
Partia Demokratike, pjesa e Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha, dhe Partia e Lirisë, e udhëhequr nga Ilir Meta, nënshkruan sot marrëveshjen e daljes bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Berisha e cilësoi këtë si një moment historik, ndërsa u shpreh i bindur në fitoren e opozitës në Tiranë dhe të gjitha qytetet.
Sakaq, Belind Këlliçi shihet si më i favorizuari i opozitës së drejtuar nga Berisha dhe Meta, për të kandiduar përballë me Erion Veliaj dhe për të rrëzuar kandidatin socialist pas dy mandateve radhazi.
“Një moment historik në zhvillimin politik të Shqipërisë, moment që shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurtë të opozitës në Tiranë e Shqipëri. Moment që çel rrugën për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës, qytetarin e parë që ata meritojnë dhe njëlloj për të gjithë qytetet e vendit”, theksoi Berisha.
“Për t’i dhënë Tiranës parlamentin e vërtetë, përfaqësuesit dinjitoz të qytetarëve, për t’i dhënë Tiranës një parlament të fuqishëm, për të arkivuar në mënyrë figurative në plehrat e Sharrës, Erjon Veliajn, i cili në çdo vend e ligj i takon të jetë në qeli dhe jo në garë elektorale”.
"Me vjedhjet e tij monstruzoe që u ka bërë qytetarëve të Tiranës, me shndërrimin në 10 qytetet më të pista të botës, në shndërrimin e kryeqytetit në qytetin në pozicionin e 245 më të keq të shërbimit shëndetësor. Të shkojë atje ke e ka vendin, qytetarët do të godasin këtë dhe Ramën. Parlamenti inekzistent”, u shpreh Berisha “Tirana me 800 mijë banorë do të ketë parlamentin e vet të fuqishëm”.
Të pyetur se sa e moralshme është një bashkëpunim mes tyre kur Berisha i kujtonte zotit Meta ngjalat, ndërsa ai thoshte se nuk jepte dorëheqjen për djalin e ish-kryeministrit, kryetari i Lirisë kishte një përgjigje.
Ilir Meta tha se Partia e Lirisë nuk e sheh marrëveshjen me PD-në, si marrëveshje për pushtet dhe se synimi im koalicionit mes dy partive është që të rikthejnë demokracinë te qytetarët.
“Për sa i takon PL, ne nuk e shohim si marrëveshje për të marrë pushtet. Ne duam të kthejmë demokracinë te shqiptarët. Është një garanci historike. Për asnjë bashki nuk do të ketë asnjë problem e asnjë shqetësim në raport me PD apo partitë e tjera. Ne respektojmë primaret dhe nuk do të kërkojmë që të lihet një bashki, do të kërkojmë që të gjendet mënyra më e mira për përfaqësi në bashki”, tha Meta, duke shpalosur edhe objektivat e marrëveshjes. Sakaq, ish-presidenti Ilir Meta e konsideroi historike marrëveshjen. - “Ka përfunduar koha kur rezultati i ndeshjes trukohej nga Rama para se të fillonte, kjo është një ndeshje e vërtetë pa kompromis, është ekzistenciale për qytetarët tanë, ekzistenciale për të ndaluar rënien e shtetit të së drejtës, mjafton raportin i fundit, Shqipëria e 84-a po përkeqësohet”, tha Meta.