Ish-Miss Maqedonia, modelja dhe njëkohësisht influencuesja Emilia Rozman është rrëzuar në parkingun pranë një resorti në Ohër, duke pësuar dëmtime në trup.
Më 6 Korrik, në policinë e Ohrit në orën 21:40 është raportuar se 32-vjeçarja nga Shkupi duke bërë fotografi, pranë rrethimit metalik të parkingut në kompleksin turistik afër fshatit Peshtan të Ohrit, ka rënë dhe ka marrë lëndime të rënda.
Ka qenë vetë Emilia e cila ka postuar në Facebook foto nga shtrati i saj në spital dhe ka shpjeguar se si ndodhi aksidenti, ku ka thyer 11 brinjë gjatë rënies prej 7 metra lartësi.
“Të shtunën në mbrëmje pata një aksident në Ohër, ku rrëshqita, pjesërisht nga ngathtësia, pjesërisht nga vlerësimi i keq i hapësirës, nuk mund të komentoj për ndërtimin e gardhit, sepse nuk jam kompetente dhe kam rënë rreth 7 metra dhe kam thyer 11 brinjë. Me këtë më janë dëmtuar edhe mushkëritë dhe jam transferuar nga spitali “Shën Erazmus” në Kirurgjinë Torakale në Shkup”, ka sqaruar ish-missi.