Aktualitet

Diskutimi në UET/ Nexhmedin Spahiu: Kosova dhe Shqipëria, dy identitete kombëtare

Shkruar nga Liberale

Libri më i fundit i studiuesit Nexhmedin Spahiu “Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen - më afër apo më larg njëra tjetrës” ishte pjesë e një tryeze diskutimi në UET, me të ftuar pedagogë, studiues dhe figura të ndryshme të politikës e diplomacisë

“Shqipëria dhe Kosova do të mbeten dy identitete të veçanta kombëtare”. Është kjo teza kryesore e librit më të ri të studiuesit nga Kosova Nexhmedin Spahiu me titull “Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen - më afër apo më larg njëra tjetrës”, të cilën e shtjelloi edhe në diskutimin që u zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës, me të pranishëm pedagogë të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, studiues të fushës, si dhe me prezencën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Dyrmishi.

Spahiu tha se ky studim i ishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Hungarisë, për ta botuar në revistën e saj shkencore, ndërsa ka zhvilluar edhe një referim në praninë e të gjithë ambasadorëve të akredituar në Hungari, përfshirë edhe ambasadorin shqiptar, Arian Spasse.

Libri ka marrë vlerësime me superlativa nga bota akademike dhe më gjerë, dhe kjo më ka nxitur që ta bëj në një botim të veçantë dygjuhësh, në anglisht dhe në shqip”, theksoi Spahiu, ndërsa tregoi se për kopertinën e librit ka zgjedhur ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Rektori i UET, Tonin Gjuraj kujtoi takimin me studiuesin gjatë një turi në Kosovë, ku edhe u njoh për herë të parë me tezat e tij mbi identitetin politik e kulturor të Kosovës.

“Një studim sui generis dhe polemizues. Nuk më surprizoi studimi, pasi diku para 10 viteve, kur sapo isha kthyer nga Izraeli dhe isha bërë pjesë e UET, së bashku me disa studentë bëmë një turn në disa gjimnaze të Kosovës dhe patëm një takim edhe me zotin Spahiu. Aty për herë të parë u ballafaqova me tezat e tij, që i elaboron më qartë në këtë libër dhe që kanë të bëjnë me identitetin politik të Kosovës”, u shpreh Gjuraj, duke pyetur autorin nëse tezat e tij janë përforcuar me kalimin e kohës.

“E kaluara i ka vënë vulën identitare Kosovës dhe e ka bërë atë të dallueshme nga pjesa tjetër e korpusit shqiptar”, tha Spahiu, teksa shtoi se punimi identifikon pikërisht momentet kyçe historike që kanë thelluar këtë ndarje.

Gjithashtu, vrojtimi tregon se ishte qëndrimi serb karshi Kosovës, ai që ka ndikuar në krijimin e realiteteve të ndryshme kulturore e politike në korpusin etnik shqiptar, që nga idetë e para kombëtare shqiptare e deri më sot. Duke qenë se në libër iu është referuar disa ngjarje historike, studiuesi përmendi edhe problematikën e burimeve dhe referencave që bëhen në punimet shkencore, që sipas tij janë të dobëta dhe shpeshherë manipuluese.

“Ajo që mësohet për teorinë e kombit nëpër fakultetet tona të shkencave sociale e politike është shumë e paktë dhe e mangët. Ndërsa njerëzit që janë marrë me teorinë e kombit në mënyrë më të thellë, siç është Branko Merxhani, Gjergj Fishta etj., janë anatemuar për vite të tëra. Trajtimi i kësaj teme duket shumë provokues, ndoshta është edhe një temë që i bën njerëzit të mendojnë, por unë jam shumë i qartë në atë se çfarë kam shkruar.

Kur bëhen punime shkencore, vihet re një problematikë, që historiografia jonë është shumë e dobët. Është e mbushur me falsifikime, gënjeshtra të paskrupullta, të cilat janë referuar nga njëri autor te tjetri. Tekstet tona shkollore, të cilat mësojnë nxënësit dhe studentët janë të punuara me këtë filozofi dhe këta pedagogë. Ne vijojmë akoma ta riciklojmë një gjë që do të duhej që sa më parë ta rishikonim. Referencat që kam përdorur në këtë punim shkencor, jam përpjekur të gjej ato më të saktat, që nuk përmbajnë informacione të gënjeshtra ose të falsifikuara”.

Në bashkëbisedim me të pranishmit, autori i studimit iu përgjigj disa pyetjeve, njëra prej të cilave kishte të bënte me atë që ai e prek në parathënin e librit, për gjithë zërat e diplomacisë që thonë se përfshirja e Tiranës zyrtare mund të jetë frytdhënëse në dialogun Beograd- Prishtinë. Sipas Spahiut, duhet të ndodhë e kundërta, për të mirën e Kosovës.

“Shqiptarët nuk është se shquhen në vizion dhe kalkulim të interesave afatgjata. Shpeshherë interesat e Kosovës dhe Shqipërisë janë të njëjta. Ndonjëherë interesat nuk janë të njëjta, shpeshherë janë edhe të kundërta dhe të tilla mund të jenë nëse shikohen në një afat të shkurtër.  Zakonisht politikanët kalkulojnë mbi bazën e interesave ditor, që iu japin vota. Nuk mendojnë shumë për perspektivën 100 apo 200 vjeçare. Dialogu me Beogradin duhet të bëhet vetëm me Kosovën, nën ndërmjetësimin evropian e amerikan. Shqipëria mund të zhvillojë marrëdhënie me Serbinë, por jo duke i thënë Kosovës se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë”, u shpreh autori.

Spahiu përsëriti qëndrimin e tij, me të cilin mbyll librin, duke iu përgjigjur pyetjes që shtron që në titull: Shqipëria dhe Kosova, më larg apo më afër njëra- tjetrës në të ardhmen?

“Megjithatë që pritet të ndodhë në rajon dhe Evropë, sido që të përvijohen ngjarjet politike, Shqipëria dhe Kosova do të jenë gjithnjë e më afër. Kur Kosova të ketë mbi 50 vite pavarësi, njerëzit do të kenë një mendësi ndryshe nga brezat paraardhës. Do të kuptohen me vëllezërit shqiptar, por do të jenë edhe më të aftë për të krijuar raporte dhe relacione me serbët, nëse ndryshojnë linjë. Po ashtu, do të jenë më në gjendje t’i kundërshtojnë në mënyrë dinjitoze, nëse ata mbajnë të njëjtat politika armiqësore”, deklaroi Spahiu.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH