Prej vitit 2015, kur Bashkimi Europian bëri shpalljen e parë të Erasmus, Universiteti Europian i Tiranës u bë pjesë e tij. Tashmë që kjo thirrje po mbyllet, për t’i hapur rrugë një tjetër thirrjeje 7 vjeçare, UET ka dërguar mbi 300 studentë dhe 250 staf në universitetet europiane, si dhe rezulton pjesëmarrës në 16 projekte të Ersmus+ dhe në një prej tyre është lider. Në datat 15 dhe 16 tetor, UET organizoi Erasmus Days 2020, dy ditë të mbushura me aktivitete, ku u prezantuan projektet e përfunduara, u ndanë opinione dhe eksperienca mbi rezultatet e arrritura, si dhe u informuan studentët mbi mundësitë dhe përfitimet që vijnë nga kjo eksperiencë e veçantë.
Erasmus + është programi i Bashkimit Europian që mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Buxheti i tij prej 14.7 miliardë eurosh ju siguron mundësi mbi 4 milion evropianëve për të studiuar, trajnuar dhe për të fituar përvojë jashtë vendit ku jetojnë dhe studiojnë. Për të katërtin vit radhas, që prej vitit 2017, që shënoi 30 vjetorin ekrijimit të programit të Erasmus, çdo tetor organizohet Erasmus Days, duke vënë 3 ditë në dispozicion të përfitueseve të këtij programi, që të prezantojnë dhe të bëjnë të njohura publikisht projektet, rezultat dhe ndikimin e punës së tyre.
Për këtë arsye, edhe Universiteti Europian i Tiranës, i cili tashmë prej 5 vjetësh është pjesë e projekteve të Erasmus +, organizoi në ambientet e kampusit Erasmus Days 2020, dy ditë të ngjeshura me aktivitete, prezantime, publikime projektesh, paraqitje e punës së kryer dhe rezultateve pozitive të arritura, ndarje ekseriencash, si dhe informim të studentëve mbi gjithçka çka mund të përfitojnë duke aplikuar në këto projekte.
Dr. Ketrina Çabiri Mijo, e cila për më shumë se 9 vjet ka punuar në Zyrën për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet në Universitetin Evropian të Tiranës dhe aktualisht e drejton atë, tregon më tepër rreth këtyre dy ditëve që UET i kushtoi Erasmus Days 20202, që ndryshe quhet edhe “festival aktivitetesh”, për larminë dhe facilitetin që krijohet në ndjekjen e tyre.
“Ne krijuam një lloj kalendari aktivitetesh, që në fakt e quajmë festival, sepse ato ndodhin paralelisht. Personat mund të ndjekin një aktivitet apo një tjetër, ose me kohë të pjeshmë disa, në ambiente të ndryshme të UET dhe të mësojnë se çfarë bëhet në një projekt apo në një tjetër. Për projektet kryesore, të cilët kanë edhe rezultate deri më sot, u organizuan aktivitete të ndryshme, ku anëtarët e projektit dhe sektorëve të ndryshëm u bashkuan dhe diskutuan për hapat e hedhur, arritjet, apo për mundësi të tjera rrjetëzimi, sepse një projekt duhet të pasohet gjithmonë me një tjetër.
Në krye të gjithë kësaj, ishte panairi tek holli, një panair me të gjitha materialet promovuese, dedikuar projekteve, i cili qëndroi i hapur në të dyja ditët e festivalit. Data 16 tetor, iu kushtua vetëm studentëve, pjesë e shkëmbimeve, për të treguar se çfarë thirrjesh u fituan sivjet dhe për t’iu krijuar atyre një lloj vizioni që këto janë vendet e fituara dhe mundësitë. Në një farë mënyre shërben për t’i nxitur që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj eksperience”, tregon Mijo.
Këto aktivitete nuk u ndoqën vetëm nga studentë, staf i universitetit apo pjesëmarrësit në projekte. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Delegacioni Europian në Tiranë, zyra e Eramus+ në Shqipëri, e cila quhet NEO (National Erasmus Coordinator), me drejtuese Ada Rama, si dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit.
UET në Erasmus
Erasmus është pasrendësi i Tempus-it, një tjetër program i BE-së, i cili ka mbaruar në 2014. Tempus promovoi bashkëpunimin institucional midis BE dhe vendeve partnere dhe u përqendrua në reformën dhe modernizimin e sistemeve të arsimit të lartë në vendet partnere të Evropës Lindore, Azisë Qendrore, Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Mesdheut. Pjesë e tij ka qenë edhe UET-ja. Në vitin 2014 u hap thirrja e parë 7 vjeçare e Erasmus, ku miliarda euro u vunë në dispozicion për promovimin e arsimit dhe edukimit, për të rinjtë, për grupe të marxhinalizuara, por edhe për të rritur.
Në vitin 2015, UET doli fitues në dy projekte fillestare, ndër të parat që u lançuan, Finac dhe ReBus. Këto projekte zgjatën 3 deri në 4 vite, duke u mbyllur në këtë periudhë. Drejtoresha e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET, Dr. Ketrina Çabiri Mijo sqaron se Shqipëria akseson te Erasmus në disa skema, por dy janë më kryesoret.
“Është ajo që ne e quajmë “Key action 1”, ose aksioni kyç një, që ka të bëjë me shkëmbimin e studentëve dhe stafit. Aktualisht UET ka mbi 150 marrëveshje ndërinstitucionale, të cilat i përdor me universitetet e huaja në Europë, me të cilët shkëmben staf dhe studentë. Skema e dytë është “Key action 2”, ose aksioni kyç dy, ku janë projekte të mëdha me konsorcium nga 10 në 16 partnerë. Bëhet fjalë për projekte në rreth 1 milion euro për të gjithë këta partnerë dhe pastaj ndahet për secilin 100 mijë euro, pak a shumë. Përfitimi është se vendet partnere siç jemi ne, Mal i Zi, Kosova, Bosnja, përfitojnë edhe infrastrukturë, pajisje. Deri në sot UET ka përfituar diku deri në 600 mijë deri në 700 mijë euro pajisje vetëm përmes programeve Erasmus, që në fakt janë përkthyer në laboratorë, në biblioteka online, ose në sisteme softuerë, që UET i ka përdorur për mësimdhënie dhe didaktikë”, tregon Mijo.
UET është pjesë e 16 projekteve, me një fond që kap shifrën prej 2.5 milionë eurosh dhe është lider vetëm në një projekt. Ky projekt quhet e-VIVA dhe synon të evidentojë kompetencat më themelore për ekonominë e shërbimeve dhe do të kontribuojë në një transparencë më të lartë të tyre, për studentët, mësuesit, punëdhënësit dhe çdo institucion tjetër të interesuar. Projekti 3 vjeçar me fond 1 milion euro, ka 16 partnerë nga të cilët dy janë shqiptarë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe Universiteti i Tiranës. Ketrina Çabiri Mijo, e cila drejton këtë projekt, e quan një sfidë të madhe për veten dhe institucionin.
“Tani është viti i dytë i projektit dhe po futemi në vitin e tretë dhe të fundit dhe është projekt që i jep jo vetëm UET, por gjithë Shqipërisë, e cila po bëhet lider në 3-4 projekte të tilla aktualisht, Është shumë kredibilitet për institucionin, sepse ti menaxhon një fond dhe lidh një marrëveshje 1 mln euro me BE. Je ti përgjegjës për çfarëdolloj pune dhe çfarëdolloj shpenzimesh që bën konsortiumi yt, që nuk janë pak janë 16 partnerë duhet t’i menaxhosh të gjithë dhe kjo është një sfidë shumë e madhe. Por kjo i hap rrugë besueshmërisë dhe bashkëpunimit të BE me institucionin përkatës”, shprehet Mijo.
Ndërkombëtarizimi në UET
Një element i rëndësishëm, i diktuar nga zhvillimet e kohës, dinamika me të cilën bota ecën dhe zhvillohet, dhe kryesisht arsimi i lartë, është ndërkombëtarizimi. Një proces i tillë shkëmbimi sjell përfitime për të gjitha palët, në një proces zinxhir në të mirë të individit, institucionit dhe shoqërisë. Ndërkombëtarizimi i arsimit është mjaft i evidentuar dhe vlerësuar nga UET, ku dhe në kuadër të bashkëpunimit me Erasmus, ky proces është zhvilluar dhe shtrirë më tej. Përgjatë këtij 5 vjeçari që UET është bashkangjitur Erasmus, janë marrë mbi 1.2 milionë euro grante, në formë bursash, për studentët dhe stafin e UET-së. Kështu, mbi 300 studentë kanë zhvilluar një apo dy semestër mësim në një universitet europian, ndërsa mbi 250 pedagogë kanë përfituar nga shkëmbimi i eksperiencave, duke prekur auditorët e universiteteve të tjera. Po ashtu, në këtë proces shkëmbimi, mbi 45 studentë nga Polonia, Spanja, Itali, Portugali dhe Europa Veriore kanë ardhur në UET.
Drejtoresha e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet në UET, tregon mënyrën sesi funksionon skema për dërgimin e pedagogëve dhe studentëve në universitetet europiane, me të cilët lidhen marrëveshje ndërinstitucionale.
“Pasi hapen thirrjet në departamente, pedagogu aplikon me një dosje tek Zyra e Projekteve dhe lidhet me një pedagog në universitetin pritës, i cili e lejon të zhvillojë modulet e veta. Pra modulet duhet të jenë të ngjashme. Për pedagogët është më shumë një qasje formale dhe një bashkëpunim ndërinstitucional ose vetjak që ata bëjnë”, thotë Mijo.
Ndërsa sa i përket pjesës së studentëve, Mijo thotë se UET është një lloj pionieri në këtë drejtim, sepse ka nxjerrë një seri urdhëresash dhe rregulloresh për studentët që lëvizin me Erasmus. Po ashtu, UET ua ka lehtësuar shumë procesin dhe ua ka bërë më të lehtë përshtatjen gjatë shkuarjes në një universitet të huaj, duke e asistuar në guidë nëpërmjet broshurave që iu jepen studentëve, por edhe duke e ndihmuar në kthim, që viti akademik të mbyllet me sukses. Erasmus ka një rregullore te përgjithshme dhe janë vetë universitetet që nënshkruajnë marrëveshje dhe përcaktojnë pikat e bashkëpunimit.
Sa i përket aplikimit të studentëve, procedurat që ndiqen janë fikse dhe nuk ndryshojnë. Me hapjen e thirrjes në një departament apo fakultet, studentët lajmërohen jo vetëm në mediat sociale, por edhe nëpërmjet një email. Studentët që duan të bëhen pjesë e Erasmus, aplikojnë tek Zyra e Projekteve me një sërë dokumentesh, si: listë notash, CV, learning agreement, një dokument që tregon dakordësinë e lëndëve që zhvillohen jashtë dhe njihen pastaj kur të kthehet studenti, etj. Po ashtu, studenti i nënshtrohet një interviste në gjuhën angleze dhe kjo bëhet për të parë njohuritë e tij në këtë gjuhë dhë nëse është mjaftueshëm për të ndjekur studimet jashtë. Universiteti pritës miraton kërkesën dhe studenti vazhdon mësimin. Pas kthimit në UET, studenti duhet të ekuivalentojë lëndët, për të vazhduar sërish studimin në semestrin apo vitin pasardhës.
Një tjetër komponent që nuk lidhet drejtpërdrejtë me Erasmus, por që rrjedh nga bashkëpunimet me Erasmus, janë edhe diplomat e përbashkëta ose të dyfishta. UET i implementon për herë të parë dhe ka marrëveshje me disa vende, Suedi, Gjermani dhe SHBA. Deri tani janë dërguar 3 studentë, ndërsa këtë vit pritet të shkojnë 6. Këta studentë marrin një diplomë nga UET dhe një diplomë nga universiteti ku shkojnë, duke dalë kështu me dy diploma.
Përfitimet e studentëve nga Erasmus
Në fakt, çdo lloj shkëmbimi në fusha të ndryshme, jo vetëm arsimore, por në të gjitha fushat e jetës, sjell përfitime të vyera e të pazëvendësueshme, për zhvillimin e një personi. Ky përfitim ndoshta është pak më i madh për studentët, sepse shkojnë me qëllimin për të mësuar jo vetëm në auditore, por për të mësuar nga njerëzit, nga vendi, nga kultura etj. Dhe mbi të gjitha është një eksperiencë që aftëson të rinjtë të jetojnë vetëm, në një vend të huaj dhe të gjejnë mekanizmat e duhura pë të t’u përshtatur dhe për të marrë më të mirat prej atij vendi.
Drejtoresha e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet në UET, e cila në fakt vetë ka një eksperiencë të tillë me Erasmus, pasi ka zhvilluar një semestër në Suedi gjatë studimeve të saj, tregon se ky është një proces vetë-transformues, që krijon një mendësi tjetër.
“Ti transformohesh si njeri, ke një tjetër mendësi në momentin që vete dhe ndjek një 6 mujor apo edhe një vit. Hyn në auditorë të reja, takon disa njerëz të tjerë, nga ana kulturore por edhe akademike ti tjetërsohesh pozitivisht, mëson të jetosh vetëm, etj. Së dyti, vlera e diplomës që ata kanë, bashkë me një suplement që i bashkëngjitet diplomës që marrin në UET, është shumë më mirë se dikush që nuk e ka këtë suplement. Së treti, nga pikëpamja ekonomike krijohet një lloj lehtësie sepse çdo gjë është e mbuluar financiarisht”, tregon Mijo.
Studentët që përfitojnë bursën Erasmus përfitojnë fonde në dy drejtime, për udhëtimin dhe shpenzime për jetesën. Sigurisht që udhëtimi vajtje-ardhje paguhet vetëm një herë dhe për vendet që janë në të njëjtën largësi sa Spanja, kap shifrën e 275 eurove. Për vendet si Portugalia, Norvegjia që janë më larg, kjo shifër shkon në 365 euro.
Sa i përket pjesës së shpenzimeve jetësore, shkon në 800-850 euro për muaj, sidomos për vendet më të largëta me Shqipërinë, dhe kjo shifër mund të zbresë deri në 600 euro, kur bëhet fjalë për shkolla dytësore në Itali apo Greqi që janë edhe më afër. Studenti nuk duhet të deklarojë shpenzimet, mjafton që të jetë aktivë dhe të ndjekë studimet.
Përfitimet e UET nga Erasmus
Drejtoresha e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet në UET, Ketrina Çabiri Mijo tregon se nëpërmjet projekteve të Erasmus krijohen mundësi shumë të mira për rrjetëzimin, por edhe përthithjen e fondeve. Siç sqaron ajo, nën momentin që hapet një thirrje dhe vendosen në dispozicion disa miliona euro, askush nuk i dhuron këto para, por janë vetë institucionet arsimore, që paraqesin aftësinë e tyre për të krijuar dhe menaxhuar si duhet fondet, në kuadër të një ideje themelore që zbatohet në një praktikë të vyer për studentin apo shoqërinë, në varësi të fokusit që është vendosur. E në këtë kuadër, UET ka ditur të jetë mjaft largpamës.
“UET e ka kuptuar logjikën dhe ka qenë vizionar dhe sot merr përfitimet e asaj kohe kur ka investuar. Në fillim ka krijuar një zyrë të brendshme me krejt financimet e veta, tek e cila investonte shumë më shumë sesa mund të përfitonte, ndërsa sot kjo zyrë ka krijuar pavarësinë e vet. Nëse e bëjnë të gjithë këtë, kam përshtypjen se Shqipëria do të ecë shumë përpara”, tregon Mijo.
Përfitimi tjetër ka të bëjë me krijimin dhe zgjerimin e bashkëpunimeve. UET është pjesë e 16 projekteve, ku secili projekt ka deri në 16 partnerë, kështu që duke punuar me këta partnerë, duke krijuar besueshmëri, realizohen ende marrëveshje të reja dhe shkëmbime mes tyre.
“Kjo i jep universitetit shumë besueshmëri, i jep mundësi për rrjetëzime dhe përfitime të tjera. Nuk është pak për ta përmendur, por i jep mundësi edhe për të bërë PR, për të rritur kredibilitetin e vet në sytë e të tretëve, qofshin studentë, apo biznese etj”, thekson Mijo, teksa shton se me hapjen e thirrjes së dytë, do të rriten fondet për projektet dhe shkëmbimet, duke krijuar oportunitete të reja si për institucionin por edhe për studentët.
Pak histori mbi Erasmus
Programi mban emrin e Desiderius Erasmus, (lindur më 27 tetor 1469 Roterdam, Hollandë dhe që vdiq më 12 korrik 1536, Bazel, Zvicër), humanist holandez që ishte studiuesi më i madh i Rilindjes Veriore, redaktori i parë i Dhiatës së Re, dhe gjithashtu një figurë e rëndësishme në patristikën dhe letërsinë klasike.
Programi origjinal Erasmus filloi në vitin 1987, si një program shkëmbimi për studentët e arsimit të lartë, duke përfshirë 3000 studentë nga 11 vende të BE. Ky program u zhvillua dhe zgjerua më tej dhe prej 2017 u bë Erasmus+, duke përfshirë mbi 30 vende.
Arkitektura themelore e programit ka mbetur krejtësisht e njëjtë që nga fillimi i tij, megjithëse Erasmus + tani gjithashtu përfshin elementë të programeve të tjera evropiane që kishim nisur, veçanërisht Comett dhe Lingua. /Gazeta Liberale