Ministrat izraelitë miratuan planin për pushtimin e të gjithë Gazës.
Lajmi është bërë me dije nga dy zyrtarë për AP, duke sqaruar se plani përfshin edhe zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve në jug të Gazës.
“Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar atje për një kohë të pacaktuar”, thanë dy zyrtarët.
Plani u miratua sot (5 maj) dhe është pjesë e përpjekjeve të Izraelit për të rritur presionin mbi Hamasin për të liruar pengjet dhe për të negociuar një armëpushim sipas kushteve të Izraelit.
Izraeli rifilloi operacionet e mëdha në të gjithë Gazën më 18 mars, mes një bllokimi mbi mënyrën e vazhdimit të një armëpushimi dy-mujor që kishte ndaluar kryesisht luftën me Hamasin, e cila u nxit nga sulmi i militantëve ndaj Izraelit në tetor 2023.
Ministria e shëndetësisë në Gazë e drejtuar nga Hamasi tha dje se të paktën 2436 persona janë vrarë që kur Izraeli rifilloi fushatën e tij në mars, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga lufta në 52,535.