Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marrë vendim për thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me urdhër të gjykatës të datës 21 shkurt 2025.
Kurti është i obliguar të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij më 4 mars 2025, në orën 10:00, pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë – theksuar të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Mbetet të shihet nëse Kryeministri do të pranojë thirrjen për dëshmi apo nëse do të ketë ndonjë veprim ligjor në rast të mosparaqitjes së tij.
Gjykata ka bërë të ditur se ka pranuar një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këtë urdhër megjithatë detajet mbi përmbajtjen e përgjigjes dhe natyrën e çështjes për të cilën është ftuar Kurti nuk janë bërë ende publike.