Editorial

Anglia, retorika e parësisë rrezikon të humbasë një komb

Shkruar nga Liberale
Anglia, retorika e parësisë rrezikon të humbasë një

Beppe Severgnini 

Për të shndërruar një ngjarje sportive suksesi në një rrënim nami duhet prirje. Dhe anglezëve prirja nuk u mungon: as në rastin e një shkeljeje në një dërrasë të kalbur. Një komb i qëndrueshëm, i organizuar dhe stoik, kur gabon, e bën në mënyrë të dukshme.

Skuadra e re e Tre Luanëve arriti, për të parën herë në historinë e saj, në finalen e kampionatit Evropian, të luajtur në shtëpi, në sytë e gjithë botës. Një sukses i padiskutueshëm, i errësuar nga ajo që ndodhi të dielën më 11 korrik. Ta përmbledhim shtruar: kaos dhe aksidente përreth Wembley-t, para ndeshjes me Italinë; hyrje e mujshi të tifozëve pa bileta; fishkëllima gjatë hymnit të Mamelit (fishkëllyer dhe himnin gjerman në të tetat e finales); mbas mundjes zemërim i lojtarëve anglezë, që heqin nga qafa medaljen e argjendtë; pastaj sulme raciste kundër atyre që kishin gabuar njëmëdhjetëmetrashet (Rachford, Sancho e Saka, që të tre me lëkurë të errët.

Pyetje: a ishte vërtetë e paparashikueshme? Apo retorika kombëtariste e pesë viteve të fundit ka luajtur pjesën e saj? Brexit-e votuar më 2016, sendërtuar më 2020- nuk ka qenë një mbasthënie: dikush e ka marrë për një dhënie pafajësie, fillimin e një epoke të re. Kush mbjell erë, korr furtunë. Edhe në anglisht janë shprehje të ngjajshme. You reap what you sow- korret ajo që mbillet. What goes around, comes around- gjithçka kthehet mbrapsht. Më pak e njohur, por po aq vepruese: "You’ve made your bed, now lie in it", e ke bërë shtratin, tani urdhëro e fli.

Çfarë shtrati i kanë përgatitur konservatorët e Boris Johnson, në pesë vitet e fundit, bashkatdhetarëve? Sigurisht Kryeministri nuk do të ketë dashur asgjë nga ajo që ka ndodhur: jo sjelljen e panjerëzishme me të ftuarit, jo rikthimin e huliganëve, jo heqjen dorë nga mirësjellja, jo grafullimet raciste. Formimi i tij – Eton, Oxford, klasikët dhe gazetaria – është e kundërt me të gjithë këto. Por shprehjet e paradokset e tij, nga disa janë marrë fjalë për fjalë. Qëndrimi i tij kundrejt Bashkimit Evropian ka shëmbëllyer , shpesh, shpotitës. Atdhetaria e tij, cinike e zhurmëmadhe, ka pështjelluar shumë njerëz. Edhe gjatë këtij Evropiani: nëse krijon pritje të dalldishme, nuk mund të habitesh se zhgënjimi do të jetë i zemëruar.

Ishte kaq i paparashikueshëm, sa që kapadaillëku i tepruar i gazetave – ta quajmë mendjemadhësi – pasqyrohej në sjelljet e atyre që i lexonin. Dhe janë ende shumë në Angli: ato faqe të para mbarojnë tek social, së bashku me thirrjet që i shoqërojnë. Nuk është mburracakëria, një krenari jo fyese, që falet lehtësisht. Është një mënyrë të vetë binduri e bindjeje se jemi të paracaktuar për të fituar, përtej futbollit. Anglia ka edhe sot media të shkëlqyera: këtë javë e kanë provuar me një autokritikë të dhimbëshme. Por herë herë ngre krye qëndrimi i epërsisë pothuajse si një refleks automatik. Ekonomisti – e përjavshmja m’e mirë e botës – ka shkruajtur dje, duke folur për suksesin e të kaltërve: “Një fitore për idenë evropiane, por edhe për të djathtën italiane”. Një pohim për të cilin është i vështirë të merret vesh kuptimi dhe qëllimi.

Ky kampionat evropian dhe finalja e madhe e luajtur në Londër, nuk janë bërë për Anglinë vetëm një arsye feste të përbashkët, si Olimpiada e shkëlqyer e vitit 2012, por një rast rifitimi. Një rifitim për të cilin një komb i madh nuk do të duhej të kishte nevojë. Rritja kombëtariste e muajit të fundit ka shkaktuar bezdi në shumë vënde të botës dhe turbullim në kombet e tjerë të Mbretërisë së Bashkuar. Mbështetja e hapur e të kaltërve para finales – në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut – nuk ishte e lidhur vetëm me shemëri të vjetra sportive. Dukej se tregonte shqetësime krejt të reja.

Disa episode kanë qenë tronditëse, pothuaj se të pakuptueshme. Shumë lojtarë të Kombëtares angleze janë djem të rinj. Veprimi i heqjes nga qafa të medaljes së argjendtit mund të dukej diçka impulsive. Por u bë një zgjedhje e pahijshme e skuadrës, që ka tronditur botën: nuk ishte ajo që pritej nga ata që kanë shpikur sportin bashkëkohor. Shumë më të rënda dhe absolutisht të pa ligjëruara fyerjet raciste në sociale. Lega e parë nuk është vetëm kampionati më i mirë i botës, më i luftuari e më pasionali, por edhe simboli i një Vendi t’arritur shumëkombësh. Çfarë ndodhi mbasfinales së Wembley-t është një autogol: për të rifilluar do të duhet kohë.

Çdo shoqëri bashkëjeton me fantazmat e saj. Dukuria e huliganëve ka qënë për kohë të gjata arsye pështjellimi për Anglinë. Mjerisht edhe tragjedish. Pastaj ka qënë kundërveprimi, i admirueshëm. Një ligjshmëri e zgjuar dhe puna metodike e policisë do të kishin bërë pak, nëse vendi – në vitet nëntëdhjetë – nuk do të kishte vendosur të thonte “Mjaft”. Më vonë vëmendja u ul: në vitet e fundit institucionet e politika janë marrë me të tjera çështje. Kështu huliganët janë rishfaqur, më të tmerrshëm se përpara: alkolit, sot, i është shtuar edhe kokaina. Askush nuk u ka dhënë zemër. Por gjithashtu nuk i ka kontrolluar e dënuar.

Nuk është gjithmonë e këndshme ajo që lëviz në barkun e kombeve: të gjithëve pa asnjë përjashtim. Por gastroskopitë shoqërore duhet të kryhen herë mbas here. Drejtuesve të rij, e lëvizjeve të reja – jo vetëm në Angli – do të duhej t’i kujtonim një gjë. Disa tone e disa tema – retorika e parësisë, kundërvënia etnike, kërkimi i kundërshtarëve me çdo kusht – mund të bëjnë të fitohen zgjedhjet, por rrezikojnë të humbasin kombet.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH