Një ndër shkaqet mbetet emigracioni, pasi emigrantët po tërheqin gradualisht familjen e tyre në vendin ku ata jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Nxënësit po ndërpresin mësimin në Shqipëri, sepse detyrohen të largohen me familjen për të vijuar pjesën e mbetur të skollës në vendet e zhvilluara.
Në vitin shkollor 2020-21, u diplomuan në arsimin zyrtar 96.005 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,2%, krahasuar me vitin shkollor 2019-20.
Sipas INSTAT, ulje në numrin e të diplomuarve kanë pësuar të gjitha ciklet arsimore, 9 vjeçar, i mesëm dhe i lartë. Tkurrje më të fortë ka pësuar arsimi 9-vjeçar, duke reflektuar veç emigracionit edhe plakjen e popullsisë dhe rënien e lindshmërisë vitet e fundit.
Sipas niveleve arsimore, në vitin shkollor 2020-21, arsimin 9-vjeçar e mbyllën 32.179 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, nga të cilët 52,9% ishin djem dhe 47,1% vajza. Në arsimin e mesëm u diplomuan 31.136 nxënës, një ulje prej 1,7%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, nga të cilët 47,3% ishin djem dhe 52,7% vajza. Në arsimin e mesëm profesional u diplomuan 3.831 nxënës, ose 12,3% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.
Në vitin akademik 2020-21, u diplomuan në arsimin e lartë 32.690 studentë, një ulje prej 0,6%, krahasuar me 2019-20. Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbënin 54,0% të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40,8%. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 21.592 studente femra, ose 66,1% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë. /Liberale.al/