Aktualitet

Vendim kurajoz i Strasburgut në çështjen Litvinenko

Shkruar nga Liberale
Vendim kurajoz i Strasburgut në çështjen Litvinenko

Xhezair Zaganjori

Një ditë më parë, me 21 shtator 2021, një nga dhomat e zakonshme të gjykimit me shtatë gjyqtarë të Gjykatës  Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDrNj), me një shumicë vendimmarrëse 6-1 (kundër vetëm gjyqtari rus Dmitry Dedov) dha vendimin e saj  të shumëpritur mbi çështjen Litvinenko, duke bërë përgjegjës  Rusinë për vrasjen e tij në Britani. Çështja njihet ne fakt me emrin Carter kundër Rusisë, pasi kërkesën në Strasburg në këtë rast e ka bërë që në vitin 2007 e veja e Litvinenkos, njëkohësisht shtetase ruse dhe britanike, Maria Anna Carter.

Megjithëse vendimi i dhomës së zakonshme nuk është përfundimtar, pasi brënda tre muajve nga shpallja ai mund të ankimohet nga Rusia në Dhomën e Madhe të GjEDrNj, menjëherë ka patur reagime e debate të shumta ndaj tij, kryesisht për shkak të kurajës që ka treguar trupa gjyqësore për ta shtrirë edhe më shumë juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut,  veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për respektimin e detyrimeve pozitive të Shteteve Anëtare për të garantuar sa më mirë të drejtën e jetës.

Më konkretisht, Gjykata në këtë vendim shqyrton me shumë kujdes jurisprudencën e saj mbi juridiksionin që ajo ka në rastet kur shtrohet çështja e përgjegjësisë së Shtetit Anëtar lidhur me veprimet jashtë territorit të tyre të personave të veshur me autoritet shtetëror, duke qënë njëkohësisht nën drejtimin dhe kontrollin efektiv të shtetit respektiv. I tillë është për shembull rasti Ocalan kundër Turqisë, në të cilin GjEDrNj konstatoi se ka juridiksion për shqyrtimin e kërkesës, pavarësisht se rrembimi i kërkuesit (Ocalanit) ishte bërë në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, nga një njësi e vecantë e shërbimit sekret turk, të cilët u kthyen më pas në Ankara me avion të veçantë, e të tjerë.

Në rastin konkret Strasburgu e zgjeron edhe më tej këtë koncept. Në vendimin e djeshëm thuhet ndër të tjera se vetë fakti i fillimit të procedimit penal ne Rusi për vdekjen e Litvinenkos, krijon një  “lidhje juridiksionale” mes saj dhe Shtetit  Rus. Nga ana tjetër, mos ekstradimi neë Britani i dy shtetasve rusë të akuzuar për vrasjen e Litvinenkos, shoqëruar kjo edhe me mosdhënien e dokumentacionit apo informacionit mbi rezultatet e këtij hetimi, përbëjnë një “tipar të vecantë” të juridiksionit rus në këtë çështje, aq më tepër që bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Mbi këtë bazë ajo konsideron se ka juridiksion për gjykimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesja. Konfirmimi i mundshëm i këtij standardi nga Dhoma e Madhe, sigurisht që do të ishte një zhvillim i rëndësishëm në interpretimin e nenit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili bën fjalë pikërisht mbi cështjen e juridiksionit të GjEDrNj.

Megjithatë le ta shohim shkurtimisht vendimin e mësipërm të kësaj Gjykate.

Bëhet fjalë për Aleksandër Litvinenkon, shtetas rus dhe britanik, lindur në Rusi në vitin 1962, i cili vdiq ne Londër me 23 Nëntor të vitit 2006. Sipas hetimit dhe ekspertizës së bërë në Britani, vdekja kishte ardhur për shkak të helmimit të tij në lokalin e një hoteli në Londër, me lëndën radioaktive Polonium 210.

Deri në vitin 1998, Litvinenko kishte punuar në shërbimin sekret të Rusisë. Në këtë vit ai bëri publikisht të njohur pretendimin e tij se i ishte kërkuar të vriste një biznesmen të njohur. Për këtë shkak ai shkarkohet nga puna dhe më pas ikën në Britani së bashku me familjen, ku në vitin 2001 marrin statusin e azilantit, ndërsa në vitin 2006 fitojnë edhe shtetësinë britanike. Në vijim Litvinenko angazhohet  për të bërë publike rastet e përfshirjes së shërbimit sekret rus në çështje korrupsioni dhe krimi të organizuar. Supozohet gjithashtu se Litvinenko bashkëpunonte gjithashtu edhe me autoritetet zyrtare britanike, spanjolle e italiane, për ti këshilluar ato lidhur me veprimtarinë e shërbimit sekret rus në Europë si dhe krimin e organizuar në Rusi.

Provohet se në Tetor të vitit 2006, shtetasit ruse Andrey Logovoy, i cili njihej prej vitesh me Litvinenkon,  shoqëruar nga Dmitry Kovtun, kishin udhëtuar së bashku tre herë rrjesht në Londër, (respektivisht me 16, 25 dhe 31 Tetor). Në të tre herët, ato janë takuar edhe me Litvinenkon. Pas një darke që kishin herën e pare, vone natën Litvinenko kishte të vjella dhe qëndroi në shtëpi për dy ditë me radhë pasi ishte i sëmurë, pa ditur shkakun e saj. Herën e dytë nuk ka asnjë zhvillim të veçantë, ndërsa herën e tretë konstatohet se në hotelin ku qëndronin kishin pirë çaj me Litvinenkon në darkën e datës 1 Nëntor 2006. Atë mbrëmje, natën vonë, Litvinenko sëmuret dhe shtrohet në spital, ku konstatohet qartësisht helmimi i tij me  një masë të konsiderueshme lënde radioaktive, Polonium 210. Me 23 Nëntor ai vdes në spital.

Nga hetimi i çështjes në Britani, konstatohet se në të gjitha ambientet ku kanë qëndruar në të tre udhëtimet në Londër shtetasit rusë Logovoy dhe Kovtun, kishte gjurmë të lëndës radioaktive Polonium 210 (në avion, në dhomat e hotelit ku kanë qëndruar, në restorantet dhe kafenetë që kanë frekuentuar, në vendin e stadiumit të Arsenalit ku kanë parë një ndeshje futbolli, në tasin e çajit që kanë pirë me datë 1 Nëntor 2006, e të tjerë).

Hetimi i nisur në Britani në vitin 2007, arriti fillimisht në përfundimin se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën për vrasje vetëm ndaj shtetasit Logovoy. Autoritet ruse refuzuan ekstradimin e tij me pretendimin se nuk mund të ekstradohej një shtetas rus. Aq më tepër që një gjë e tillë u bë krejtësisht e pamundur sipas autoriteteve ruse, pasi po në këtë vit, në Dhjetor 2007, Logovoy u bë anëtar i Parlamentit Rus, duke gëzuar kështu edhe imunitet parlamentar. Në vitin 2011, akuza per vrasje u ngrit ne Britani edhe ndaj shtetasit tjetër rus Kovtun, por edhe në këtë rast u refuzua ekstradimi. Aktualisht, për të dy këto persona ka një Urdher Arresti  në Britani.

Në vitin 2006  u bë e ditur se hetimi për vrasjen e Litvinenkos në Britani kishte filluar edhe në Rusi, por për rezultatet e tij nuk u dha asnjëherë informacion i saktë.

Ndërkaq, hetimet e zhvilluara në Britani u bënë zyrtarisht të njohura në Janar të vitit 2016. Sipas tyre, nuk ka asnjë lloj dyshimi se Litvinenko është helmuar përmes përdorimit të Poloniumit 210, dhe se kjo substancë radioaktive është administruar nga Lugovoy dhe Kovtun. Me këtë rast përjashtohej tërësisht mundësia e helmimit aksidental apo e vet-helmimit të Litvinenkos. Po sipas rezultateve zyrtare të hetimit britanik, provohej edhe lidhja e dy të akuzuarve me Shtetin Rus, pasi sipas “provave të hapura dhe të mbyllura”,   arrihej në përfundimin se “Lugovoy ka vepruar sipas udhëzimeve të drejtperdrejta të shërbimit sekret rus. Po kështu edhe Kovtun ka vepruar sipas udhëzimeve të shërbimit sekret rus, megjithëse angazhimi i tij mund të jetë indirekt, përmes Lugovoy-it…”.

Në vendimin e saj të djeshem, GjEDrNj thekson që në fillim se Rusia nuk ka përmbushur detyrimet e saj për një bashkëpunim efektiv gjatë gjithë fazës së shqyrtimit të çështjes në Strasburg, duke shkelur kështu nenin 38 te Konventës. Ajo rrëzoi gjithashtu edhe pretendimin paraprak të Qeverisë Ruse për të mos përdorur si provë rezultatet e hetimit në Britani, duke theksuar se në vlerësimin e saj, pra të GjEDrNj, ky hetim “..plotëson kërkesat për pavarësi, ndershmëri dhe transparencë”.

Në vijim, GjEDr analizon pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me cënimin e standarteve  që kerkohen për garantimin e të drejtës së jetës, si në aspektin procedural, ashtu edhe në aspektin material të saj.

Lidhur me aspektin procedural të së drejtës së jetës, ajo vë në dukje ndër të tjera se:

“….Lidhja juridiksionale ndërmjet Rusisë dhe vdekjes në Britani të z.Litvinenko krijohet për shkak të fillimit të hetimit të cështjes në Rusi. Përvec kësaj, fakti që Rusia kërkon të ketë juridiksion ekskluziv ndaj një individi (z.Lugovoy) që është akuzuar për shkelje serioze  të të drejtave të njeriut, përbën “një tipar të vecantë “  përsa i përket juridiksionit rus në këtë cështje…pasi shkelja e pretenduar e nenit 2 të Konventës është bërë në një shtet tjetër të Këshillit të Europës…”

Më pas Gjykata konstaton se pavarësisht njoftimit formal nga ana e Qeverisë Ruse mbi marrjen e masave konkrete për hetimin e cështjes, asnje prove apo material i rëndësishëm  nuk është paraqitur para saj nga pala ruse. Kjo tregon se autoritetet ruse nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë një hetim efektiv, të nevojshëm për të identifikuar e dënuar personat përgjegjës për vrasjen e kryer. Gjykata thekson gjithashtu se edhe imuniteti parlamentar që gëzon nga dhjetori i vitit 2007 z. Lugovoy, nuk duhet të jetë pengesë absolute për hetimin dhe procedimin e tij. Për më tepër, atij mund ti ishte hequr imuniteti edhe me pëlqimin e vetë Parlamentit. Mbi këtë bazë, GjEDrNj arrin ne përfundimin se ka patur shkelje te aspektit procedural te nenit 2 të Konventës, për shkak të dështimit të autoriteteve ruse për të bërë një hetim efektiv mbi vdekjen e z. Litvinenko.

Lidhur me aspektin material të së drejtës së jetës, GjEDrNj vë në dukje se :

“Z. Litvinenko ndodhej në Britani në kohën e helmimit, pra në një territor ku Rusia nuk ushtron kontroll efektiv. Për të përcaktuar nëse Rusia ka në këtë rast juridiksion për shkak të veprimtarisë së agjentëve të saj jashtë territorit rus, Gjykata duhet të marrë në konsideratë dy çështje: (i) Nëse vrasja është bërë për shkak të ushtrimit të kontrollit dhe dhunës mbi jetën e viktimës, bazuar në një objektiv të caktuar, dhe (ii) Nëse vrasja është realizuar nga individë që veprojnë në emër të shtetit..”

Për çështjen e parë theksohet në vijim se nuk ka asnjë dyshim që vrasja  është realizuar nga Lugovoy dhe Kovtun. Planifikimi i një operacioni që përfshin sigurimin e një helmi të rrallë vdekjeprurës, realizimi i fluturimeve dhe përpjekjet e përsëritura për të përdorur helmin, tregojnë se z.Litvinenko ka qenë targeti i këtij plani dhe se ai ka qenë nën kontrollin fizik të z.Lugovoy dhe z.Kovtun, të cilët bashkërisht kanë ushtruar dhunë ndaj jetës së tij.

Për cështjen e dytë, Gjykata vë në dukje se vetë ajo nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se ndonjëri nga të akuzuarit kishte arësye personale për të vrarë z. Litvinenko.  Ajo shton më tej se po te kishin vepruar thjeshtë si individë, ato nuk do të kishin mundur të dispononin lëndën e rrallë radioaktive që e përdorën si helm. Nga ana tjetër, nëse do të pretendohej që Lugovoy dhe Kovtun kanë vepruar individualisht, kjo duhej dokumentuar e sqaruar nga autoritetet ruse. Në këto kushte ajo konkludon se ka arsye të forta të besohet se në vrasjen e kryer, dy të akuzuarit kanë vepruar nën drejtimin dhe kontrollin e autoriteteve ruse.

Për sa më sipër, GjEDr arrin në përfundimin se kemi cenim edhe të aspektit material të nenit 2 të Konventës që garanton të drejtën e jetës.

Sigurisht që ende nuk dihet përfundimisht fati i këtij gjykimi, pasi sic theksuam edhe në fillim, Rusia ka tre muaj afat për ta kundërshtuar atë në Dhomën e Madhe të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.  Pavarësisht kërkesës së mundshme të Rusisë, rigjykimi ose jo i saj në këtë Dhome vendoset nga një panel i përbërë nga pesë gjyqtarë të GjEDrNj, përfshirë këtu edhe Presidentin e kësaj Gjykate.  Sidoqoftë, mendoj se do të ishte mirë të bëhej një gjë e tillë edhe nëse vendimi i djeshëm i dhomës normale të gjykimit nuk do të ndryshonte,  pasi normalisht që në kuptimin jurisprudencial dhe doktrinar, standarde kaq të guximshme e të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut kanë nevojë për një bazë më të gjërë konfirmimi, saktësimi e mbështetjeje nga trupa gjyqësore e GjEDrNj. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH