Aktualitet

Gjenocidi serb në Srebrenicë, Basha: Viktima po shitet si agresor, Serbisë duhet t'i vendosim dy kushte

Shkruar nga Liberale
Gjenocidi serb në Srebrenicë, Basha: Viktima po shitet si agresor,

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit është shprehur se, duhet t’i vendosen kushte Serbisë, që të kërkojë falje dhe të pranojë krimet e kryera në Ballkan për t’u integruar plotësisht.

“Që Serbia të integrohet plotësisht në rajon, duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes, me pranimin e krimeve, prandaj që e shkuara të mos harrohet, e që të mos lejojmë që faktet alternative të kurdisura nga propaganda hileqare dhe mohuese, të ndryshojnë historinë sipas orekseve politike apo konjukturave ndërkombëtare të momentit, duhet t’i tregojmë njëzëri që rruga drejt së ardhmes është vetëm përmes pranimit të së shkuarës, pranimi i së vërtetës, distancimit të plotë dhe të prerë Milosheviçi dhe kërkesa e faljes nga autoritetet aktuale të republikës së Serbisë”, u shpreh Basha.

Ish kreu i PD-së tha se, vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme.

“Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme. Sot ka përpjekje për t’i ikur të vërtetës, për të mbrojtur krimet duke fshehur edhe gjurmët, siç janë varret masive ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të masakruar të Kosovës, mes tyre me mijëra fëmijë", tha Basha.

Sipas tij, çdo qëndrim tjetër do të konsiderohej inkurajim që i bëhet Beogradit për fshehjen e krimeve në rajon.

“Shpesh viktima po shitet si agresor, siç fatkeqësisht po ndodh edhe me ish-komandatë të UÇK në Hagë. Pa u vendosur drejtësi, e ardhmja nuk do të jetë e lehtë. Prandaj krahas dënimit të gjenocidit në Srebrenice dhe Kosovë, ne duhet të kërkojmë drejtësi. Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai më tej.

Kujtojmë se, Parlamenti voton sot projekt-rezolutën e mazhorancës që dënon masakrën e Srebrenicës.

Projekt-rezoluta është dorëzuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste. Në të konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se, mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. /Liberale.al

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH