Këtë të premte është mbajtur seanca gjyqësore në Apelin e GJKKO-së, lidhur me ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Jani Prengës në janar të vitit 2020.
Mësohet se dy prokurorët e SPAK, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini, mbajtën qëndrime të ndryshme sa i përket dënimit për kopshtarin e resortit “Golden”, Festim Bexhdili.
Prokurorja Kaçkini kërkoi konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se Bexhdili ka qenë pjesë aktive e grupit të strukturuar kriminal dhe ka bashkëpunuar me autorët e tjerë të ngjarjes.
“Ne vlersojmë që vendimi i GJKKO që është dhënë për Festim Bexhdilin duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhë prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar, sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre.
I pandehuri ditën e ngjarjes ka pasur nje vendndodhje të ndryshme nga kompleksi, deri te paktën në orën 10:57, ku ka qenë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim te një garazhi dhe më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular.
Ai shfaqet duke pritur në derën hyrse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi, tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre.
Altin Hajri shfaqet në 11.27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve. Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen. Në tërësinë e provave, ne vlërësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vlerësojme se vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve. Ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues”, mësohet të ketë thënë ajo, ndërkohë që kolegu i saj Behar Dibra kërkoi për “kopshtarin” 20 vite burg.
Ky vendim është kërkuar nga Dibra për arsyen se Bexhdili ka qenë punonjës i kompleksit dhe është urdhëruar për fshehjen e kufomës.
“Në respekt të koleges, duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlerësim ndryshe për elementet e fajësisë së të pandehurit. Fakti është që vepra penale “mbajtja peng e Jan Prengës” është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli të një të pandehuri që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve e tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks.
Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj… Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirte Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Në automjetin që u fut trupi, hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di”, tha prokurori.
I pranishëm në sallë ishte edhe vetë Bexhdili i cili pohoi se në ato momente kishte vepruar nga frika duke vënë theksin edhe te gjendja e tij e rënduar ekonomike.
“Jam dakord më çfarë kam thënë në shkallë të parë, nuk jam dakord as me pengmarrjen, as me vrasjen. Kam qenë aty nga frika kam marrë trupin. Kushdo të ishte ashtu do bënte dhe prokuroria. Jam hallexhi, isha në punë, u gjenda aty. Ishalla bëhet drejtësi”, tha Bexhdili.
Ndërkohë, Gjykata u tërhoq për vendim dhe do ta shpallë atë në 25 korrik, për shkak të kompleksitetit që ka dosja.
Kujtojmë se Jan Prenga me profesion mobilier, u rrëmbye në Kamëz më 17 janar 2020 ku edhe jetonte me familjen, kur në rrugën “London” u fut forcërisht në një makinë të autorëve, Range Rover i bardhë, që rezultoi i vjedhur, dhe pas ngjarjes u gjet i djegur në Shkallnur të Durrësit. 49-vjeçari, babai i 5 fëmijëve, e pësoi prej vëllait të tij, Astrit Prenga, korrier i grupeve të trafikantëve të drogës dhe kishte vjedhur 283 kg kokainë në Portin Portsmouth, Angli, që i përkiste Dritan Rexhepit dhe Gentjan Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Sipas SPAK rrëmbimi është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti të kthente lëndën narkotike. Astrit Prenga është arrestuar në Angli.
Gjykata dënoi më herët më burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin, masë e cila u prish Gjykata e Lartë dhe çështja u kthye për gjykim.
SPAK dyshon se Bexhdili ka dijeni se ku është fshehur trupi i pajetë i Jan Prengës, por nuk e tregon. Kjo sepse vetë Bexhdili ka dëshmuar më herët se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, i dyshuar si një nga personat kryesorë që ka vënë në zbatim planin për rrëmbimin dhe mbajtjes peng të Jan Prengës, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë dhe se është larguar disa kilometra nga resorti.
Ai deklaroi se trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra dhe se më pas nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur, por kjo dëshmi e tij nuk e ka bindur SPAK.