Aktualitet

UET, nderon me Certifikatë Mirënjohje akademiken Aurela Anastas/ Pioniere për shërbimin ligjor falas te shtresat në nevojë

Shkruar nga Liberale
UET, nderon me Certifikatë Mirënjohje akademiken Aurela Anastas/

Në 35 vite mësimdhënieje në fushës e së Drejtës dhe 26 vite aktivizëm në shoqërinë civile, juristja dhe akademikja Aurela Anastas kishte në qendër të veprimtarisë  të drejtat e njeriut.

Ofrimi i ndihmës ligjore për kategoritë në nevojë u bë ide e ngulmët, që herët.

Si pjesë e Qendrës Avokatore të Gruas, atëkohë, sot Qendra për Nisma Qytetare Ligjore, bashkë me koleget e saj ndërmorën nismën për të krijuar skuadra, që do të ofronin ndihmë dhe shërbim ligjor falas, për kategoritë në nevojë.

Për kontributin e çmuar në shoqërinë civile, përmes promovimit të skuadrave “pro bono” me qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, posaçërisht të grave, Universiteti Europian i Tiranës e nderoi akademiken Anastas me Certifikatë Mirënjohje. Ky çmim, i cili jepet çdo vit një personaliteti të spikatur në një prej fushave, që përfaqësojnë  pesë fakultetet e UET. Skuadra “pro bono” tha zonja Anastas, lindën në periudhën 2006-2007. “Ky organizim studentor, për të mbështetur shtresa në nevojë dhe në pamundësi ekonomike për të marrë shërbimin ligjor, nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri”, shtoi akademikja. Ajo zbuloi për të pranishmit se ideja ishte marrë nga tradita e mirë e universiteteve amerikane, në këtë fushë, gjatë trajnimeve që ajo dhe kolege të saj avokate kishin kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë periudhë.

E shoqëruar nga miq dhe kolegë të saj ndër vite, Anastas pohoi se këto lloj veprimtarish, vijnë në jetë si rezultat i punës në grup.

Ajo kujtoi sesi përkthyen materialet e para nga gjuha angleze, të cilat shërbyen për trajnimet e skuadrave “pro bono”,  me studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe me Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare. Përvoja vijoi me krijimin e skuadrave të reja, me grupe deri në 20 studentë, të cilët punonin në Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare, në ofrimin e shërbimit ligjor falas për kategori në nevojë. Kjo qendër, theksoi më tej juristja Anastas, punoi më një grup organizatash jofitimprurëse për të mbledhur firmat, që nevojiteshin për hartimin e ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet në familje”.

“Ky ligj solli ndryshime, por edhe kërkesa të shumta për ndihmë”, kujtoi Anastas. “Qendra ndjeu nevojën për mbështetje. Me pak avokatë nuk mund ta realizonim”.

Ajo tha se skuadrat “pro bono”, përveçse janë një ndihmë  në shoqëri, duke krijuar akses në sistemin e drejtësisë për shtresat në nevojë, të cilat nuk kanë mundësi të mbrohen në gjykatë, janë edhe laboratorë të mirëfilltë.

“Ne e kemi të hapur laboratorin, për rrjedhojë njohim gjithçka dhe sjellim përvojat jetësore në diskutimet mes juristëve, nëpërmjet skuadrave “pro bono””.

Ajo u drejtua studentëve të Fakultetit të Shkencave Juridike në UET, duke iu thënë se suksesi në profesionin e juristit, qëndron tek puna në grup.

Ajo përmendi disa prej veprimtarive që këto skuadra kanë kryer, si në informim e qytetarëve, por edhe në këshillimin e drejtpërdrejtë të shtresave që kanë nevojë për shërbime ligjore.

Presidenti i UET, Selami Xhepa, ndërsa i akordoi akademikes Anastas Certifikatën e Mirënjohjes vlerësoi figurën dhe punën e saj, në ofrimin e ndihmës ligjore për shtresat në nevojë e veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të grave.

“Aksesimi i sistemit të Drejtësisë, në sistemin tonë politik dhe ekonomik, shpesh konsiderohet si mall luksi për shoqërinë.  Ka  një asimetri dhe,  kontributi që jep sot akademike Aanastas, është një gjë shumë pozitive për shoqërinë shqiptare”, tha zoti Xhepa.

Ish-deputetja Vasilika Hysi, juriste dhe kolege e vjetër e Aurela Anastas, e nderuar vitin e kaluar nga UET me këtë certifikatë, u ndal te kontributi i konstitucionalistes, në ndryshime ligjore, me fokus tek të drejtat e njeriut.

“35 vite mësimdhënie, 26 vite aktivizim në shoqërinë civile me kateteri të brishta, gra viktimat  dhunës në familje apo të trafikimit dhe të kontribuosh që këtë pjesë të praktikës dhe teorisë ta kthesh në politikëbërje, nuk është e lehtë”, u shpreh zonja Hysi.

Ajo tha se gjatë përvojës 12 -vjeçare në Komisionin e Ligjeve, në Parlament, ka pasur mbështetje nga profesoreshë Anastas, për ndryshime ligjore. “Nuk është e lehtë të krijosh shërbime për njerëzit që janë të dobët në shoqëri, pasi ka kosto...”

Zonja Hysi theksoi se edhe elementët që lidhen me barazinë gjinore në Reformën në Drejtësi, janë meritë e profesoreshë Anastas. Hysi pohoi vështirësinë për të futur si pjesëmarrëse, në sistemin e Drejtësisë, gratë.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike në UET, Juelda Lamçe vlerësoi punën e zonjës Anastas, e cila u pasqyrua në ligjin e vitit 2017, për ndihmën juridike të garntaur nga shteti. Sipas dekanes, kjo solli më pas edhe ndryshimet në strukturë që bëri Ministria e Drejtësisë për krijimin e një institucioni të veçantë në formën e ndihmës juridike parësore dhe dytësore.

Punën dhe kontributin e saj e vlerësuan edhe kolegë të tjerë si avokatja e Qendrës për Nisma Qytetare Ligjore, Iris Aliaj, pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë, në UT, Eralda Methasani e Evarist Beqiraj.

Aurela Anastas është pedagoge e së Drejtës Kushtetuese prej 35 vitesh, po ashtu anëtare e shoqatës ndërkombëtare të Konsitucionalistëve, anëtare e Komisionit të Venecias, si edhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ajo ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme në akademi, edhe si dekane e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

Anastas është autore dhe bashkautorë e  një sërë veprash juridike, si “E Drejta Kushtetuese”, “Institucionet Politike dhe e Drejta Kushtetuese në Shqipëri, 1930-1939”, “Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, “Historia e Institucioneve”, “Komentar mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë”, “Komentar i ligjit për Masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, “Barazia dhe Drejtësia Gjinore”, etj.

E angazhuar në projekte kërkimore, kombëtare dhe ndërkombëtare, ajo ka drejtuar disa grupe pune që lidhen me reformën Kushtetuese në sistemin e Drejtësisë më  2016-n,   hartimin e legjislacionit të barazisë gjinore, mbrojtjen nga diskriminimi dhe dhuna në familje, hartimin e marrëveshjeve të komuniteteve fetare me Këshillin e Ministrave dhe, si avokate dhe aktiviste e shoqërisë civile ka drejtuar për dhjetë vite, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare, nga ku morën jetë edhe skuadrat “pro bono”, në ofrimi ne shërbimit ligjor falas, për shtresat në nevojë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH