Universitet

Besimi te shkenca dhe shkencëtarët, studimi i shtrirë në 67 vende e rendit Shqipërinë të fundit

Shkruar nga Liberale
Besimi te shkenca dhe shkencëtarët, studimi i shtrirë në 67

Besimi te shkenca dhe shkencëtarët ishte në qendër të një studimi të afro 240 kërkuesve shkencorë nga vende të ndryshme të botës.


Shqipëria në këtë renditet e fundit krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin te shkencëtarët.

Kërkuesja për Shqipërinë Ani Bajrami i tha Zërit të Amerikës, se shkaqet lidhen me mangësitë në komunikimin e shkencëtarëve me publikun si dhe pjesëmarrjen e tyre të ulët në hartimin e politikave të ndryshme në vend me ndikim në jetën shoqërore. Qytetarët në këtë studim janë shprehur se do të donin një ndikim më të madh të shkencëtarëve për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së shëndetit. Në një studim të drejtuar nga dy profesorë Dr. Viktoria Kologna dhe Dr. Niels G. Mede përkatësisht nga Universiteti i Harvardit dhe Zyrihut për besimin e publikut te shkenca dhe shkencëtarët, Shqipëria renditet e fundit për besimin tek shkencëtarët. Studimi u shtri në 67 vende të botës, dhe analizoi përgjigjet e afro 71 mijë e 500 individëve, ku me 1 pikë është vlerësimi më i ulët dhe 5 më i larti. Në rang botëror besimi te shkencëtarët rezulton sipas këtij studimi 3.62.

Shqipëria renditet krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin e ulët te shkencëtarët. Nivelin më të lartë e kanë Egjipti dhe India.

Mes 239 kërkuesve shkencorë të këtij studimi ishin dhe Ani Bajrami dhe Renata Tokrri nga Shqipëria. Ato i mbështetën rezultatet për Shqipërinë bazuar në të dhënat që u morën nga një grup prej afro 340 individësh të kategorive dhe niveleve të ndryshme arsimore dhe moshore. Mbledhja e të dhënave për Shqipërinë u financua nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Për Zërin e Amerikës Ani Bajrami, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës, duke analizuar gjetjet e këtij studimi për Shqipërinë, nënvizon arsyet e besimit të ulët të qytetarëve shqiptarë te shkenca dhe shkencëtarët.

“ Nga shpjegimet që mundëm të jepnim në artikull, shkencëtarët në Shqipëri, nuk realizojnë dy hallka të rëndësishme në procesin shkencor, komunikimin me publikun mbi rezultatet shkencore dhe pjesëmarjen e tyre aktive në politikbërje”- u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Pas rezultateve të studimit kërkuesit e çdo vendi përpunojnë në mënyrë të pavarur shkaqet e renditjes së vendeve të tyre. Për këtë arsye aktualisht nuk ka të dhëna se përse Egjipti dhe India renditen të parat për shkallën e lartë të besimit te shkencëtarët.

Në komentet rreth studimit kërkuesja shkencore Ani Bajrami veçon rrezikun që sjell kundërvënia e njerëzve ndaj shkencës.

“ Këtu sjell si shembull rastin e mosbesimit ndaj vaksinës antiCovid -19 në pandemi apo ndaj ndryshimeve klimaterike. Ky antagonizëm me shkencën bën që jeta e individit të rrezikohet”- vijoi Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Studimi mbi shkallën e besimit te shkenca dhe shkencëtarët, si në nivel botëror ashtu dhe në rastin e Shqipërisë, vë në dukje se qytetarët në shumicë dërrmuese do donin një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve për çështje që i shqetësojnë.

“Qytetarët shqiptarë e dëshirojnë një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve, sidomos në ato çështje që i shqetësojnë siç janë reduktimi i varfërisë dhe përmirësimi i cilësisë së shëndetit”- u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Një tjetër aspekt i studimit lidhet me faktin se qytetarët nuk dëshirojnë në shumicë që shkencëtarët të kenë ndikim në teknologjinë ushtarake. Kjo mund të shpjegohet me aktualitetin e luftrave në botë dhe pasojat dramatike në popullatë.

Artikulli për nivelin e besimit të publikut te shkenca dhe shkencëtarët, janë botuar në databazë-n e artikujve shkencorë ende të pabotuar, dhe në muajin maj, të dhënat e plota pritet të botohen në revistën shkencore Nature Scientific Data.

Mbështetur në studim, sipas kërkuesve shkencorë lajmi i mirë për të ardhmen është që në rang global besimi te shkencëtarët është mbi 50%./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH