Globi

FOTO/ Kush është emigrantja që u shpëtua nga Papa Françesku

Shkruar nga Liberale
FOTO/ Kush është emigrantja që u shpëtua nga Papa

Në vitin 2020, jeta e Grace Enjei mori një kthesë të papritur kur në vendin e saj të lindjes, në Kamerun, shpërtheu lufta civile.

Përballë këtyre kushteve ajo u detyrua të lërë pas atdheun e saj të shkatërruar nga lufta.

Me aspiratat për të vazhduar arsimin e mëtejshëm, ajo siguroi një leje studimi nga qeveria turke dhe u zhvendos në Qipro, me shpresën për një të ardhme më të ndritur.

Pasi u transferua në një universitet që ndodhet në pjesën veriore të ishullit, një zonë nën kontrollin turk, ajo shpejt zbuloi se kostot e jetesës ishin përtej mundësive të saj.

Të dëshpëruar për një zgjidhje, Grace dhe dy miq të saj u përpoqën të kalonin kufirin në pjesën jugore, të kontrolluar nga Greqia, por u kapën nga trupat e OKB-së që patrullonin të ashtuquajturën “zonë tampon” që ndante ishullin.

Të tre e gjetën veten të bllokuar për 6 muaj në një strehë, por përpara vizitës së Papa Françeskut në Qipro, Komuniteti Sant’Egidio, një organizatë bamirëse katolike e dedikuar për të ndihmuar emigrantët, përpiloi një listë të individëve që ishin të gatshëm për t’u zhvendosur. Emri i Grace ishte në krye.

“Ata më thanë se erdhën nga Vatikani, Papa dëgjoi për ne dhe ishte i interesuar për rastin tonë. Ata pyetën nëse do të donim të vinim në Itali, dhe ne menduam se nuk kishim zgjidhje tjetër, thjesht dëshironim të largoheshim nga ai vend dhe na thanë OK. Na paralajmëruan se nuk mund të na premtonin asgjë sepse nuk ishin të sigurt. Por ata na thanë se Papa Françesku ishte i vetëdijshëm për situatën tonë. Diçka po ndodhte kështu që kjo ishte një ëndërr e bërë realitet”.

Në ditën e vizitës së Papa Françeskut në Nikosia, Grace dhe emigrantë të tjerë u mblodhën në Kishën Famullitare të Kryqit të Shenjtë ku Ati i Shenjtë mbrojti emigrantët dhe kritikoi mungesën e vëmendjes së botës ndaj vdekjeve të shumta në det.

“Papa Françesku shkoi në Jug të Qipros, ajo ishte dita kur ne u larguam nga zona tampon sepse ata erdhën dhe thanë, ne jemi gati të shkojmë, duhet t’i paketojmë gjërat tona, Papa dëshiron të takohet me ne. Kështu u larguam nga zona falë Papa Françeskut””. Ajo përshkruan momentet kur u largua.

“Ne ishim kaq të lumtur, kënduam gjithë natën, po kërcenim, po festonim në fakt. Ishte kaq gjë e mirë, ishim kaq të lumtur”. Për agjencinë e lajmeve Reuters kujton momentin kur u takua me Atin e Shenjtë.

“Ishte në kishë gjatë shërbesës kur pamë për herë të parë Papa Françeskun. Ishte një ëndërr që u bë realitet, patëm mundësinë ta takonim Atin e Shenjtë ballë për ballë dhe u përshëndetëm me të. Ishte diçka e gëzueshme, na pëlqeu vërtet, shumë. Isha shumë e gëzuar sepse pata mundësinë të bëja foto, pastaj telefomova familjen time të cilëve u thashë se kam takuar Papa Françeskun. Isha vërtetë shumë e lumtur”.

Disa ditë më vonë, njëherë në Itali, Grace u ftua papritur për të festuar ditëlindjen e Papa Françeskut.

“Kur erdhëm në Itali, ishte ditëlindja e Papës, kështu që ne ishim të ftuar në Vatikan për të festuar me të. Ishte hera e parë që hyra në Vatikan. Dhe pastaj qëndruam atje, ata na kërkuan të rrinim në një dhomë dhe ta prisnim. Kur ai erdhi, ne thamë : ‘O Zot, kam mundësinë ta shoh përsëri Papën’, sepse ishte hera e dytë. Kështu kur ai erdhi, ne e përqafuam, festuam, dhe ai na përqafoi e përshëndeti. Gjithçka ishte kaq argëtuese”.

Në vitin 2022, Grace u takua me Papa Françeskun edhe një herë gjatë një shërbimi lutjeje për paqe të mbajtur në Koloseun ikonik të Romës, ku ajo u ftua të lexonte një pasazh nga Bibla në amfiteatrin e lashtë mahnitës.

Ajo e vlerëson figurën e tij për ndihmën që ka dhënë për emigrantët.

“Ai ka bërë shumë për emigrantët, ai ka luftuar për ne, dhe ne e kemi vlerësuar atë. Ai u kujdes aq shumë për ne dhe prandaj ai është i vlerësuar në të gjithë botën. Nuk ka të bëjë vetëm me mua. Ai ka ndihmuar kaq shumë njerëz dhe ne e falenderojmë për luftën që ka bërë për emigrantët”.

Grace thotë se ka shumë njerëz që janë kundër emigrantëve të huaj.

“Kaq shumë njerëz që janë kundër emigrantëve. Ka shumë njerëz nuk na duan, por Papa na jepte shpresën se dikush po luftonte për ne”.

Mbështetja për emigrantët ishte një nga prioritetet kryesore të Papa Françeskut.

Gjatë papatit të tij pati një krizë refugjatësh në Mesdhe dhe rënie e ndjeshmërisë publike që çoi në politika gjithnjë e më kufizuese në mbarë botën.

Papa Françesku mbajti në mënyrë të përsëritur anën e emigrantëve nga sjellja e azilkërkuesve në Vatikan me vete nga kampet e mbipopulluara të ishujve deri te denoncimi i politikave të Presidentit të SHBA Donald Trump.

Ai tha në vitin 2016 për kandidatin e atëhershëm Donald Trump se kushdo që ndërton një mur për të mbajtur emigrantët jashtë “nuk është i krishterë”.

Ati i Shenjtë ëshët shprehur se akti i dëbimit të njerëzve që në shumë raste kanë lënë tokën e tyre për arsye të varfërisë ekstreme, pasigurisë, shfrytëzimit, persekutimit ose përkeqësimit serioz të mjedisit, dëmton dinjitetin e shumë burrave dhe grave, dhe të familjeve të tëra, dhe i vendos ata në një gjendje të veçantë cënueshmërie dhe pambrojtjeje.

Françesku, i cili ishte Papa i parë nga Amerika Latine, gjithashtu dhuroi 500,000 Dollarë për emigrantët në kufirin e SHBA në vitin 2019 për të ndihmuar në sigurimin e ushqimit, strehimit dhe nevojave themelore për ata që ikin nga vendet e tyre të origjinës përmes Meksikës.

I lindur në vitin 1936, Jorge Mario Bergoglio, ai gjithashtu vinte nga një familje emigrantësh që u larguan nga Italia për në Argjentinë.

Gjatë gjithë papatit të tij, Papa Françesku nuk u dorëzua kurrë në thirrjet e tij drejtuar liderëve botërorë dhe qytetarëve të thjeshtë për t’i trajtuar emigrantët me humanizëm.

Ai gjithashtu kërkoi nga shtetet që të rrisin dhe thjeshtojnë proceset për viza dhe bashkim familjar. Papa ishte kundër dëbimeve kolektive dhe arbitrare të emigrantëve dhe refugjatëve, veçanërisht kur njerëzit kthehen në vende që nuk mund të garantojnë të drejtat e tyre themelore.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH