Aktualitet

“220 mijë shqiptarë ikën emigrantë në 6 vite”, Presidenti Meta: Qëllimi i qartë, falimentimi i Shqipërisë

Shkruar nga Liberale
“220 mijë shqiptarë ikën emigrantë në 6

Presidenti në detyrë, Ilir Meta, pas një artikulli të VOA, në një reagim në rrjetet sociale thotë se “axhenda e qëllimshme antikombëtare për shpopullimin dhe falimentimin e Shqipërisë është një fakt i qartë”.

“Pasojat tragjike ndihen në çdo familje shqiptare dhe në çdo sektor”, shkroi Meta në profilin e tij zyrtar Facebook.

Është detyra e të gjithëve të unifikohemi pa humbur më kohë, në një front të përbashkët kombëtar, për të adresuar me përgjegjshmëri, atdhetari dhe profesionalizëm këtë dramë të madhe, duke ringjallur shpresën”.

“Nevojitet urgjentisht një strategji e qartë dhe efektive që lufton realisht dhe në mënyrë permanente fenomenet që çojnë në braktisjen e vendit nga shqiptarët, duke garantuar së pari standarde të qeverisjes, llogaridhënie demokratike në çdo nivel dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve nëpërmjet referendumeve”.

“Të bashkojmë energjitë për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane! Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!”, ka qenë reagimi i Presidentit Meta.

Çfarë thotë artikulli i VOA:

Në Shqipëri ka nisur të ndjehet mungesa e fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e bujqësisë për shkak të emigracionit dhe rënies së numrit të lindjeve.

Punët e bujqësisë tani janë në pikun e tyre, por në ara shihen gjithnjë e më pak njerëz që punojnë. Këtë vit bujqësia në Shqipëri po përballet me mungesën e fuqisë punëtore si dhe me çmimin e lartë të naftës dhe imputeve të nevojshme bujqësore.

“Punëtorët po ikin të gjithë jashtë. Ne nuk kemi punëtorë për të korrurat, nuk kemi punëtorë për punët në fabrikë. Çmimi i punëtorëve rritet përditë, fuqi punëtorë nuk ka dhe rritja e çmimit të naftës ndikon tek fermerët, ndikon edhe tek eksportuesit pasi, nga 2500 dollar që ka kushtu me dërgu 20 ton në Amerikë, ka shku në 15 mijë dollar. Prandej ne nuk dimë se si ta përcaktojmë çmimin”, thotë Dedë Sterkaj nga kompania LNL.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Shtetëror të Statistikave, INSTAT, nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 nga Shqipëria kanë emigruar rreth 221 mijë e 48 persona me një mesatare vjetore prej 38 mijë e 841 persona. Vetëm vitin e kaluar nga Shqipëria emigruan 42 mijë e 48 persona, pjesa më e madhe të rinj të moshës 18 deri në 40 vjeç, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e fuqisë punëtore edhe në bujqësi.

“Jemi një grup pensionistësh që e mbajmë bujqësinë. Edhe bujqësia, po t’i vemë një metaforë, bujqësia është pensioniste. Nuk ka të rinj më (që merren me bujqësi)”, thotë fermeri Prekë Game.

Por, mungesën e fuqisë punëtore po ndikon edhe sektorë të tjerë si turizmi, ndërtimi, industria fasone si dhe biznesi i vogël. Në dyert e shumë prej bizneseve të vogla, tani lexohen shënime me kërkesën për punëtorë. Mjeshtri i punimit të drurit, Zija Karini, tashmë punon i vetëm në zdrukthëtarinë e tij. Zotërues i 13 teknikave të punimit të drurit, mjeshtri Karini thotë se deri para disa viteve, në punishte vinin mjaft të rinj, të interesuar për të marrë zanatin, po kohët ndryshuan me shpejtësi, një pjesë kanë emigruar dhe të tjerë mendojnë të emigrojnë.

Zvogëlimi nga viti në vit i fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit, por edhe rënies së numrit të lindjeve, pritet të ndikojnë në ritmet e ekonomisë shqiptare gjatë viteve në vazhdim. Kjo ka shtyrë tani disa biznese të fillojnë të kërkojnë dhe punësojnë punëtorë të huaj.

/Liberale.al/'

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH