Arbnor Spahiu, ish-anëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë. Ai po mbahet në paraburgim për një muaj, nën dyshimin për përfshirje në një “vrasje të rëndë”.
Rasti ka ngritur shqetësime të shumta, dhe Ambasada Gjermane ka konfirmuar se është në kontakt me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Ata kanë kërkuar që autoritetet serbe të zhvillojnë hetimet sa më shpejt dhe të respektojnë të gjitha standardet ndërkombëtare ligjore.
“Presim që të garantohet një proces i drejtë dhe i paanshëm,” thuhet në deklaratën e ambasadës për televizionin Dukagjini.