë. Por nga ana tjetër edhe sjelljen e tij dinake ndaj të gjithëve me  aplikimin e goditjes pas shpine, e cila na është bërë e ditur që nga Këngët e Homerit. Vlen shprehja gazetareske,  “nuk bën më lajm”, përkundrazi është buzagazi i tij, pjesa e dashur e cila e bën figurën e tij qesharake, delirante. Por duke bërë një përshfaqje reale të situatës në kontekstin - komunikim, Vila shkrimtare kujton edhe komunikimin që bashkëshortja e udhëheqësit ka me të në një rast incidenti: “Është vrarë në kokë. Mirë t’i bëhet…!”, janë fjalët e saj që Vila shkrimtare i sjell në përforcim të kontekstit. Ajo ka folur në roman në mënyrë më vulgare sesa vetë  udhëheqësi i cili “di të qeshë”...

Vera mbetet  vajza që i njeh meritat babait të saj, një burrë malësor me një prejardhje, siç tregon ajo, të denjë për të justifikuar pozicionin drejtues të familjes së tyre në atë kohë; ajo mbart një përkushtim ndaj një gjykimi atëror duke mos e ndarë në bardh e zi çdo gjë, vec abazhurit të leximit të blerë diku jashtë, i cili te Bekteshët është i bardhë, ndërsa te Hoxha, bardh e zi. Pra ngjarjet që tejçojnë absolutisht ndjesinë e të vërtetës, të bëjnë të mendosh se ndëshkimet, veç konjukturave, kishin gjithnjë edhe linja personale; “shqetësimet nuk t’i falin ata, e për shkakun tënd jemi këtu”,  shkruan Vila shkrimtare duke cituar nënën e saj e cila është një juriste, ish- prokurore, e si e tillë bëhet “udhërrëfyesja e shpëtimit”. Ajo më mirë se kushdo i njeh mënyrat e tyre. Një gjysmë personazh tjetër nga të udhëheqësit, është edhe babai i tij, Mullai, për të cilin thuhet në roman se merrej me punët e fesë, por në underground duket se është krejt ndryshe; ai ironizon nisjen për në burg të Bedri Spahiut, prokuror, duke dalë nga petku fetar, pothuaj lakuriq. Në këtë pikë, gjatë leximit  m’u kujtua domethënia e  shprehjes së Umberto Eco-s, në një nga romanet e tij të fundit kur tregon se “…. pas gjithë kësaj, ata nuk kanë pse të jenë më socialistë”. Do ta kujtoj edhe herë të tjera në leximin e Vilës, Umberto Eco-n, i cili personalisht më ka pëlqyer në konkluzione paksa më shumë sesa në analiza.

Në “Hakmarrjen” e saj letrare ndaj udhëheqësit, Vera nuk i ka kursyer opinionet që rrethojnë mendime pozitive, në disa mënyra,  për numrin dy të pushtetit politik, Mehmet Shehun, ndaj djalit të tij të sakrifikuar pas të atit, Ladit (Vladimirit), por edhe shoqërisë së saj, të gjithë pjesë e nomenklaturës apo afër saj- juristë, shkrimtarë, ekonomistë, mjekë - të cilët jetonin shumë mirë në Bllok apo diku rrotull si pjesë e elitës së kuqe, por nuk ishin dakord me terrorin e udhëheqësit, që edhe sipas tyre, e tepronte në çdo rast. Është dëshpëruese situata me këta njerëz të vlerësuar, (ajo i nënvizon më shumë se një herë) për mirësine e tyre dhe jo pozitën  e prindërve, të cilën nuk e anashkalon. Fundja ata do të sakrifikoheshin për shkak të të dyjave, kur artikulojnë se po presin të aplikohet mbi ta “gjuetia e shtrigave” e thurur prej Atij, i cili në Vila është gjithnjë i akuzuar për pushtetin absolut. Vera ndjen dhembje për Ladin që shkoi, Spartakun që u burgos etj, por është shumë interesant fakti se ajo nuk pret shumë mbështetje prej tyre, as ata prej saj, ndryshe nga ç’kam mundur të lexoj, dëgjoj e jetoj mbi persekutimin e shtresave të tjera të shqiptarëve, të cilët të shokuar nga goditja e të paudhit (po e përdor unë këtë term), kanë tentuar të kërkojnë ndihmë te prifti, te miku, te Zoti, apo te dikush që mund t’u shpjegonte të paktën, se pse ndodh kjo, përse  atij po i bëjnë këtë, duke justifikuar kështu diferencën e madhe mes tyre, limitin, atë që nuk i bëhet tjetrit, edhe nëse nuk e do si veten. “Mo bre!”, është fraza që e kam hasur jo vetëm në librin e Verës, - refuzimin që malësori i ka bërë dhunës, duke  tentuar t’i kthejë të paudhët në arsyetim. Edhe në atë momentin e tij të skajshëm, ai është më i fortë se Ata, ai gati e do tjetrin, njësoj si veten, ai është i epërmi. “Na nën dhe e ju mbi dhe, ma të fortë jena na”, tha At Anton Luli, një prej martirëve të Kishës Katolike, në këtë vend.

***

Ndër format që Vila përdor për t’u autobiografuar, është mënyra sesi Bekteshët po mbijetonin e  do të vijonin pra të trashëgoheshin. Këtu është shumë e dukshme forma parësore, ajo etike. Ajo e ka ruajtur familjen e saj nga përlyerja me ata; shembulli i mamasë që nuk pranoi ndarjen nga babai, apo edhe i vëllezërve punëtorë e të drejtë që edhe në internim,  do të thoshte një lloj qenieje njerëzore pothuaj inekzistente, Guxi, një figurë e dashur, por edhe vëllai i saj i vogël, i treguan padrejtësisë grushtet e tyre të vërtetë prej geni të fortë. Për pasojë të kësaj forme etike, Zana, motra e Verës, martohet me një djalë të pafajshëm fshati me emrin Ferdi, i cili e thotë hapur e me admirim se ka dëshirë të bëjë fëmijë të bukur me Zanën. Tek vetë ajo, ka një shenjë tjetër trashëgimia; ka shenjën e një fëmije i cili do të mbetet me të gjithnjë, si pasqyrë e asaj që Vera dhe Bekteshët kanë kaluar, por që ndryshe prej tyre ai është i dëliri, që prej fëmijërisë e deri në moshë madhore.

Një tjetër formë e sjellë si etikë e pastër, është ajo e takimit të Guxit, në burg, me vejushën. Guxi mbeti ai që kërkon të përballet me të keqen, ka një prirje të njerëzve të cilësuar të drejtpërdrejtë, për ta parë trajtën që ka e keqja, të tjerë e shmangin. Përballë kërkesës së Guxit, në burgun demokratik tashmë, Vila shkrimtare tregon qëndrimin e termit klasik “armik i klasës”, e se për të asgjë nuk ka ndryshuar, ashtu si edhe  zgjedhjet demokratike në kooperativë, pas 1990-ës.

Vera Bekteshi, si shumë shkrimtarë të tjerë, fëmijë të prindërve “mëkatarë”, gjen rastin të bëjë me të emën, ish-prokurore, një debat, ku e akuzon në një farë mënyre; bën në të njëjtën kohë katarsisin e familjes së saj, për atë fshehjen e justifikimin pas ideologjisë e cila - “Ja çfarë prodhon!”.

Mendoj se “Vila me tri Porta” do të mbetet në bibliotekat e shqiptarëve pasi, si çdo gjë që vjen prej të vërtetës, ka vlerë.

Romani i zonjës Bekteshi, është tipik i një gruaje të emancipuar të kohës që pothuaj e kemi kaluar, por jo i çdo të tille. Asaj i pëlqen t’a shënojë veten në roman me qëndrimin karakterial, që i shkon përshtat me stilin e shkrimit, por edhe formimin e saj prej fizikanteje. Ajo është e drejtpërdrejtë, e saktë, madje edhe atje ku kërkon të nënkuptohet diçka e thotë qartë, duke fshehur haptazi domethënien. Jo çdo përleshje me dhunën triumfon si në rastin e Vera Bekteshit, e cila ashtu siç thotë Nietzche, u mor me veten e jo me njerëzit, pasi këta “të çmendin”.

Jo aq për të justifikuar faqet e romanit sesa 16 vitet e internimit, Vera i ka dhënë rëndësi edhe marrëdhënieve me fshatarët e zonës, duke e pasuruar romanin me epitete, metafora e me dialektin tipik myzeqar të zonës i cili, i vënë në gojën e marionetave, tingëllon qesharak; për t'a përcjellë me moralin e shprehjes së Tolstoit, “…nëse ata do t’i nxjerrim nga konteksti, ata do të “vdesin". /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH