Aktualitet

Buxheti i 2020-ës/ Denaj thotë se do të hapen 35 mijë vende pune

Shkruar nga Liberale
Buxheti i 2020-ës/ Denaj thotë se do të hapen 35 mijë vende

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi të premten projektbuxhetin për vitin 2020 në Konferencën e Kryetarëve.

Sipas saj, rritja ekonomike e parashikuar 4,1% do të përkthehet në më shumë punësim, ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së të papunësisë poshtë nivelit 11%.

Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 4,7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.

Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen 502.6 miliardë lekë me një rritje prej 6,2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019 ose rreth 29.2 miliardë më shumë.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29,7% e PBB-së. Ato rriten me rreth 5,1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.

Shpenzimet do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë”, deklaroi Denaj.

Ministrja tha se deficiti i këtij viti, apo huamarrja vjetore neto targetohet në vetëm 1,6% të PBB, balanca korente fiskale për këtë vit programohet gjithashtu ndër nivelet më të larta të dy dekadave të fundit prej +3,1% të PBB.

“E thënë ndryshe, në buxhetin e vitit 2020 për çdo 100 lekë të marra borxh programohen 286 lekë investime publike, raport i cili vijon të ketë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me mesataren e këtij treguesi për periudhën 2014-2019, ku për çdo 100 lekë të marra borxh janë shpenzuar për investime publike 193 lekë”, u shpreh ajo.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH