
Kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu i është mbyllur përfundimisht rruga për të garuar përballë Rexhep Tajip Erdogan për postin e Presidentit të Turqisë.
Imamoglu përballej me akuzën e "falsifikimit të dokumenteve zyrtare", sa i përket diplomës së tij dhe këtë të martë Universiteti i qytetit njoftoi se diplomat e 28 personave, përfshirë kryetarin e Stambollit, janë revokuar.
Imamoglu po përballej me akuzat që bazoheshin në një raport të përgatitur nga Këshilli i Arsimit të Lartë të Turqisë (YOK), sipas të cilit transferimi i tij në vitin 1990 në Shkollën e Administrimit të Biznesit të Universitetit të Stambollit nuk ishte i ligjshëm dhe për këtë arsye diploma e tij duhej të anulohej.
Zhvillimi aktual nuk e lejon atë të jetë kandidat për Presidencën e vendit, pasi pasja e një diplomë të arsimit të lartë është një parakusht për t’u futur në garën për këtë detyrë.
Në njoftimin e Universitetit, ndër të tjera, thuhet se “sipas konstatimeve të “Raportit të Kërkimit” të Presidiumit të Këshillit Mbikëqyrës të Arsimit të Lartë dhe raportit të përpiluar nga Komisioni Kërkimor i caktuar në këtë institucionin, për individët që janë transferuar në mënyrë të parregullt në programin e gjuhës angleze të Shkollës së Administrimit të Biznesit të Universitetit tonë (raporti i të diplomuarve të përmendur në vitin 1990) Këshilli Mbikëqyrës i Arsimit të Lartë, si dhe diplomimet dhe diplomat që këta persona kanë marrë në bazë të këtyre vendimeve do të revokohen dhe anulohen për “mungesë” dhe “gabime të qarta”.
Më tej në njoftim thuhet se “vendimi i marrë dhe të gjitha të dhënat dhe dokumentet që përbëjnë bazën e këtij vendimi do t’i dërgohen me urgjencë Prokurorisë së Stambollit dhe Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë”.