HISTORI E DITËS/ "Përrallë nga e kaluara" në Mat, gruaja ngarkohet me dru, burri i bën sehir duke pirë cigare (Video)
Shkruar nga Liberale
Gazetarja Alma Çupi ka publikuar në "Instagram" një video, ku shihet një grua e cila mban disa dru zjarri në kurriz, ndërsa bashkëshorti i saj, shfaqet duke pirë cigare dhe duke e vështruar nga larg.
Krahas pamjeve të filmuara në Xibër të Matit, gazetarja Çupi, shkruan se, gratë shqiptare janë shumë të forta, ndërsa po të ishte për burrat, sipas saj ky vend do të kishte marrë fund.
"Eh sa te forta jane grate shqiptare! Te ishte per burrat do kish marr fund ky vend. Respekt per kete grua nga Xibrii Matit", shkruan Çupi.
Këto pamje të kujtojnë filmin "Përrallë nga kaluara" i prodhuar 36 vite më parë, ku shfaqet mentaliteti i asaj kohe, që si duket vazhdon të jetë njëlloj sot e kësaj dite. Ndërsa skenari i këtij filmi është i bazuar në komedinë "Katërmbëdhjet vjeç dhëndër" të Andon Zako Çajupit, e përfshirë në vëllimin “Baba Tomorri” të botuar në vitin 1902.
Në filmin e realizuar në 1987-n, regjisori Dhimitër Anagnosti ka ndërthurur skenat e humorit gjirokastrit të përshkruar nga vetë Çajupi, por gjithashtu përshkruan me realizëm fatin e gruas shqiptare. /Liberale.al