Sot në mëngjes ndodhi një ngjarje e pazakontë në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë. Andrej Hoivik, një përfaqësues i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), opozitare, u ngjit në çatinë e ndërtesës së parlamentit dhe kërcënoi se do të hidhej prej andej.
Menjëherë në vendngjarje shkuan policia, zjarrfikësit dhe ambulanca. Falë reagimit të shpejtë, zjarrfikësit ngritën një shkallë dhe e bindën Hoivikun që të zbriste i sigurt. Ai më pas iu dorëzua personelit mjekësor për ndihmë.
Hoivik nuk fajësoi askënd për gjendjen e tij, por u shpreh se ndien se shumë gjëra në vend po shkojnë gabim dhe nuk janë të drejta. Autoritetet thanë se ai nuk është lënduar dhe se rasti po trajtohet si një krizë psikologjike.
Sipas burimeve, ai kishte treguar shenja lodhjeje dhe stresi emocional gjatë javëve të fundit. Partia e tij reagoi në rrjetet sociale duke thënë se ndonjëherë jeta është shumë e vështirë dhe se duhet treguar mirëkuptim për të gjithë ata që kalojnë momente të tilla.