Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, në një konferencë për shtyp të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, deklaroi se “ky muaj dhe ky vit mund të jetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor”, por sipas tij, “duhet të tregojmë rezultatet dhe arritjet”.
“Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve, me lançimin e marrëveshjes pa tarifa “roaming” në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Presim njohjen e diplomave apo lëvizjen vetëm me karta identiteti. Ne jemi të gatshëm të rikonfirmojmë angazhimin tonë me planin e investimeve, me pothuajse 30 miliardë euro në investime në rajon. Por, ky plan nuk funksionon nëse rajoni nuk funksionon si një i tërë. Nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave nëse kamionët ndalen në kufi. Pra, plani jep rezultate nëse rajoni punon për tregun rajonal. Sot solla lajmin që kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani”, u shpreh Varhelyi.
“Duam që të organizohen konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky muaj dhe ky vit mund të jetë muaji ose viti i Ballkanit Perëndimor. Por, duhet të tregojmë rezultatet dhe arritjet. Ne po punojmë fort prapa kuintave, pasi kjo është periudha e diplomacisë së heshtur. Është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë”, tha Varhelyi.