
Aktori i famshëm amerikan Ryan O’Neal, i njohur për rolet e tij në filmin “Love Story ” dhe “Barry Lyndon” të Stanley Kubrick, ka ndërruar jetë të premten në moshën 82-vjeçare.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga djali i tij. Ai nuk zbuloi shkakun e vdekjes por O’Neal u diagnostikua me leuçemi kronike në 2001 dhe kancer të prostatës në 2012.
“Është gjëja më e vështirë që më është dashur të them ndonjëherë, por është e vërtetë. Babai im ndërroi jetë i qetë sot.”- tha Patrick O’Neal nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.
Ylli i filmave, O’Neal nisi rrugëtimin e tij drejt aktrimit fillimisht duke luajtur nëpër shfaqje të ndryshme televizive amerikane në vitet si 1960.
Ai u bë i famshëm në vitin 1970 falë “Love Story”, një romancë në të cilën ai luante një student të drejtësisë në Harvard, i cili dashurohet me një vajzë që detyrohet të punojë në bibliotekë për të paguar studimet. Filmi konsiderohet nga Instituti Amerikan i Filmit si ndër 10 më romantikët e të gjitha kohërave.
Ai luajti rolin kryesor në Barry Lyndon të Stanley Kubrick në 1975 dhe luajti në shumë filma të tjerë gjatë viteve ’70, ’80, ’90 dhe deri në vitet e fundit.