Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në ceremoninë për 25-vjetorin e krijimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ku vlerësoi lartë rolin e këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në fjalën e saj, Spiropali falënderoi Avokatin e Popullit për punën e përditshme dhe kontributin në forcimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar se ky institucion ka ndihmuar në zgjidhjen e shumë problematikave sociale.
Ajo tha se Kuvendi i Shqipërisë ka trajtuar me seriozitet shumicën e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke sjellë ndryshime konkrete, si për shembull rishikimi i procedurave për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë penale.
Spiropali vuri në dukje edhe rolin e rëndësishëm të Avokatit të Popullit në procesin e integrimit evropian, duke e quajtur këtë institucion një burim të vlefshëm për reformimin ligjor dhe administrativ, në përputhje me vlerat evropiane.
Në fund, ajo u shpreh se sfidat e së ardhmes kërkojnë bashkëpunim, dhe Kuvendi do të angazhohet për të forcuar konsultimet me qytetarët, në mënyrë që raportet e Avokatit të Popullit të mos mbeten vetëm në letër, por të sjellin ndryshime reale në jetën e qytetarëve.