
Pas përfundimit të numërimit të votave për partitë, ka nisur prej disa orësh numërimi i votave preferenciale për kandidatët, ku bien në sy, të paktën deri tani, diferenca mes pëlqimeve të votuesve, dhe renditjes së kandidatëve nga partitë.
Kështu, në Tiranë, deri në orën 13:00, listën e PS e kryeson Belinda Balluku, me mbi 3100 vota, e ndjekur nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me 1292 vota. Më poshtë, vijnë Elisa Spiropali me 790 vota, ndërsa ministrja e Shëndetësisë ka më pak se 400 vota deri tani.
Në radhët e PD në kryeqytet listën e kryeson Belind Këlliçi, me mbi 1300 vota, ndjekur nga kryetari i PD, Basha, me 821 vota dhe Agron Shehaj me mbi 500 vota.
Listën e LSI në Tiranë, ku kjo parti siguroi vetëm dy mandate, e kryeson Floida Kërpaçi, e renditur e 7 në listë, me 257 vota, ndjekur nga Përparim Spahiu me 156 vota dhe Monika Kryemadhi me më pak se 100 vota.