Mjegulla e dendur në Fushë Kosovë ka shkaktuar probleme me qarkullimin e mjeteve dhe ka sjellë aksidente.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në një aksident zinxhir janë përfshirë 14 automjete. Po ashtu bëhet me dije, se ka edhe persona të lënduar.
“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje mbi urë te ETC-ja sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zinxhir ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”, tha zëdhënësi i policisë Daut Hoxha.
Ai shtoi se kjo rrugë është bllokuar përkohësisht, ndërsa njësitë policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t'u marrë me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar.
“Lidhur me detaje tjera do të njoftoheni pas raportimeve që do marrim nga ekipet ne teren”, tha Hoxha.
Policia ka apeluar për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull për të shmangur aksidentet e tilla.
[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1405170,1405169"]