Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se dinari duhet ndaluar, e megjithatë duhet të sigurohet një zgjidhje teknike që komunitetit serb t'i jepet mbështetja që i garantohet në Kushtetutë.
Hoxhaj i cilësoi veprimet e Albin Kurtit më shumë një simbolikë dhe populizëm për fushatë elektorale, sesa veprime që i shërbejnë interesave afatgjatë të Kosovës.
Veprimet e Kurtit janë më shumë një simbolikë dhe një populizëm për një fushatë elektorale sesa i shërbejnë interesave afatgjate të Kosovës. Natyrisht që duhet të ndalohet dinari, por duhet të sigurohet një zgjidhje teknike se si komuniteti serb të ketë atë mbështetje që i është garantuar me Kushtetutë dhe si ne mos ta humbim mbështetjen e partnerëve tanë.
Nuk definohet shtetësia e Kosovës sesi sillemi ne në raport me Serbinë, por shtetësia e Kosovës definohet se si sillemi ne në raport me të gjitha shtetet që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën.
Ajo çfarë po bën qeveria është e drejtë, por ajo që qeveria nuk po koordinohet nuk mendoj se është thelbi i problemit. Dinari është ndaluar në Republikën e Kosovës në kohën e Kombeve të Bashkuara dhe se nga ajo kohë ka një rregullore.
Më tej, Hoxhaj tha se marrëveshja e 27 shkurtit e një viti më parë ka dëmtuar interesat e Kosovës.
Mendoj se ajo çfarë ka ndodhur gjatë një viti, tregon që dialogu, marrëveshja pa njohje të ndërsjellë i ka dëmtuar interesat e Kosovës dhe dialogu është shndërruar si platformë që Serbia e përdor për të goditur Kosovën ndërkombëtarisht.