Aktualitet

EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Mësuesi ç’ka qenë, ç’është e ç’mund të bëhet

Shkruar nga Liberale
EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Mësuesi ç’ka qenë,

Klementin Mile

Mësuesi është akrobati i kohës sonë. Termi ‘akrobat’ ka ardhur në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera europiane nga greqishtja e vjetër. Akrobatos do të thotë të ecësh në majë të gishtave dhe të ngjitesh lart. Mësuesi sot qëndron në këmbë me orë të tëra kur jep mësim, por jo sepse nuk arrin të frymëzohet kur është ulur; në fakt, këtë e bën për të kapur sadopak vëmendjen e nxënësve dhe studentëve dhe për të ruajtur rendin në klasë. Mësimdhënësit sot i kërkohet të përdorë metoda interaktive, Poëerpoint, filma, metafora, anekdota, humor dhe ilustrime sa më tepër. Me fjalë të tjera i kërkohet të kënaqë audiencën e nxënësve dhe studentëve, ashtu sikundër akrobatët e kënaqin audiencën e tyre duke ecur mbi një litar në majë të gishtave. Supozimi është se audienca e kënaqur arrin të nxërë më tepër. Por në fakt, siç më ka ndodhur kur shpjegoja konceptin e vetes thelbësore në lëndën e Filozofisë dhe përdora metaforën e qepës, për të treguar që vetja nuk ka thelb, kur i pyeta studentët në provim për konceptin e vetes thelbësore, më dhanë si përgjigje vetëm metaforën e përdorur dhe asnjë lloj përkufizimi apo analize. Krejt të kënaqur dhe aspak të nxënë.

Por si dhe pse kemi arritur në këtë pikë kur mësuesit i kërkohet të jetë akrobat? Sigurisht, akrobacia si zgjidhje vjen nga mënyra e formulimit të problemit. Kështu, filozofi francez Finkielkraut, në librin e tij Disfata e mendimit, e formulon problemin e pedagogjisë duke e kontrastuar shkollën me studentin. Sipas tij shkolla është institucion modern, ndërsa studenti është post-modern. Me fjalë të tjera, shkolla i mëshon detyrës, thotë ‘duhet’, ndërkohë që studenti drejtohet nga dëshira, thotë ‘dua.’ I formuluar si konflikt, problemi pedagogjik i përcjelljes së dijes nga njëri brez te tjetri, ka vetëm dy zgjidhje potenciale: ose shkolla do të bëhet jashtëzakonisht autoritare, e rreptë dhe e dhunshme për t’i mësuar studentit atë që duhet, ose shkolla do të bëhet akrobatike duke iu nënshtruar dëshirave të këtij të fundit. Të dyja zgjidhjet përdoren, por shumë më gjerësisht është përhapur kjo e dyta.

Çështja është se të dyja këto zgjidhje janë disfunksionale. E para dhunon, por nuk mëson, ndërkohë që e dyta kënaq, por edhe ajo nuk mëson. Dhuna bën të triumfojë një shkollë pa studentë dhe akrobacia bën të triumfojnë studentët pa shkollë. Ky problem është i pazgjidhshëm nëse vijon të formulohet ashtu siç propozon Finkielkraut. Përveç të tjerash, teza që shkolla është moderne dhe studenti është postmodern, nuk i qëndron as termave të vet. Kështu, a nuk ka qenë shkolla gjithmonë moderne, a nuk është prirur t’i mëshojë gjithmonë detyrës, asaj çka duhet mësuar? Dhe nga ana tjetër, studenti a nuk ka qenë gjithmonë post-modern, i prirur të vendosë dëshirën mbi detyrën? Ky konflikt, pra, nuk është i sotëm, por ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë. Fakti që në të kaluarën ky konflikt zgjidhej me sukses duhet të na bëjë të mendojmë se ku po gabojmë. A mos ndoshta duhet ta riformulojmë problemin e pedagogjisë, jo më si konflikt ndërmjet shkollës dhe studentit, por si një problem që lidhet me konceptin që kemi për mësuesin dhe mësimdhënien?

Filozofi gjerman Heidegger thotë që mësimdhënia është një dhënie, një ofrim. Por ajo çka ofrohet në mësimdhënie nuk është gjëja e nxënshme, pasi studenti thjesht udhëzohet të nxëjë atë që e ka tashmë. Në rast se studenti merr një gjë që i ofrohet, ai nuk nxë. Ai nxë vetëm kur e përjeton atë çka merr si diçka që e ka brenda vetes. Prandaj mësimdhënia nuk do të thotë gjë tjetër veçse t’i lësh të tjerët të mësojnë, ta sjellësh njëri-tjetrin te nxënia. Mësimdhënia, thotë Heidegger, është më e vështirë se mësimnxënia. Kjo pasi vetëm ai që mund të nxëjë vërtet – dhe për aq kohë sa mund ta bëjë këtë – vetëm ai është i aftë për të dhënë mësim. Mësuesi i vërtetë dallon nga nxënësi vetëm prej faktit që mësuesi mund të nxëjë më mirë dhe e dëshiron më sinqerisht nxënien. Gjatë mësimdhënies, është mësuesi ai që mëson më tepër.

Sot jemi larg konceptit të Heidegger-it. Mësuesi shihet si i gjithëditur dhe po kështu e sheh veten.

Arroganca e të gjithëditurit pastaj përcillet në komunikimin me nxënësit dhe studentët, të cilët trajtohen si tabula rasa, si plastelinë që pret pasivisht t’i japësh formë sipas interesit, axhendës dhe objektivave. Natyrisht, kjo nuk kalon pa vënë re te studentët dhe pasoja dihet: ata refuzojnë të nxënë. E në këto kushte, kur nuk i lë të tjerët të mësojnë, nuk është zgjidhje as akrobacia. Ajo i ngjan asaj historisë që tregon për Sokratin, filozofin e shquar grek, i cili një ditë takohet me një sofist. Sofisti e pyet: ‘Po vazhdon të rrish ende aty në rrugë, duke thënë të njëjtën gjë për të njëjtën gjë?’ Sokrati i përgjigjet: ‘Po, këtë po bëj. Po ti, që je aq shumë i zgjuar, si ka mundësi që nuk thua kurrë të njëjtën gjë për të njëjtën gjë?’ /Liberale.al

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH