Editorial

Edhe Rama “tundohet” nga Basha

Shkruar nga Liberale
Edhe Rama “tundohet” nga Basha

Shpendi Gashi

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Më në fund Rama i kundërpërgjigjet Bashës dhe mbledhjeve të tij, me një miting masiv, ku binte në sy mbi të gjitha gjenialiteti i përdorimit të imazhit.

Mitingu, jo më kot u krye në një fushë futbolli ku simpatizantët shpërhapeshin me valë rrethore. Pamjet nga lart tregonin një koreografi mjaft simetrike dhe për hir të së vërtetës shumë tërheqëse për syrin.

Afërmendsh, në opinionin publik kjo performancë do të krijonte disa qasje antagoniste. Kahet ndahen në ata që e pëlqejnë dhe në ata që nuk e pëlqejnë. Kundërshtarët e PS-së dhe kreut socialist, paraqitën si tezë dystandardësinë e Ramës kur bëhej fjalë për grumbullimet masive, teksa në njërën anë akuzonte opozitën si të papërgjegjshme dhe tanimë është vetë që organizon grumbullime masive. Sipas tyre edhe pse distanca mund të dukej sikur ruhej, në protokollin e AntiCovid-it nuk lejohen grumbullimet me më shumë se 10 vetë.

Vetë Rama dhe përkrahësit e tij janë të bindur se gjithçka është konform protokolleve përkatëse. Distanca ishte e ruajtur, hapësira ishte e mjaftueshme dhe në ajër të hapur.

Gjithë diskutimet që mund të ngrihen mbi çështjen nuk bëjnë asgjë tjetër pos se arrinë aty ku Rama do, tek qëndra e vëmendjes dhe sfumimit të figurës së kundërshtarit.

Të gjithë po flasin për fushatën e sotme të PS-së! Fundja qëllimi u arrit.

Përpos pamjes vizuale, e cila tashmë thjesht afirmon edhe njëherë artisticizmin e Kryeministrit, spikatën edhe disa elemente të cilët në trajtën e simbolikës flasin shumë për fushatën e Partisë Socialiste dhe funksionimit të saj të brendshëm e mandej edhe në krye të vendit.

Së pari, identifikohet një disiplinë gati gati ushtarake në gjithë duartrokitjet e simpatizantëve të PS-së. Në momentin kur Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, bënte thirrje për të brohoritur e duartrokitur, pas elozheve të ngritura ndaj kryetarit të vetë duke e quajtur edhe si mikun më të mirë të të rinjve, pjesëmarrësit si me komandë e me një gëzim dukshëm jo natural, ndoshta edhe nga fakti se po transmetoheshin direkt, u ngritën nga vendi dhe plotësuan komandën e dhënë.

Nëse e shikon nga pikëpamja elektorale, kjo nënkupton se elektorati socialist i bindet udhëzimeve apo komandave të krerëve të vetë, e cila në thelb tregon qëndrueshmëri në bazë, por njëkohësisht tregon, për s’di sa të sajtën herë, se sa piramidale dhe jo demokratike është Partia Socialiste në strukturën e brendshme.

Së dyti, është e qartë që Ramës nuk i ka ardhur fare mirë teksa shikonte grumbullimet masive të simpatizantëve të demokratëve. Pavarësisht të gjithë sulmeve për papërgjegjshmëri kundrejt kundërshtarit të vetë, u duk sikur imazhi i Bashës nuk u prish aspak, përkundrazi u krijua imazhi i frymës anti-Rama.

Këtë kreu socialist nuk e pranon dot. Kështu që Rama ndoqi taktikën aq shumë të përdorur tanimë, atë të difuzionit me qëllim thjeshtimin e figurës së kundërshtarit.

Me mbledhjen e sotme masive ai tregoi edhe njëherë se çfarë mbështetje ka Partia Socialiste dhe bashkë me të rrëzoi edhe konceptin e frymës që kërkon rrotacionin.

Edhe njëherë, Rama bëri Ramën, duke e sulmuar Bashën me mjetet e po Bashës dhe si përfundim duke vjedh vëmendjen e vendoset po prapë vetë në qendër të saj.

Është evidente tanimë, se gara po fillon të nxehet dhe duhet një marsh më i madh për të qenë kompetitiv deri në fund. Diçka që Ramës nuk i mungon.

Së fundmi, Rama gjatë fjalimit të tij e konkretizoi fushatën dhe garën elektorale sikundër një lojë futbolli, meqë edhe dekori ishte fusha.

Duke bërë paralelizimin me lojën, bëri gjithashtu të ditur faktin se tani gara ka ardhur në fazën tjetër dhe duhen ristrukturuar taktikat dhe menaxhuar energjitë.

Por sikundër në një lojë futbolli që taktikat ndryshojnë gjatë dinamikës, qoftë edhe për shkaqe totalisht personale, qoftë edhe për shkak të lojës që të dikton kundërshtari.

Taktikat e përdorura deri më tash kanë rezultuar të duhurat, por që në këtë stad nuk janë pika të forta ku mund të mbështetesh, pra Partia Socialiste sot tregoi se motorrët u ndezën.

Anatemimi i kundërshtarit nuk kishte sesi të mungonte përsëri, por këtë herë më i moderuar dhe në kuadrin e një gjetjeje shumë të bukur, atë të krahasimit me atletet bardhë e zi. Ajo ishte qershia mbi tortë.

Është evidente tanimë, se gara po fillon të nxehet dhe duhet një marsh më i madh për të qenë kompetitiv deri në fund. Diçka që Ramës nuk i mungon./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH