Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se ose partia e saj do ta formojë qeverinë e re, ose në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje.
Këto komente ajo i bëri pasi takimit që patën përfaqësuesit e partive politike me kryetarin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ku u bisedua për përgatitjet e seancës konstituive të Kuvendit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk beson që opozita do ta bëjë qeverinë e vetme, por është optimiste që Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë, shkruan KosovaPress.
Para gazetarëve, Haxhiu tha aktualisht dihet vetëm emri i kryeministrit, ndërsa emrat tjerë të bartësve qoftë në Kuvend apo qeveri të Kosovës nuk dihen ende.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar datën 15 prill për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës dhe më pas koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.