Aktualitet

Akuzuesi kthehet në i akuzuar/ Vdekja misterioze që po trondit Albin Kurtin dhe partinë e tij

Shkruar nga Liberale

Ajo që duket se nisi si një aksion opozitar, përfundoi në një nga vdekjet më misterioze të vendit. Mbrëmjen e 5 gushtit 2016 disa aktivistë hodhën një granatë dore në murin e Parlamentit të Kosovës. Ishte koha kur Lëvizja Vetëvendosje bënte opozitë dhe kundërshtonte ashpër demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lidhur me ngjarjen, brenda muajit gusht 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje përfunduan në pranga, të akuzuar për akt terrorist. Mes tyre ishte edhe Astrit Dehari, një student mjekësie, emri i të cilit ka qenë nga më të lakuarit në media ndërsa çështja e tij ende mbetet e nxehtë dhe djeg gjithmonë që preket. Ai përfundoi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku do të qëndronte deri më 5 nëntor, ditën kur u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore në qeli. U dërgua me urgjencë në spital, por askush nuk mund të bënte gjë për të të dhe ai ndërroi jetë në moshën 26 vjeçare.

Qendra e Paraburgimit deklaroi pas ngjarjes se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje duke përdorur sasi të madhe medikamentesh. Pas kryerjes së autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u tha se Dehari kishte ndërruar jetë nga asfiksia. Sylë Hoxha, në detyrën e kryeprokurorit të Prizrenit doli në atë kohë në një konferencë dhe deklaroi se aktivisti kishte kryer vetëvrasje. “Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e arterieve të frymëmarrjes si pasojë e dëmtimeve të vetë shkaktuara”, do të thoshte Hoxha.

Të pakënaqur me vendimin, prindërit e Astrit Deharit kërkuan një hetim dhe ekspertizë të pavarur ndërkombëtare, kështu që me ndihmën e qeverisë u kërkuan analiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Materiali i dërguar në 2018, mori përgjigje një vit më vonë, ku kontestohej mundësia e vetëvrasjes, ndërsa sugjerohej të kihej parasysh përfshirja e një personi të tretë.

Shpërthimi i skandalit

Gjatë kohës që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin në opozitë kanë hedhur akuza ndaj qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafaj, duke e akuzuar se ka vrarë Deharin. Ata e kanë përkujtuar gjithmonë aktivistin, madje Kurti e ka cilësuar si dëshmori i cili nuk duhet të harrohet kurrë. “Kudo në kohë historia e aktivizimit përbëhet nga dëshmorë. Jo vetëm që nuk duhet të harrohen, por e vërteta e tyre duhet të shkruhet qartë. Ai ishte i drejtë dhe ne duhet të sjellim drejtësi”, ka thënë Kurti në përvjetorin e vdekjes së aktivistit, në vitin 2021. Por pavarësisht kësaj, edhe me ardhjen në pushtet të Kurtit dhe partisë për të cilën Dehari dha jetën, nuk ka ende një emër, një shkak apo një fajtor.

Në fund të dhjetorit të kaluar çështja u rikthye më ethshëm se më parë, me zhdukjen e 12 mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi fill pas ngjarjes se zhdukja u vu re gjatë mbartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj, duke deklaruar se ata që kanë kryer këtë akt kanë dashur dështimin e hetimit. Lidhur me rastin u pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), të cilët u rikthyen sërish në detyrë disa  ditë më vonë.

Akuzat e forta brenda LVV

Zhdukja e mostrave duket se ka krijuar një përçarje të madhe brenda LVV. Deputeti i kësaj partie, Haki Abazi do të ishte i pari që do të hidhte akuza të forta, duke deklaruar se ajo ka urdhëruar zhdukjen e mostrave. Në një konferencë për mediat, më 16 shkurt, Abazi do të deklaronte se ekzistojnë audioincizime dhe videoincizime që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

“Videoincizimet janë ato që duhet t’i kërkoni ju për të zbuluar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit... Ne nuk mund të heshtim para kësaj... IML është i vëzhguar 24-orë nga kamerat dhe dihet qartë kush është afruar tek frigoriferi dhe i ka zhdukur mostrat”, ka thënë ai.

Pas deklaratave të tij, LVV ka marrë vendimin e përjashtimit dhe shkarkimit nga postet që mban duke përfaqësuar këtë parti. Vetë Abazi e ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti ka vendosur ta shkarkojë nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. Kjo siç thotë ai, pasi kryeministri Kurti mendon se do të bëhet pjesë e rrëzimit të Qeverisë.

“Mendoj që çështja kryesore këtu është se Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga Qeveria”, ka thënë Abazi.

Më tej, ai ka kërkuar që Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti, për zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.

Abazi: Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret

Sot, më 21  shkurt, deputeti i akuzave, Haki Abazi u thirr në Prokurorinë Speciale, ku për disa orë është marrë në pyetje për deklaratat e bëra. Pas daljes nga organi i akuzës, ai nuk ka pranuar të japë detaje për atë që u pyet, duke thënë se është puna e prokurorisë të japë drejtësi në këtë çështje.

“Nuk flas fare, smund të jap info më shumë se janë çështje të hetuesisë dhe prokurorisë. Por ajo që them unë, si deputet dhe qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohen e drejta e fjalës dhe shërbimi në interes të publikut, nuk do të ndalem, që pavarësisht limiteve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, normal mund ta kuptoni që presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme, por ajo që duhet të them është që shkarkimi im si kryetar komisioni vie për shkak të guximit tim që të çelë tema e të shtrojë pyetje kritike për shoqërinë tonë. Por ajo që duhet të kuptoni gjithashtu, është që kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, tha ai, duke shtuar se nuk do të heshtë, por do ta realizojë detyrën e tij si deputet dhe qytetar aktiv.

Kryeministri Kurti, i pyetur për këto akuza, ka thënë për mediat se ato janë të pavërteta dhe të paskta.  “Ato nuk janë të vërteta e dhe nuk janë të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja jonë e Drejtësisë. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, ka thënë ai.

Me zhdukjen e mostrave, "çështja Dehari" duket sikur nuk do të zbardhet kurrë. Nëse deri tani kishte vetëm akuza politike, vepra e re penale do të zvarrisë edhe më tej hetimin, ndoshta do ta bëjë të pamundur zbardhjen e së vërtetës, duke e lënë vdekjen e Deharit më enigmatiken në historinë politike të Kosovës./L.P/Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH