Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është bërë “përparim” në bisedimet tregtare me Bashkimin Evropian, pas kërcënimit të tij për të vendosur tarifa të larta mbi mallrat europiane. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha se plani për tarifën 50% i ka nxitur palët që të lëvizin më shpejt drejt një marrëveshjeje.
Tarifat e planifikuara fillimisht do të hynin në fuqi më 1 qershor, por janë shtyrë për më 9 korrik. Trump shpjegoi se kjo ndodhi pas një telefonate me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila premtoi se bisedimet do të nisin së shpejti.
Presidenti amerikan theksoi se, nëse BE nuk pranon kushte të drejta për SHBA-në, ai ka fuqinë të vendosë një marrëveshje sipas kushteve të tij.